Kosova

Fajon, optimiste për liberalizim të vizave për Kosovën

Raportuesja e Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave me Kosovën, deputetja e Parlamentit Evropian, Tanja Fajon, thotë se nuk pret që brenda periudhës së pranverës së këtij viti të bëhet një hap konkret drejt lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.
Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Fajon shpreh shqetësim me zhvillimet përreth procesit të demarkacionit, por thekson se beson që kjo të jetë më shumë një politizim i brendshëm, sepse, siç shprehet, do të ishte dëm që Kosova ta humbasë këtë mundësi për liberalizim.

“Unë pres që të ecim në këtë drejtim”, ka thënë ajo. “Do të ishte dëm që tani Kosova të humbasë këtë mundësi për liberalizim të vizave. Në këtë moment, unë nuk mund të them se mund ta ndryshojmë këtë kusht, sepse nuk më takon mua. Kjo i përket Komisionit Evropian. E di se është një situatë e ndjeshme, e di se është e vështirë të sigurohet një shumicë e garantuar, por nuk e di si do të ecim tutje. Do të ishte për keqardhje nëse humbet ky moment. Natyrisht, do të kërkojmë zgjidhje. Unë dua të jem optimiste”.

E pyetur se kur mund të presin qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza, ajo thotë se këto ditë po e përgatit agjendën.

“Ekzistojnë procedura formale në Parlamentin Evropian. Së pari duhet të zhvillojmë debat për propozimin e Komitetit për liritë civile, drejtësinë dhe punë të brendshme të Parlamentit Evropian (LIBE) dhe pastaj të Komitetit për marrëdhënie me jashtë (AFET) ku do të votohet për propozimin. Unë do të doja që të paktën në Komitetin LIBE të votohet përpara pushimeve vjetore. Kjo është një agjendë ambicioze për shkak të procedurave formale. Megjithatë, nuk pres që do të bëjmë një hap drejt liberalizimit të vizave në pranverë të këtij viti”, ka thënë ajo.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button