Ekonomia

Pagesat për drejtuesit, ulen bonuset

Cilat janë pagesat për nivelet drejtuese në Shqipëri. Sektorët që paguajnë më shumë dhe tendenca. Sa ka ndikuar kriza ekonomike e viteve të fundit në ritmet e rritjes së pagave e shpërblimeve për bankat, telekomunikacionet, naftën dhe energjinë etj…

Ndërsa vitet 2008-2010 konsiderohen si një periudhë lulëzimi në tregun shqiptar të punës, me kërkesë të lartë për ekzekutivë e rrjedhimisht paga të larta, situata është përmbysur pas 2010-s, teksa ekonomia vendase u ngadalësua ndjeshëm nga kriza. “Në ato kohë ka pasur negocime mjaft të mira, që ekzekutivët kanë bërë për nivelet e shpërblimeve të tyre, që s’mund t’i kesh tashmë, thotë për “Monitor”, znj. Pranvera Papamihali, menaxhere për Shqipërinë në kompaninë e kërkimit të ekzekutivëve, Pedersen & Partners. “Ato nivele shpërblimi që janë kapur dikur, është thuajse e pamundur të arrihen tani. Ka shumë ofertë dhe sado që një ekzekutiv të ketë investuar për karrierën apo formimin arsimor, vjen një moment, që të gjithë jemi mbajtës të familjeve respektive dhe kjo do të reflektohet edhe në uljen e kërkesave financiare që ekzekutivët do të kenë”, thotë ajo.

Papamihali thotë se së fundmi ajo që po konstatohet është dhe ulja e bonuseve për drejtuesit.

Disa nga arsyet kryesore që kanë çuar në këtë ndryshim tendence lidhen me mungesën e hyrjeve të reja dhe rritjen e ofertës së drejtuesve në treg.

Kompanitë e huaja, që investojnë në Shqipëri, në mënyrë krejt të natyrshme, do të sillnin edhe një zhvillim në tregun e punës, sepse do të krijonin frymëmarrje dhe hapësira për ekzekutivët për të lëvizur nga një kompani në tjetrën, kundrejt një shpërblimi më të lartë. Kjo mungesë e hyrjes së investimeve të huaja është reflektuar edhe në tregun e punës, duke krijuar një disbalancë mes kërkesës dhe ofertës.

Në kahun tjetër ka një rritje të ofertës së ekzekutivëve, e cila vjen si rrjedhojë e mbylljes së kompanive, uljes së rrogave, shkurtimit të stafit.

Sektorët më të paguar

Nga bankat dhe telekomunikacionet, që deri pak vite më parë ishin më të paguarat, vendin e parë e kanë zënë nafta, gazi dhe energjia (hidrocentralet e mëdha). “Kompanitë e mëdha të naftës ofrojnë një lloj standardi në mënyrën se si i kompensojnë ekzekutivët”, thotë Papamihali. Bankers Petroleum, Shell janë dy sipërmarrjet kryesore në këtë fushë. Pagesat për ekzekutivët me kombësi shqiptare, përfshirë bonuset, variojnë në këtë sektor në 6000-7000 euro në muaj. Edhe gazsjellësi TAP, një hyrje e re së fundmi, ofron pagesa të larta.

Bankat kanë qenë historikisht të paguara, por vitet e fundit ky sektor nuk ka shënuar rritje të pagave, sipas Papamihalit, për shkak të mjedisit relativisht të dobët. Nuk ka ndryshime të ekzekutivëve dhe as blerje të jashtme, elemente këto që do t’i jepnin më shumë vlerë të punësuarve në pozicione drejtuese në këtë segment.

Pagesat e drejtuesve në sistemin bankar variojnë në 6000-7000 euro në muaj, duke përfshirë bonuset (pa bonuset niveli zbret në rreth 5000 euro në muaj). Bëhet gjithnjë fjalë për drejtuesit me kombësi shqiptare në pozicione zëvendësdrejtorësh (përgjithësisht në banka drejtuesit janë të huaj).

Pagesat në nivelet drejtuese në telekomunikacione luhaten në nivele të ngjashme me bankat, 5000-7000 euro në muaj (personel shqiptar si chief officier, marketing etj.), teksa nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukshme vitet e fundit.

Zyrat e huaja të farmaceutikës janë një tjetër sektor i mirëpaguar, thotë znj. Papamihali, që i paguajnë drejtuesit shqiptarë në 4000 euro në muaj. Pagat e distributorëve lokalë në këtë segment nuk janë në nivelet e përfaqësive të huaja.

Më pak të paguar janë ndërtimi dhe znj. Papamihali veçon tregtinë me pakicë (zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve), që nuk kanë nivele të larta për pozicionet ekzekutive. “Është tregu në përgjithësi që është në këto nivele. Nuk ka pasur hyrje të korporatave të mëdha dhe kjo është reflektuar dhe në paga”, thotë ajo.

Për momentin, energjia mbetet sektori me më shumë kërkesë për nivele të larta drejtuese aktualisht, së bashku me infrastrukturën. Bankat dhe telekomunikacionet nuk janë në ditët e tyre më të mira.

Ndërsa mbyllja e disa kompanive shumëkombëshe së fundmi ka ndikuar negativisht në tregun e pagave të drejtuesve.

Monitor 731

Ngushtohen diferencat mes kompanive të huaja e vendase

Paga mesatare e ekzekutivëve në Shqipëri mund të jetë shumë e ndryshme në varësi të kompanisë, vendndodhjes dhe industrisë. Kompanitë ndërkombëtare i paguajnë ekzekutivët në nivele më të larta krahasuar me ato lokale. Gjithashtu, sistemi i tyre i bonusit dhe benefiteve është i përcaktuar në mënyrë shumë më transparente dhe logjike se në kompanitë lokale. Gjatë 2–3 viteve të fundit, paga mesatare vjetore për një ekzekutiv të nivelit të lartë në një kompani ndërkombëtare, duke përfshirë bonuset afatshkurtra, ka variuar nga 39 000 deri në 52 000 euro, ndërsa në kompanitë lokale, të njëjtat pozicione paguhen me 24 000 deri në 36 000 euro.

Gjithashtu, ekziston një ndryshim i madh ndërmjet pagave të ekzekutivëve të lartë që punojnë në Tiranë dhe atyre në qytete të tjera të Shqipërisë, të cilët paguhen në nivele shumë më të ulëta. Pagat e ekzekutivëve të lartë në Shqipëri nuk kanë pësuar ndonjë ndryshim madhor gjatë dy-tre viteve të fundit, veçanërisht si pasojë e vështirësive ekonomike, të cilat i kanë detyruar kompanitë të ruajnë të njëjtat nivele page, e disa të tjera të mbyllin aktivitetin, shkurtojnë numrin e stafit, apo të ulin nivelin e pagave.

Gjithsesi, thekson Papamihali, një tendencë e fundit është afrimi i pagave të drejtuesve lokalë me ata të huaj.

Shqipëria, vendi ku njerëzit me paga të larta tatohen më shumë së në gjithë rajonin

Nëse je i talentuar, i mirëarsimuar dhe si rrjedhojë arrin të gjesh një punë me një pagë të mirë, në Shqipëri taksohesh dyfishi në krahasim me të gjithë vendet e rajonit. Ndërsa Banka Botërore ka vënë në dukje se bizneset në Shqipëri kanë normat e taksave më të larta në rajon, së bashku me ato të Serbisë, një matricë e Këshillit të Investimeve “zbulon” se Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta.

Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.

Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15% duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.

Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.

Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 Euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.

Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%). Në Bosnjë Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button