Home / Opinion / Ndal diplomimeve fallco

Ndal diplomimeve fallco

Hap pas hapi edhe diplomat e Shqipërisë do të vlerësohen në Europën ku duam të hyjmë. Të hyjmë me intelektualë me dinjitet dhe jo me blerës diplomash. Duke vepruar kështu ju, zoti Basha e kushdo tjetër që mban ison tuaj, nuk bën gjë tjetër veçse i humbni pikë partisë suaj që ende po tërhiqet zvarrë nga Berisha.

Nga PETRO DHIMITRI

Petro Dhimitri, Gazetar

Petro Dhimitri, Gazetar

Shkollat shqiptare pas Luftës së dytë Botërore u organizuan sipas modelit të shkollave Sovjetike. Të gjitha programet ishin të njësuara.Kjo paraktikë vijoi edhe kur u krijuan institutet dyvjeçare si dhe Universiteti i Tiranës.Të mirat e këtij huazimi erdhën shpejt. Si nxënësit e shkollave të mesme dhe ata të universitetit u pajisën me dije të sakta shkencore nga pedagogët Sovjetikë dhe nga specialistët tanë të diplomuar në BRSS, Poloni, Çekosllovaki, Bullgari, Hungari dhe Rumani. Deri kur u “shpif” kushti i mesatares me notën 10 për t’u pranuar në universitet, niveli i vlerësimit të nxënësve ishte real. Ende nuk kishte hyrë në funksionim paraja për vlerësimin maksimal. Megjithatë mund të them se deri sa u shemb diktatura, shkolla jonë mbeti dinjitoze. Me vendosjen e pluripartitizmit dhe krijimin e një morie shkollash private që mbinë si këpurdhat pas shiut, në vend që dinjiteti i shkollave tona, sidomos i arsimit të lartë, të ngrihej, ai mori rrakapjekthi tëposhtë. Më vinte keq kur dëgjoja lloj lloj rastesh që tingëllonin si barcoleta. Një e afërta ime, edhe pse nuk studjonte me që nuk i thithte truri aq sa duhet, jo vetëm mbaroi të mesmen, por dhe një universitet privat. Për të kaluar të mesmen e ëma u paguante nëndorë mësueseve. Kur i ati shkoi ta regjistronte në një universitet privat të Tiranës, në sekretari i thanë:” Në ç’vit do ta regjistrosh?” Pra, kundrejt pagesës ai mund të hynte në çdo vit. I ati qe skandalizuar. Edhe pse ka disa vjet që ka marrë diplomë zezën, ende nuk punon se është e paaftë. Një rast tjetër. Një student i mjekësisë studjoi mirë dy vitet e para, pastaj i mori provimet me rakinë që u jepte halla e tij profesorëve. Ky doktor me diplomë emigroi në Angli. Atje as si infermier nuk ishte në gjendje të punonte, prandaj filloi punë si ndihmës elektriçist?! Ç’iu desh diploma dhe pse i hodhi dëm halla litrat e rakisë? Po babai asaj kushurirës sime pse i çoi dëm ato para kur ka vite që vajza medemek juriste rri si parazite në shtëpi edhe pse ka mbaruar Universitetin?!
Nga shtypi kam mësuar se një Italian, pa ardhur fare në Shqipëri , mori diplomen nga një universitet privat i Tiranës?! Janë dhënë me mijëra diploma fallco… Ky është realiteti skajshëm i hidhur. Lind pyetja: Ç’kanë bërë qeveritë Nano dhe Berisha për t’i dhënë ndal degradimit të shkollës shqiptare që s’kishte nevojë as për inspektime, se dukej sheshit?!
Qeveritë kërkonin nga subjektet programet e shkollave që donin të hapnin. Ato ishin të përsosura, sepse merreshin nga shkollat Perendimore. Veç tjetër gjë është një program model, dhe tjetër zbatimi i tij me rigorozitet e kritere shkencore pedagogjike. Eshtë për të venë duart në kokë e të ulurish sa të kesh fuqi kur mëson se për 24 vite nga institucionet përgjegjëse nuk është ushtruar kontroll nëpër këto universitete.
Për turpin e Shqipërisë a duhej vazhduar kështu?! A do të dilte një burrë që të kishte guximin t’i thoshte ndal këtij mashtrimi publik?! A do të shqetësohej dikush për paratë e prindërve që depozitohen në arkat e universiteteve zhvatëse? Dhe ai njeri doli. Emrin e ka Edvin Rama. Eshtë kryeministri ynë i zgjedhur nga populli për ta ndryshuar Shqipërinë. Po ajo nuk mund të ndryshojë duke shpërndarë universitetet private diploma me para. Prandaj u inspektuan këto institucione dije . Nga kontrolli doli se 36 prej tyre do të mbyllen. I bie të themi 75 përqind e shkollave private. Njerëzit e ndershëm, arsimtarët e ndërgjegjshëm, qoftë pensionistë, e mbështësin këtë vendim të domosdoshëm. Ai është hapi i parë për t’i kthyer dinjitetin e vjedhur arsimit shqiptar.
Opozita në vend që ta mbështesë vendimin e shkollave që shisnin diploma është hedhur në sulm m’u sikur e ka pickuar gjarpëri. Po u qajnë hallin 26 mijë studentëve që hidhen në rrugë, kur për ta u tha se do të vazhdojnë studimet në shkollat publike. Zoti Basha, që bën lojën e kumbarit Berisha, ka guximin dhe thotë:” Paaftësia dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie po rëndon gjithnjë e më shumë në jetën e në të ardhmen e shqiptarëve. ” Bukur zoti Basha, që na i dashkërke shqiptarët me dije të cunguara dhe me diploma të blera. Përgjegjëse për këtë situatë anormale është si Partia juaj ashtu dhe PS-ja kur e drejtonte zoti Nano. Në vend të ulni kokën e të heshtni, qofshi ju që keni guxim dhe kritikoni vendimin për t’i kthyer dinjitetin shkollës sonë. Po mos kujtoni se shqiptarët janë budallenj. Ata e dine mirë se ku po e çonte rininë liberalizmi i çthurrur për të blerë me para diploma, pra për t’u arsimuar pa patur nivelin e duhur të dijeve. Si rezultat nuk je i aftë të punosh për ç’je diplomuar dhe ktheshesh në parazit. E pësojnë edhe prindërit që kanë sakrifikuar duke boshatisur xhepat që fëmijët e tyre të jenë mjekë, juristë, sociologë, fizikanë,etj., pra njerëz të aftë për jetën dhe jo kallpa që kanë mbushur xhepat e universiteteve mashtruese, që sipas jush na qenkërka gabim të mbyllen?! Rama ka menduar edhe më thellë. Një institucion prestigjioz nga Anglia do të vijë në Shqipëri për t’i venë tamam pikat mbi I-në për universitetet tona. Hap pas hapi edhe diplomat e Shqipërisë do të vlerësohen në Europën ku duam të hyjmë. Të hyjmë me intelektualë me dinjitet dhe jo me blerës diplomash. Duke vepruar kështu ju, zoti Basha e kushdo tjetër që mban ison tuaj, nuk bën gjë tjetër veçse i humbni pikë partisë suaj që ende po tërhiqet zvarrë nga Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published.