Home / Ekonomia / Sejko takohet me homologun francez de Galhau

Sejko takohet me homologun francez de Galhau

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një vizitë pune dy ditore pranë Bankës së Francës. Kjo vizitë konsiderohet mjaft e rëndësishme në kuadër të marrëdhënieve të bashkëpunimit dypalësh që ekzistojnë midis dy bankave qendrore.

Gjatë qëndrimit në Francë, Sejko zhvilloi takime me Guvernatorin e Bankës së Francës, FrançoisVilleroy de Galhau, si dhe me drejtues të tjerë të lartë këtij institucioni.

Bisedat u përqendruan kryesisht në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, promovimin e potencialeve të Shqipërisë si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.

Sejko e njohu homologun e tij me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në Shqipëri, duke theksuar se pavarësisht situatës të pafavorshme ndërkombëtare, Shqipëria ka shënuar një ecuri pozitive në drejtim të rritjes ekonomike të vendit.

Banka e Shqipërisë ka dhënë kontributin e nevojshëm nëpërmjet politikës monetare lehtësuese në mbështetje të një rritjeje ekonomike të qëndrueshme dhe garantimit të stabilitetit makroekonomik të vendit.

Gjatë takimit, të dy guvernatorët diskutuan mbi rolin dhe sfidat me të cilat përballet politika monetare sot, në një situatë pasigurie dhe inflacioni të ulët kudo në botë dhe në Evropë dhe ndanë të njëjtin mendim se harmonizimi i politikave makroekonomike ndikon në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të të dy vendeve.

Duke u ndalur në veçanti në zhvillimet e sektorit bankar, Guvernatori shqiptar vlerësoi arritjet dhe potencialet që ofron ky sektor në vendin tonë, me parametra optimalë të treguesve financiarë. Banka e Shqipërisë, në rolin e autoritetit mbikëqyrës e rregullator, është në përpjekje të vazhdueshme për përafrimin e legjislacionit bankar me atë evropian, si një parakusht për të krijuar ambientin e përshtatshëm për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Guvernatori Villeroy de Galhau theksoi se lidhjet midis dy institucioneve kanë qenë dhe vijojnë të jenë mjaft të qëndrueshme dhe të frytshme.

Në cilësinë e Anëtarit të Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane, ai siguroi Guvernatorin Sejko se Banka e Francës dhe bankat anëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Bankën e Shqipërisë, për përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe adoptimin e standardeve ndërkombëtare të bankingut qendror, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Ky bashkëpunim mund të vijojë në fusha, si: konvergjenca e legjislacionit me standardet evropiane, zgjidhja e çështjeve të kredive me probleme, qeverisja e bankës qendrore, etj.

Leave a Reply

%d bloggers like this: