Kryeartikull

Kush e ka fajin , Berisha apo Saliu ?

Nga Andrea Stefani

Duke refuzuar të votojë, sikundër qe parathënë, reformën në drejtësi, Berisha ja ka zënë përsëri rrugën Shqipërisë duke mos e lejuar të avancojë drejt Europës. Të gjithë e shohin këtë fajësi, por shumë pak janë ata që e formulojnë. Mbi ligësitë dhe krimet e Berishës sundon një omerta. Nuk bëjnë përjashtim as ndërkombëtarët. Pafuqia për të thënë të vërtetën dhe aq më shumë për të ndëshkuar Berishën, nuk është pafuqi për të ndëshkuar një person me emrin Sali që posedoka pushtete të pathyeshme. Iluzioni krijohet nga ngatërrimi apo barazimi i personit Sali me “Berishën” që, sado primitiv, është një krijesë politike, një kult. Jo pak shqiptarë e ushqyen këtë kult me duartrokitje, fanatizëm, konformizëm dhe nënshtrim. Tani që ai hodhi rrënjë, po vuajnë koston e tolerimit të këtij Leviatani.

Kur flasim për Saliun, flasim për një person. Kur flasim për “Berishën” flasim për një dukuri që, për shkak të një tradite disaplanëshe, këmbëngul të përsërisë në politikën shqiptare, dukurinë e kultit absolut të individit. Saliu vetë, e bën me kast këtë ngatërrim duke u mburrur me forcën e Berishës. Por Berisha është një forcë grupi, e solidaritetit narcist të fanatikëve me liderin. Një forcë të tillë që ka 25 vjet që e shantazhon Shqipërinë, deri edhe ndërkombëtarët, me konflikt civil, destabilitet apo revolucion, nuk mund ta posedojë një person i vetëm.

Më ka pëlqyer një version modern i një filmi artistik për Herkulin, ku heroi mitik i kryen heroizmat bashkë me një grup shokësh. Mu duk shumë më i vërtetë si vetë miti. Herkuli nuk duhet t’i ketë pastruar i vetëm stallat e Avgjisë, as luanin e tmerrshëm nuk duhet ta ketë vrarë i vetëm. Por shoqëritë primitive, patriarkale, kanë prirjen të lartësojnë një figurë që e shpallin si shpëtimtar duke ja atribuuar edhe ato që, në fakt, e bëjnë vetë. Një gjendje dhe mendësi që është ende e fortë në shoqëritë e sotme orientale, lindore. Duke mos qenë të përbërë nga individë të lirë, ato gjenden përherë para nevojës që dikush t’i mbrojë, t’i shpëtojë. Prandaj kanë prirjen (Krujë, prite, prite Skënderbenë!) e krijimit të mbrojtësit, të Mesisë.

Ende me doza jo të pakta të mendësive lindore, pa institucionet që ushqejnë dhe mbrojnë lirinë e individit, shqiptarët duket sikur nuk kanë dëshirë të ndahen nga një prirje e tillë. Brenda më pak se një shekulli prodhuan kultin shpëtimtar të mbretit Zog, më pas të Enverit dhe pas rënies së sistemit komunist, disa kulte të tjera ndër të cilët ai i Berishës po shfaqet, ndonëse në rënie, më i qëndrueshmi.

Nuk ka asgjë gjenetike apo racore në këtë qëndrim të rrënjosur. Ai lidhet vetëm me rrethanën politiko-sociale ku janë gjendur vazhdimisht shqiptarët. Një rrethanë në mungesë të institucioneve që e bëjnë njeriun të lirë, që e bëjnë individ, të aftë të mbijetojë pa nevojën e mbështetjes së fisit, krahinës, partisë, liderit. Mjerisht, shqiptari nuk mbijeton dot pa ngecur në rrjetën e këtyre mburojave dhe solidariteteve. S’ka rëndësi nëse kemi të bëjmë me nevojë bazë mbijetese apo ambicie a lakmi për pasurim. Që të zërë qoftë një vend pune apo qoftë që të zhvillojë një biznes të begatë, ai duhet të bëhet mbështetës i një partie, i një lideri. Madje sa më i varfër, aq më jetike kafshata, aq më e madhe nevoja për partinë dhe liderin, aq më i verbër konformizmi me to, bindja ndaj tyre. Kjo marrëdhënie skllavërie pa liri dhe dinjitet pjell pa fund fanatikët, krijesa pa aftësi për të reflektuar me kokën e tyre, por vetëm për t’u bindur.

Në tërësi, partitë shqiptare, në një masë ose në një tjetër, nuk do pushojnë së qeni inkubatorë fanatikësh nëse nuk krijohen ato institucione që e çlirojnë shqiptarin nga rrjeta e vartësive politike, nga nevoja fatale e mbështetjes së një partie apo lideri. Një nga këto institucione, madje më i rëndësishmi, është pushteti i pavarur i drejtësisë që nuk lejon t’i merret askujt dhe nga askush, ajo që e ka fituar me te drejtë dhe që nuk lejon që askush të fitojë diçka pa të drejtë.

Kur ra diktatura, kishte vetëm një kult, ai i Enver Hoxhës. Zhvillimet politike bënë që kjo mbështetje të pjesëtohet duke u kanalizuar majtas dhe djathtas. Në të majtë u ngrit kulti i Fatos Nanos ndërsa në të djathtë ai i Sali Berishës. Brenda pak vitesh këta burra, që pak kush i njihte para viteve ’90, u shndërruan në liderë historikë, në kulte. Fatosi u bë “Nano” ndërsa Saliu u bë “Berishë”. Dhe jo se këta burra bënë ndonjë akt të jashtëzakonshëm. Ata thjesht u ndodhën apo u vendosën në krye të dy partive më të mëdha në momentin e shembjes së një sistemi 45 vjeçar. Zhvillimi ishte në vazhdën e zakonit patriarkalo-bolshevik sipas të cilit, punët nuk ecin pa pasur një lider absolut dhe të përjetshëm. Nuk qe aftësia e Saliut apo Fatosit, por nevoja e rrënjosur prej skllavi e masave për lidership absolut që polli “Nanon” dhe “Berishën” si dy versione farsë të kultit tragjik të diktatorit Hoxha.

Por kulti i Nanos nuk rezistoi gjatë. Shkaqet janë disa, por ndër ta rol jo të vogël ka luajtur lufta e egër deri në burgosje që Berisha me idenë patologjike të liderit absolut të Shqipërisë i bëri rivalit të vet. Por, si për ironi të Saliut, shkatërrimi i Nanos e shpëtoi PS nga sundimi i një lideri që e polli një nevojë historike dhe një moment i papërsëritshëm historik. Burgosja e Fatos Nanos i hapi rrugë konkurrencës në lidershipin e PS, duke e përçarë, por edhe demokratizuar atë. Saliu ka përfituar nga përçarja por nuk mund të mos vuajë pasojat e demokratizimit. Sepse ka pak shanse që në PS të përsëritet, rreth Ramës apo kujtdo tjetër nesër, modeli i unitetit të trashëguar nga PPSH që edhe në rastin e Fatos Nanos, pati të çarat e veta.

Në të kundërtën, kulti i Berishës këmbëngul edhe pas 26 vjetësh. Ai është dinozauri i fundit i ardhur nga koha e Luftës së Ftohtë, lideri i fundit historik që këmbëngul të mos kalojë në histori. Ndërsa PS arriti ta tresë kultin e Nanos, kulti i Berishës tashmë e ka tretur PD. Ajo nuk ekziston si parti reale. Ekziston vetëm Berisha dhe masa e mbështetësve të “Berishës”. Duke ndjekur ambicien e tij për lidership absolut, Saliu bën kujdes te dorovisë masën e mbështetësve dhe fanatikëve. Ai ndoqi politika cezariane deri te tolerimi i grabitjes masive të trojeve. Them cezariane, sepse Cezari u falte legjionarëve të kthyer nga lufta tokë duke i shndërruar në votues të Berishës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Saliu me të shpërngulurit nga fshatrat dhe malësitë duke i shndërruar në elektorat të vetin. Elektorat që më kot rreket t’ia rrëmbejë Rama duke shpërndarë çertifikata legalizimi. Ndërkaq, elita e oborrit të SHQUP-it, është një grusht lakejsh e ndrydhur mes “liderit historik” dhe masës së fanatikëve. Ajo nuk është e lirë për asnjë konkurrencë brenda PD por vetëm që të përtypë përfitimet e këtij statusi prej skllavi të maskuar me parlamentarizëm.

Ka ca kohë që, për të kamufluar rolin e tij absolut në vendimmarrjen e PD, Saliu është përpjekur t’i tallë kritikët që e fajësojnë për shumë krime e tragjedi dhe trauma të tranzicionit, me frazën ironike: E pra, fajin për gjithçka e ka Saliu! Dhe vërtet, si mund ta ketë fajin vetëm një person për gjithçka?! Politikani dinak që është i pari në rrëmbimin e meritave historike (si për shembull, përmbysjen e komunizmit), kur është fjala për faje e krime, e fsheh “Berishën” prapa Saliut, kultin prapa personit. Por kur bëjmë fjalë për këtë kalvar çerekshekullor të Shqipërisë, me peshën e një kryqi që për çlodhje ka vetëm rrëzimin, kur themi se për gjithë këtë fajin e ka Berisha, nuk kemi parasysh thjesht Saliun, por atë piramidë primitive të kultit të individit me një grusht oborrtarësh në majë, por me masa mbështetësish që zgjerohen në katet e poshtme të saj. Bëjmë fjalë për një pjesë të shoqërisë që është gllabëruar nga kulti i Berishës dhe që do ta justifikojë atë edhe sikur të bëjë një puç, apo të vrasë për pushtet. A nuk ndodhi një gjë e tillë edhe pas 21 janarit? A nuk thanë se fajin për të vrarët e pati Rama që “i solli”, pa e kuptuar se, indirekt, po pranonin që qeveria Berisha ishte si një bishë që s’duhet t’i dalësh përpara, se të vret?! Po Saliu a ka ndonjë faj në këtë mes? Po, ai ka fajësinë e të qenurit truri i këtij kulti primitiv. Saliu është Ati, Berisha është Biri. Saliu ka faj se e krijoi Berishën dhe Berisha, si kult, si organizëm kolektiv, ka faj për të gjitha të tjerat.

Aktualisht, Saliu po lufton aq fort për të bllokuar reformën në drejtësi. Nuk është vetëm frika e ndëshkimit për korrupsionin dhe krimet e këtij klani që e shtyn. Është dhe instinkti i mbijetesës që i thotë se hyrja e drejtësisë në lojë, do të thotë edhe zhdukje e asaj nevoje që pjell konformizëm dhe fanatizëm për pushtetet politike. Do të thotë që të nisë e shthuret gjithë piramida e kultit e bazuar në nevojën dhe klientelizmin partiak. Do të thotë të bjerë Berisha. Si kult. Sepse me drejtësi të pavarur nuk do jenë më partitë, liderët dhe pushtetet politike që do kontrollojnë jetët e njerëzve por do jenë njerëzit, zotër të fateve të tyre, që do kontrollojnë jetën e partive dhe pushteteve politike.

Related Articles

Comente

  1. Zoti Stefani ? A ia keni bërë pyerjen vetes : Sa njerëz ju lexojnë ?, kujtoni Ju se duke shprehur me fjalë inatçore mund të ndikoni ata që votojnë….?!, dukeni si “liliput” në përpjekjen për tu dukur.Provoni të hapni një rubrikë votimi për JU personalisht (m.q.se jeni aktiv në disa rrjete mediatike ato e kanë të lehtë këtë lloj testi) dhe do të verifikoni saktësisht se çfarë malli jeni…….Edhe njëherë, me dashamirësi ju them se jeni jashtë realiteteve.Mos kujtoni se më pëlqen “Berishizmi”, jo aspak.Por as modeli “Rama”, që ju financon juve nëpërmjet OJF-ve nuk më pëlqen.Është të paktën 100 herë më i keq se “Berishizmi”

  2. Nuk eshte faji i Saliut ose Bashes.Eshte faji i Fashizmit te sali Berishes i instaluar ne shqiperi.Mbrapa saliut eshte nje tjeter problem qe SHBA BE dhe NATO do ta zgjidhi shpejt

  3. FALEMINDERIT ZOTI STEFANI, PER AUTOPSINE QE I BENI NJE PERBINDESHI QE KA BERE NJEMIJE ENJE TE KEQIA NDAJ SHQIPERISE DHE SHQIPTAREVE DHE SESHTE NGOPUR AKOMA KY MOSTER. KA MBI NJE VITE QE DISKUTOHET PER NEVOJEN RGJENTE TE DREJTESISE DHE AKOMA SALIU, SESHTE DAKORD, ARESYEN QE E ZVARITE E DINE GJITHE SHQIPTATARET, PORE, SI GJITHNJE ARXHET I PAGUAN POPULLI, SE KY MOSTER KA MENDUAR PER VEHTE DHE PER FEMIJET E TI, QE I BERI MILJARDERE. NXJERJA NE CDO JAVE E KLECKAVE DHE PRETENDIMI PER VENDE TE REZERVUARA, SESHTE GJE TJETER, VEC SABOTIM I RREFORMES DHE PER TU TREGUAR SHQIPTAREVE SE LIGJI JAME UNE. BASHA, ESHTE ZEDHENES I TIJE, AI, VETEM KURE SHKON NE TUALET SMER LEJE NGA BERISHA, SE PER CDO GJE TJETER FLET NE EMER TE BERISHES. DOTE BEHET DREJTESI NE VENDIN TONE PER TI NDESHKUAR POLITIKABNET QE KANE SHKELUR LIGJET DUKE KRYE VEPRA PENALE, ADOTA SHIKOJME BERISHEN NE BANGON E TE AKUUAREVE, NGA NJE DREJTESI E RREFORMUAR, SE KJO E SOTMJA ESHTE NEN URDHERAT E TIJE, NE MOSE DEJURO, DE FAKTO. kURE DOTE NGORDHI KY MOSTER TE SHPETOIJNE SHQIPTARET………………….

Leave a Reply to Emigranti Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button