Home / Europa / Zvicra përuron tunelin më të gjatë dhe më të thellë në botë

Zvicra përuron tunelin më të gjatë dhe më të thellë në botë

Tuneli më i gjatë dhe më i thellë hekurudhor në botë pritet të përurohet zyrtarisht në Zvicër dhe të nisë nga përdorimi pas thuajse dy dekadash punime për ndërtimin e tij.

Tuneli me dy kalime të njëjta prej 57 kilometrash do të ofrojë lidhjen me tren të shpejtësisë së lartë nën Alpet zvicerane mes Veriut dhe Jugut të Europës.

Zvicra vet thotë se ky projekt do të revolucionarizojë transportin europian të mallrave. Kjo pasi mallrat që transportohen aktualisht përmes rrugëve nga rreth një milion kamionë në vit, tashmë do të kalojnë përmes këtij shërbimi të ri hekurudhor.

Tuneli zviceran tejkalon për nga gjatësia atë të Japonisë në Seikan, prej 53.9 km, ndërsa zbret në vendin e tretë tunelin në ngushticën e La Manshit prej 50.5 km që lidh Britaninë me Francën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, Presidenti francez, Francois Hollande, si dhe kryeministri italian, Matteo Renzi, do t’u bashkohen që të tre zyrtarëve zviceranë në ceremoninë e hapjes së tij.

“Ky tunel është thjesht pjesë e identitetit zviceran”, tha drejtori i Zyrës federale të Transportit, Peter Fueglistaler për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Për ne, pushtimi i alpeve ka qenë si hulumtimi i oqeaneve nga holandezët”.

Projekti ka kushtuar më shumë se 12 miliardë dollarë për t’u ndërtuar, ndërkohë që u miratua përmes një referendumi nga votuesit zviceranë në vitin 1992. Përgjatë udhëtimit në tunel, për rreth 2.3 kilometra atyre që do ta frekuentojnë do t’u duhet të kalojnë nën male dhe përmes shkëmbinjve që arrijnë temperatura deri në 46 gradë Celcius.

Inxhinierëve u është dashur të gërmojnë dhe të shpërthejnë 73 lloje të ndryshme shkëmbinjsh, disa tepër të vështira si graniti, ndërsa të tjera tepër të buta apo të imëta. Më shumë se 28 milionë tonë gurë janë larguar me ekskavatorë, ndërkohë që 9 punonjës humbën jetën gjatë këtyre viteve punime.

Leave a Reply

%d bloggers like this: