Te ndryshme

Holanda përdor shqiponjat për të rrëzuar dronët

Pas sulmeve terroriste që kanë frikësuar Europën, autoritetet ligjzbatuese kanë filluar të përdorin shpendë grabitqarë për të rrëzuar dronët fluturues

Duke rrahur krahët kundrejt erës, shqiponja lëviz krenare përgjatë një qielli me re, më pas manovron, hap më tepër krahët dhe pikas prenë e vet më poshtë. Shënjestra megjithatë, nuk është një shpend tjetër, por një dron i vogël dhe kur shqiponja e mbërthen, pajisja kthehet vetëm në një metal të pavlerë. Duke e mbajtur në sqep, grabitqari i kthehet tokës. Në një fushë aviacioni ushtarake në Holandë, shpendët grabitqarë si shqiponja po trajnohen për të përdorur instinktet e tyre në dobi të kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga dronët që po përhapen shumë shpejt. Grabitqari mëson të pikasë dronët e vegjël, nga ato që telekomandohen nga larg, pikërisht lloji që mund të sjellë rreziqe për avionët, të zbresin kontrabandë në burgje, të kryejnë mbikëqyrje dhe të fluturojnë në mënyrë të rrezikshme në evente publike. Mendimi i terroristëve që përdorin dronë i përndjek zyrtarët e sigurisë në Europë dhe gjetkë dhe mes atyre që panë demonstrimin në bazën ajrore Valkenburg ishte edhe Mark Wiebes, një shef detektiv në policinë holandeze. Wiebes i përshkroi testet si “shumë premtuese” dhe tha se subjekti i vlerësimit, grabitqarët me shumë gjasa do të përhapeshin shumë në Holandë, së bashku me masa të tjera kundër dronëve. Shërbimi Metropolitan i Policisë në Londër gjithashtu po merr në konsideratë trajnimin e shpendëve për të luftuar dronët.

Holandezët kanë eksperimentuar me metoda të tjera si ngatërrimi i sinjaleve të dronëve, kapja e tyre me rrjeta që hidhen nga dronë të tjerë më të mëdhenj ose qëllimi i tyre me saçme për t’i rrëzuar.

Grabitqarët kanë avantazhin se kanë mundësinë të ulin dronët në tokë në mënyrë të sigurt në vend që t’i shkaktojnë atyre përplasje, duke shkaktuar kërcënime për njerëzit poshtë.

“Kemi parë një numër incidentesh rreth fushave të aviacionit dhe në fund, duan të përgatitemi në rast se ndokush do të përdorë ndonjë dron për të kryer çfarëdolloj sulmi”, tha Weibes.

Ky kombinim i aftësive biologjike me shkencën më të fundit nuk duhet të jetë një befasi. Weibes thotë se teknologjia madje mund të evoluojë prej natyrës, e cila ka zgjidhur problemet e shumë brezave duke ofruar zgjidhje afërmendsh.

Burri që krijoi programin, Sjoerd Hoogendoorn, një këshilltar sigurie, e thotë më ndryshe: “Kryesisht, idetë më të çmendura funksionojnë më së miri”.

Hoogendoorn e mendoi programin në shtëpi ndërsa bënte kërkime për kërcënimet që vijnë nga dronët. Përmes një miku të përbashkët, ai kontaktoi Ben de Keijzer, një kujdestar shpendësh me një eksperiencë 25-vjeçare.

Pas provave fillestare dy burrat formuan një kompani me bazë në Hagë të quajtur Guard From Above (Rojë nga Lart) dhe ata iu ofruan policisë holandeze në fund të vitit 2014. Autoritetet panë një mundësi të përdornin zgjidhje të lehta ndaj problemeve të mëdha teknologjike. Hoogendoorn mendon se dronët mund të përdoren për shumë gjëra pozitive dhe të mira, por edhe për gjëra të këqija gjithashtu.

Për shqiponjat e tij, shpërblimi për një mision të suksesshëm është një copë mishi dhe ato arritën ta përmbushin detyrën pavarësisht erës – që kujdestarët thonë se krijon një problem më të madh për dronët sesa për shpendët.

Shqetësime janë ngritur se shpendët mund të goditen dhe lëndohen seriozisht nga helikat e dronëve. Hoogendoorn thotë se siguria e shpendëve është një prioritet kryesor dhe se kthetrat e grabitqarëve arrijnë t’i mbrojnë ata, megjithatë po punohet për t’i ofruar atyre më shumë mbrojtje.

Weibes thotë se masat e sigurisë mund të përfshijnë ndonjë formë si të dorezave për kthetrat. Hoogendoorn thotë se interesi i tij në çështjet e sigurisë është thelluar nga një mundësi për të vizituar Nju Jorkun gjatë javës së sulmeve të 11 shtatorit 2001.

“Pati një ndikim shumë të madh tek unë si vizitor”, tha ai. “Kam pritur për shansin tim. Mendoj se është një mënyrë e mirë për ta bërë botën një vend pak më të sigurt”.

Iniciativa ka një afat kohor për shkak të numrit të incidenteve me dronë në Europë. Në Francë, dronë u gjendën pranë një stacioni bërthamor në vitin 2014. Në të njëjtin vit në Britani një burrë u gjobit pasi humbi kontrollin e një pajisjeje pranë një ndërtese bërthamore nënujore.

Në vitin 2015, një tjetër britanik u ndoq penalisht, pasi ngriti një dron mbi stadiume sportive dhe atraksioneve turistike. Në Holandë, pothuajse pati një përplasje mes një droni dhe një avioni në aeroportin e Amsterdamit në prill, një episod që duket se ndodh shpesh.

Në janar, një dron u pikas ndërsa fluturonte shumë pranë zonës ushtarake Tornado në Skoci. Muajin e ardhshëm pranë aeroportit të Londrës një dron u përfshi në një incident me një avion pasagjeres Airbus A320 ku kapiteni tha se rreziku i përplasjes qe i lartë.

Britania gjithashtu ka ndaluar fluturimin e dronëve pranë burgjeve. 33 raste të tilla ndodhën në vitin 2015 krahasuar me vetëm dy raste në vitin 2014. Në dhjetor, drogë, një celular, një karikues dhe një USB u gjendën në një dron të hedhura në një burg në Britani.

Alan McKenna, një profesor i Juridikut në Universitetin Kent mendon se shtimi i shpendëve grabitqarë kundër dronëve reflekton shqetësime në rritje në Europë. Por gjithashtu në të gjithë botën autoritetet po i peshojnë këto rreziqe që vijnë nga objektet e vogla fluturuese duke krijuar një legjislacion më të sigurt të lejimit dhe ndalimit të tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button