Te ndryshme

Mënyra se si të përmirësojmë kujtesën

Gjithmonë lind nevoja për ndihmë kur vjen puna për të përmirësuar teknikën e të mësuarit apo për të kujtuar diçka. Më poshtë është një listë me këshilla që mund t’ju ndihmojnë gjatë provimeve si dhe gjatë përditshmërisë suaj

Pothuajse të gjithëve mund t’ju ketë ndodhur të harrojnë diçka të një rëndësie të veçantë, shpesh pas ndonjë minute, pavarësisht se më pas jeni përpjekur ta kujtoni me ngulm. E vërteta është se një mendim i këtij lloji mund të jetë zhdukur nga kujtesa juaj, për faktin se ai nuk ia ka arritur të kalojë në kujtesën afatgjatë. Pra të gjitha mendimet, datat dhe konceptet që qëndrojnë në kujtesën afatshkurtër pa ia arritur të kalojnë në kujtesën afatgjatë, janë të destinuara që të zhduken në një kohë shumë të shkurtër. Por gjithsesi mos u fiksoni, ekzistojnë shumë metoda për të përmirësuar kujtesën…

“Zhytja” në natyrë

Një studim i kryer nga Universiteti i Miçiganit ka zbuluar se, kontakti i drejtpërdrejtë me natyrën ndihmon në përmirësimin e kujtesës. Dy grupe studentësh, gjatë përgatitjes së një provimi, iu nënshtruan një testi të veçantë. Një nga grupet shëtiti në një pyll gjatë momenteve të studimit, ndërsa tjetri vijoi me zakonin e të mësuarit në shtëpi ose në vende publike. Në momentin e dhënies së provimit, grupi i cili studioi në natyrë, pati rezultate më të mira. Shkaqet e këtij fenomeni duhen kërkuar te fakti se kujtesa jonë është selektive dhe zgjedh për të memorizuar veçanërisht kujtime të pëlqyeshme.

Përsëritni, përsëritni dhe përsëritni!

Disa shkencëtarë kanë llogaritur se një mendim qëndron në kujtesën afatshkurtër, për një kohë të shkurtër (18 sekonda) përpara se të fillojë të zhduket. Ndaj nëse ju duhet që të fiksoni një numër, një adresë, ose një email në vend që ta përsërisni pa pushim, përsëriteni çdo 15 sekonda derisa ta shkruani në një copë letër ose ta fiksoni në kujtesën afatgjatë.

Mënyra e fjalëve “çelës”

Kjo metodë është shumë efikase kur duhet të mësoni fjalë të një gjuhe të re. Ajo konsiston në marrjen e një fjale të re dhe në “lidhjen” e saj me diçka që tashmë e njihni dhe është e ngjashme me të.

Përsëritja me zë të lartë

Nga disa studime është vërtetuar se përsëritja me zë të lartë ose edhe murmuritja ka efekte shumë pozitive në kujtesë, duke ndihmuar në fiksimin e koncepteve. Por duhet saktësuar se ky përfitim vjen nga efekti kontrast që krijohet nga përsëritja me zë të lartë, ndaj është më mirë që në këtë mënyrë të përsërisni vetëm konceptet më të rëndësishme ose përndryshe përfitimet do të jenë minimale.

Gjestikulacionet ndihmojnë shumë

Një mënyrë tjetër për të mbajtur mend atë gjëra që mësoni për provime është edhe ajo e aplikimit të gjestikulacioneve (lëvizjet e trupit). Në këtë mënyrë do të aktivizohet kujtesa vizive që do t’ju ndihmojë të kujtoni konceptet duke u bazuar pra te lëvizjet e ndryshme të trupit.

Vendi është i rëndësishëm

Në fakt, vendi në të cilin mësoni diçka është shumë i rëndësishëm për fiksimin e një koncepti, sepse aq më mirë do të mund të “ndërtoni” mendërisht atë vend dhe konceptet e studiuara.

Memorizoni pa shpërqendrim

Pavarësisht se janë të shumtë ata që thonë se ia dalin të studiojnë të rrethuar nga zhurmat, televizori i ndezur, muzika apo ndonjë gjë tjetër, kjo nuk është e vërtetë. Është vërtetuar se studimi në kushte të zhurmshme, çon lehtë në shpërqendrimin për të fiksuar saktë informacionet.

Aromat, miqtë e kujtesës

Çuditërisht aromat janë efekti më i mirë për të mbajtur mend informacione apo ngjarje të ndryshme. Kjo sepse shqisat e tjera janë të detyruara të fokusohen në zona të tjera të trurit. Një mënyrë e mirë për të marrë rezultate të mira gjatë sezonit të provimeve është mbajtja pranë e një filxhani kakao.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button