Libri

Sussana Tamaro, një vetmitare e përjetshme

Ajo është një ndër shkrimtaret italiane më të njohura në botë, e megjithatë dëshiron të jetojë larg botës mondane. “Mbretëria” e saj është një fermë në Umbria, me kafshë të ndryshme, nën shoqërinë e “të bekuarës vetmi”. Këtu ajo shkruan bestsellerët e saj dhe ushtrohet për kanto, por mbi të gjitha “shkon atje ku e çon biçikleta…”. Bota e brendshme dhe e jashtme e një shkrimtareje që nuk njeh kufij. Mjafton vetëm një frazë për të kuptuar se kush është ajo: “Qëndro pa lëvizur, në heshtje dhe dëgjo zemrën tende. Kur ajo të ketë folur, ngrihu dhe ndiqe nga pas”. Takimi me të mund të kishte ndodhur poshtë gjetheve të “Pemës së madhe”, që është e njëjtë me titullin e një prej përrallave më të arrira të Susanna Tamaros, shkrimtares italiane bestseller, e cila ka kapërcyer kufijtë kombëtarë, me miliona kopje të shitura nëpër botë, me librin “Va’ dove ti porta il cuore”. Pema në fjalë ekziston me të vërtetë, dhe qëndron si mbi një fron, mbi një kodër në një fshat të Umbrias, duke u përballur e vetme me përditshmërinë, gati-gati, një revolucion personal, i ardhur ky bashkë me suksesin, që padyshim e kanë ndryshuar atë. E megjithëse suksesi e ka çuar shumë lart, ajo ka zgjedhur të jetë” një fshatare, që herë pas here i dedikohet shkrimeve”, duke u inspiruar veçanërisht nga natyra që e rrethon. Një Tamaro befasuese, e cila në këtë intervistë deklaron haptazi temat e të ardhmes së saj, (edhe ato letrare), të cilat i janë dedikuar kopshtarisë, kafshëve, drurëve frutorë… dhe shumë biçikletë!

Ajo është pema me të cilën thonë se keni rënë në dashuri?

Pikërisht ajo!  Një plakë, e cila rri heshtur dhe vështron gjithçka nga kodra e saj dhe po prej andej ka parë edhe ardhjen time ne këtë fermë. Kush e di sa të tjera do të shikoj që prej atje lart…

Do të donit ta dinit?

Është pjesë e kuriozitetit tim “të natyrshëm”!

Meqenëse po flasim për pemët dhe natyrën, them ta fillojmë me to bisedën.

Më duket një fillim i mbarë…

E prisnit të fillonte kështu?

Doni të thoni që jam parashikuese?!

Mund të them se ju shoh të përfshirë në pasionet e tua?

Është pikërisht kështu. Po e marr si kompliment!

Me kalimin e kohës jeni kthyer në një shkrimtare “të natyrës”. Librat tuaj të fundit të japin përshtypjen e “terapive natyrore”. Çfarë ju ka bërë kaq të ndjeshme ndaj natyrës?

Nevoja për të jetuar me kafshët. Të qëndruarit në kontakt me tokën. E ndieja se më mungonte kjo gjë. E kam kërkuar dhe dëshiruar dhe me zgjedhjen që kam bërë këto 20 vitet e fundit, mendoj se ia kam arritur.

A nuk ngjan e gjitha kjo, si një kthim pas në jetën tuaj të vitit 1968?

Jo! Besoj se ky pasion i imi është më i hershëm se ajo periudhë që unë kam jetuar në Romë. Që kur kam lindur, janë rritur brenda meje ndjeshmëritë kundrejt çdo gjëje natyrore që më rrethon.

Për këtë arsye ke ngritur një parajsë tënden, si kjo fermë këtu në Umbria, me kafshë, qetësi dhe lumturi?

Kam jetuar dhe unë për 32 vite me radhë në qytet. E njoh ritmin atje, por përherë dija si të gjeja mes hapësirave publike, një formë për të qenë në kontakt me natyrën. Kisha për shembull,  një ballkon shumë të vogël në shtëpinë time në Romë, që ishte plot me lule, ose shkoja nëpër parqe. Mund të gjesh copëza të natyrës, edhe nëse jeton në qendër të Milanos apo Romës. Mjafton t’i kërkosh!

Ju shoh të rrethuar nga gomerë, pula, lepuj etj. Së fundmi, në shtyp, keni mbajtur disa qëndrime dhe për ketë jeni quajtur “animaliste fundamentaliste”, pasi e keni përkufizuar industrinë ushqimore të mishit si “krimin më të madh të këtyre kohërave”. Nuk ju duket e gjithë kjo pak si shumë e ekzagjeruar?

Absolutisht, jo! Për shumë vite kam qenë vegjetariane, por më pas, për arsye mjekësore dhe fizike jam detyruar të konsumoj çdo ushqim. Nuk jam një animaliste fundamentaliste, por besoj që cilësia e të ushqyerit tonë, duhet të jetë në raport me “masën”. Për të ushqyer një lopë duhet një sasi e madhe foragjere dhe po e njëjta sasi mund të ushqente shumë persona. Në këtë mënyrë, të ngrënit e mishit me masë, përveçse është kujdes dhe respekt ndaj shëndetit, është edhe respekt ndaj kafshëve, sepse ndihmon ekuilibrimin e padrejtësive ushqimore. Për kafshët e mia kujdesem unë personalisht. Jeta në fshat kërkon që t’i bësh duart pis vazhdimisht. Lopët që ushqehen në fushat e mia, në fakt, janë të fqinjit tim. Vitin e ardhshëm mendoj të merrem me prodhimin e mjaltit.

Cili është ndryshimi ndërmjet njerëzve dhe kafshëve?

Kafshët kanë një pafajësi, të cilën ne njerëzit nuk e kemi!

Kam dëgjuar që shpesh ju pëlqen të uleni në rrënjët e një peme të madhe; imazhi klasik për një shkrimtare?

Aspak. Pemët nuk ndjekin modën. I dua pemët pikërisht, sepse janë metafora e meshkujve.

Pemët ju inspirojnë?

Shumë dhe duke i vëzhguar me kujdes kam kuptuar shumë gjëra. Sforcohem në të vëzhguarit e gjërave, më shumë sesa në të menduarit për to.

Nëse do t’ju thosha se “Italia është vend i bukur”, si do të reagonit? 

Në mënyrë instiktive më vjen përpara një vend i masakruar, ku sot, mrekullitë tona janë në duar të një bande çakejsh, të cilët më terrorizojnë.

Të gjithë predikojnë të mirën, por kur vjen puna te të ndryshuarit e stilit të jetës e dimë se si shkon…

Për këtë kam besim të madh te fëmijët, d.m.th tek ata breza që kanë një ndërgjegje të pastër.

Në një moment të karrierës tuaj u duk sikur ju u tërhoqët nga bota. Përse?

Kur arrita majën e suksesit, u detyrova të zgjedh nëse do vazhdoja rrugën e bujës mediatike, apo atë të të pasurit një jetë “normale”.  Zgjodha pa asnjë mëdyshje dhe pendesë këtë normalitetin tim.

Ndërrojmë bisedë dhe flasim për temat sociale. Librat dhe filmat tuaj janë dritare për botën. Çfarë mendon për ketë botën tonë?

Një botë shumë komplekse, e projektuar për të ecur përpara, por me një delir teknologjik që mund të bëhet i pakontrollueshëm, ndërkohë që njeriu është ende shumë primitiv. Një botë në të cilën njerëzit kanë kurajë të shohin brenda vetes.

Ka më shumë arsye apo ndjenjë në ato që shkruani? 

Them se të dyja…(qesh).

Cila është gjëja që urreni më shumë nga shoqëria e sotme?

Të nxituarit  dhe ligësia  pakufi që sot e gjen në të gjitha fushat…

E ke fjalën për Italinë?

Kur flas për vendin tim, ndiej një dhimbje të madhe, sepse shoh  një vend të lodhur dhe të pasiguritë. Është një Itali e gjendur nën zgjedhën e shkatërruesve të shoqërisë.

Si i gjykoni ata që të kritikojnë dhe ata që të vlerësojnë?

E kam të vështirë t’i gjykoj kritikët letrarë, të cilët më gjykojnë pa lexuar asnjë nga librat e mi. Atyre që më duan, dhe që janë shumë, u them thjesht: Faleminderit!

Nëse për të ndryshuar gjërat duhet të jesh brenda, përse e refuzuat ftesën për të marrë pjesë në politikë në 2008?

Sepse nuk kisha dhe nuk kam atë ligësi, që është aq e domosdoshme për të hyrë në politikë.

Ndiheni e lirë dhe në një vend të lirë?

Kam luftuar gjithmonë për të qenë një qenie e lirë në të gjitha kuptimet dhe qeniet e lira shpesh janë të vetmuara. Unë jam vetëm!

Sa i përket politikës, e majta italiane duket se nuk e ka qejf figurën tuaj, e djathta mban qëndrim të ftohtë. Ju ku e shihni veten?

Në asnjërën prej tyre. Unë jam kristiane dhe ky është i vetmi pozicionim i imi.

Kur e kuptuat se ishit ngjitur në Olimpin e letërsisë?

Kur për tre vite me radhë kam qenë e para në renditje, me librin “Va dove ti porta il cuore” (Shko ku të çon zemra).

Një “e vetmuar” me famë botërore…?

Suksesi ka qenë prova dhe tundimi më i madh i jetës time, të cilit jam përpjekur t’i jap përgjigje.

Kur u përballet me këtë tundim?

Kur kuptova se nuk doja të isha viktimë!

Cili ka qenë zhgënjimi juaj më i madh?

Profesional? Ka qenë libri im “Anima mundi”. Një krijim tek i cili besova shumë dhe për të cilin kritika më goditi dhunshëm, megjithëse nuk e lexoi kurrë atë.

Gëzimi më i madh?

Të ec me biçikletë.

Libri i ardhshëm për të cilin mendoni apo jeni duke punuar?

Më ka ngacmuar një ide: mund të jetë një tregim për botën e kopshtarisë!

Kam dëgjuar që jeni edhe piktore. Siç jeni shkrimtare, regjisore, shkruese tekstesh për këngë, karikaturiste, fshatare… pothuajse gjithçka?

Nuk jam piktore. Më pëlqen të vizatoj gjatë ditëve me shi. As karikaturiste, as fshatare. Jam thjesht dikush që jeton në fshat dhe që kujdeset plot kureshtje dhe dashuri për botën që e rrethon. E di që mund të këndoj mirë dhe për këtë jam duke studiuar.

Mos më thuaj që së shpejti do dëgjojmë Tamaron në Sanremo?

Jo, tamam në Sanremo, sepse studioj për kanto lirike. Ndoshta në një koncert të Liede ose muzikë fetare.

“Zot”, “shpirt”, “jetë” dhe “vdekje” janë tema shumë të shtrenjta për ju. Cila është marrëdhënia juaj me to?

Me Zotin jam në një marrëdhënie kërkimi dhe diskutimi të vazhdueshëm. Me vdekjen jam kurioze të di ç’ndodh më pas, por është një kuriozitet që me shumë dëshirë, do ta shtyja për një kohë shumë të largët…

Në librat e tu, flet shpesh për raportet familjare. Si mundet një grua poliedrike si puna juaj të flasë për nënat, baballarët dhe fëmijët, kur nuk ka një familje të sajën, në kuptimin tradicional të fjalës?

Është talenti për të identifikuar veten, në historitë e të tjerëve.

“Fëmijët dhe baballarët” janë fjalë që përdoren shpesh në shkrimet e tua. Kur keni qenë e vogël jeni braktisur nga babai. Si e përjetuat dhe e kaluat ketë?

Nuk shërohesh dot kurrë nga një eksperiencë e tillë. Fëmijët presin përkujdesje dhe mbrojtje nga prindërit. Të martohesh, do të thotë të bësh një betim dhe unë këtë betim nuk e kam bërë kurrë, sepse jam një shpirt shumë vetmitar dhe i dhënë pas soditjes së jetës.

Mistike me pak fjalë?

Po.

Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje të bëheni murgeshë?

Kurrë. Por nëse do të ndodhte, do isha bërë një ndjekëse e Shën Benediktit. E dua Shën Benediktin dhe ndihem shumë pranë botës së tij.

Gjendja aktuale shpirtërore?

Pezull! Ndjej se kam mbyllur një cikël të madh kreativ, i cili arriti kulmin me librin tim të fundit. Unë lodhem shumë kur shkruaj. Mund të kalojnë edhe vite nga njëri libër në tjetrin, pasi më duhet kohë ta marr veten, përpara se të filloj një libër të ri, dhe pasi e kam arritur këtë gjë, filloj të kërkoj brenda vetes zbulimin e horizonteve të reja, drejt të cilave duhet të fokusohem.

Çfarë shprese ka brenda teje?

Do të më pëlqente të krijoja një vepër për agrikulturën, fshatin, kopshtin dhe kafshët e mia, gjërat të cilat sot i jetoj me dëshirën më të madhe.

Kur dhe ku Susanna Tamaro gjen qetësinë shpirtërore?

Kur eci me biçikletë, kur jam mes drurëve frutorë ose me kafshët e mia.

Çfarë do ju ndikonte për të mos e arritur këtë gjendje?

Më lër të mendohem….Mmm…asgjë nga këto që kam. Kjo është një gjendje qetësie shpirtërore, tokësore. A s’mendoni dhe ju kështu?

Në çfarë besoni?

Te Triniteti!

Cila është ajo gjë të cilën e quani dobësi te vetja?

Pothuajse asgjë. Jam e ashpër me veten.

Nga çfarë nuk do të hiqnit dorë?

Nga biçikleta.

Nga çfarë ju vjen turp?

Budallallëku!

Çfarë ju tërheq?

Arroganca.

Cila është merita juaj më e madhe?

Të pasurit e një karakteri të fortë.

Nëse “lumturia është një formë e të jetuarit” ju si e shikoni?

Si forma ku here pas here njeriu takohet me vetveten.

Keni menduar se ç’do të ngelet pas Susanna Tamaros?

Librat dhe dashuria e njerëzve me të cilët kam jetuar.

Keni menduar të shkruani një libër për vdekjen?

Jo, por vdekja është shumë e pranishme në librat e mi.

A ka kuptim thënia “Përgjithmonë”, e cila është edhe titulli i librit tuaj të parafundit, nëse mbi tokë gjithçka është e destinuar të vdesë?

Po. Dashuria mbetet përgjithmonë. Ajo është e përjetshme.

Libri që ju pëlqen më shumë?

Bibla.

Po libri që do të na rekomandonit?

I njëjti.

Libri që nuk mundët ta përfundonit së lexuari?

“Uliksi”, i Joyse.

“Urtësi”, çfarë do të thotë për ju?

Të jetuarit në dituri.

Personazhi që ju pëlqen më shumë?

Shën Benedikti.

Po ai që ju përfaqëson më së miri?

Mary Popins..

Keni mundësinë të shkruani kapitullin e fundit të jetës tuaj. Si do ta imagjinonit?

Në shtëpinë time, e rrethuar nga njerëz që më duan dhe që luten për mua…(hesht). Ndoshta duke parë atë pemën e madhe që mbizotëron plot qetësi mbi atë kodër dhe që tani është duke na dëgjuar. Sa vdekje e bukur do të kishte qenë!

Përktheu: Eglantina Lanaj

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button