Kronika

Përgjimet, Prokuroria i çon kërkesë palës italiane

Në kohën kur 3 zyrtarët e lartë të policisë i janë drejtuar Gjykatës së Apelit duke kundërshtuar masat e  sigurisë, Prokuroria e Tiranës i ka dërguar letërporosi Ministrisë italiane të Drejtësisë me kërkesën për t’u informuar mbi pajisjen përgjuese “IMSI Catcher”.

Burime pranë organit të hetimit i thanë Top Channel se, prokurorja Anisa Qilimi kërkon t’i vihen në dispozicion përmes Ministrisë italiane të Drejtësisë të dhëna konkrete mbi programin trajnues dhe qëllimin e këtij trajnimi policor dypalësh.

“Cilët janë oficerët italianë të ngarkuar me këtë detyrë, – pyet prokurorja Qilimi dhe – A posedohet aktualisht pajisja ‘IMSI Catcher’ nga pala italiane?”.

Kërkesat e prokurorisë vijnë në kohën kur misioni “Interforce”, i pyetur përmes Ambasadës, nuk ka kthyer ende përgjigje se ku ndodhet kjo pajisje, për të cilën ka dyshime se ka hyrë në Shqipëri në mënyrë të paligjshme dhe që mund të jetë përdorur për përgjime po në mënyrë të paligjshme.

“Ne kemi informacione – tha një burim i Prokurorisë, – se pajisja është futur edhe në një burg në Tiranë pa lejen dhe dijeninë e Prokurorisë për të gjurmuar telefonatat e disa të dënuarve me precedentë kriminalë të rrezikshëm”.

Në fakt përdorimin e  saj – shtuan burimet, – për të zbuluar grupe të dyshuarish e ka konfirmuar edhe drejtori i Përgjithshëm Haki Çako, i cili kur është pyetur nga Prokuroria ka thënë se në një rast kanë gjurmuar telefonatat e Vladimir Gjutës, një personazh për të cilin Krimet e Rënda i pushuan hetimet.

Ndërkohë, pajisjet e sekuestruara të martën janë në pritje edhe të ekspertizës që do të kryhet në laboratorët e Kriminalistikës së Policisë së Shtetit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button