IntervistaPolitika

Mesazhet e fundit të Helmut Hoffman dhe çfarë do të mbajë mend nga Shqipëria

Në intervistë me DW, ambasadori gjerman, Hellmuth Hoffmann para largimit nga Tirana thekson, se ai shpreson shumë që të gjithë të njohin përgjegjësitë e tyre dhe të miratojnë në Parlament reformën e Drejtësisë.

Ambasador Hoffmann, Ju keni plotësuar kohën e detyrës Tuaj në Tiranë dhe pas disa ditësh do të riktheheni në Berlin. Si do të mund t’í shihnit në tërësi vitet që keni kaluar në Shqipëri si Ambassador i RFGJ-së?

Hellmut Hoffmann: Ishin tre vite të bukura, interesante por edhe të ngarkuara me punë, të cilat do t’i kujtoj me kënaqësi. Të bukura sepse mua dhe bashkëshortes sime na ka pëlqyer së tepërmi jeta këtu dhe se ne i kemi njohur dhe vlerësuar shqiptarët si njerëz shumë miqësorë dhe të dashur, ku duhet të themi që simpatia jashtëzakonisht e madhe që gjermanët dhe Gjermania gëzojnë në Shqipëri, na ka prekur shumë. Interesante dhe të ngarkuara me punë ishin këto tre vite, pasi Shqipëria është një vend në një proces të shpejtë transformimi, që është nisur në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe Gjermania e mbështet në mënyrë intensive këtë proces, qoftë përmes bashkëpunimit tonë të gjerë ekonomik, qoftë përmes konsulencës, që përpiqemi të ofrojmë, sikurse mund të jetë rasti i rëndësisë së reformës në drejtësi. Ndaj kam pasur gjithnjë ndjesinë e mirë, se jam duke bërë një detyrë të dobishme dhe me rëndësi.

Pse ju zgjodhën pikërisht Juve për pozicionin e Ambasadorit në Tiranë? A mund të tregoni diçka për backgroundin personal?

Hellmut Hoffmann: Përvec një angazhimi të shkurtër në Zagreb përpara 20 vitesh nuk kisha asnjë lloj përvoje tjetër me rajonin. Për shumë vite rresht jam marrë me çështje të politikave të sigurisë dhe kontrollit të armëve dhe këto, në fakt, janë përvoja të dobishme në Ballkan. Në marrjen e vendimit për të më dërguar në Tiranë ka luajtur rol me siguri edhe fakti, që unë kam formim prej historiani, pasi disi më tepër këtu në rajonin e Ballkanit, me gjurmë dhe karakteristika kaq të forta të një historie të ndryshueshme nuk do të ishte keq një qasje historike me zhvillimet.

Cilat ishin reagimet e para nga Ju dhe znj. Hoffmann kur mësuat se ishit emëruar në Shqipëri?

Hellmut Hoffmann: Ne dinim shumë pak për Shqipërinë çfarë dinim nuk ishte e ndikuar domosdoshmërisht nga stereotipe pozitiviste, sikurse arritëm të kuptonim pak kohë pas mbërritjes sonë këtu. Po përmend vetëm një shembull: ne e kishim përfytyruar Tiranën si një ndër qytetet më të trishtuara të shteteve ish-komuniste, kështu që – të flasim hapur – fillimisht nuk ishim aq të entuziasmuar për faktin se duhej të vinim në Shqipëri, ndaj edhe mbetëm plotësisht të befasuar nga imazhi modern i qytetit, gjallëria e tij, ofertat kulturore dhe numri i shumtë i kafeneve dhe restoranteve, thënë shkurt, nga cilësia urbane e qytetit. Pastaj këtu duhet shtuar se në një deri dy vitet e fundit në Tiranë, ashtu sikurse në të gjithë vendin, është përmirësuar shumëçka: vende të shëmtuara të krijuara në kaosin e dekadave të fundit janë eleminuar dhe u është dhënë një formë e re. Kjo do ta ndryshojë pozitivisht përshtypjen, që vizitorët marrin nga Shqipëria drejt vendeve të tyre dhe do të kontribuojë në rrëzimin e klisheve negative. Unë dhe bashkëshortja ime bëjmë pjesë tani në atë rreth personash për të cilët thuhet, që kanë ardhur me lot në sy dhe po largohen me lot në sy.

Atëhere cilat janë ndryshimet më të mëdha që pësoi perceptimi juaj për Shqipërinë, dua të them nga muajt e parë kur sapo filluat detyrën tuaj dhe tani që e përfunduat atë?

Hellmuth Hoffmann: Krahas asaj që përmenda më sipër dëshiroj të shtoj dy pika të tjera të rëndësishme për mua: unë gjithnjë e kam promovuar Shqipërinë lidhur me faktin që ajo na sjell të gjithëve në vëmendje me vetëdije dhe krenari, se në çfarë raportesh harmonie dhe tolerance bashkëjetojnë këtu të krishterët e myslimanët, të organizuar në komunitetet përkatëse fetare dhe mua më gëzon fakti, që ky element është duke u perceptuar gjithnjë e më shumë në vendin tim. Po kaq i rëndësishëm është për mua roli i moderuar dhe ekuilibrues që Shqipëria luan në rajon, ku ajo angazhohet për bashkëpunimin në mënyrë mjaft të vlerësuar ndër të tjera edhe në kuadër të Procesit të Berlinit. Që të dy këto aspekte do të ndikojnë në një perceptim më pozitiv të Shqipërisë.

Çfarë do kujtoni si sfidën dhe arritjen tuaj më të madhe gjatë tri viteve të detyrës suaj si Ambasadori gjerman në Tiranë?

Hellmuth Hoffmann: Së pari do të doja të përmendja reformën në drejtësi. Pak kohë pas nisjes së detyrës në verën e vitit 2013 kisha dalë në përfundimin se një refomë rrënjësore në drejtësi – dhe me këtë nënkuptoj para së gjithash dhënien fund të korrupsionit, për fat të keq aq shumë të përhapur dhe jashtëzakonisht të dëmshëm për vendin – nuk do të ishte kurrsesi e një rëndësie të mbivlerësuar për Shqipërinë – për zhvillimin ekonomik dhe përafrimin e saj me BE-në. Ndaj është kënaqësi e madhe të shoh se me sa energji është çuar përpara kjo reformë, që – të shpresojmë – do të miratohet shumë shpejt.

Së dyti, një temë me të cilën jemi marrë intensivisht prej fillimit të vitit 2014 ka qenë emigrimi për qëllime azilkërkimi drejt Gjermanisë, një fenomen që i tejkaloi të gjitha masat. Shpresoj që tani të gjithë në Shqipëri ta kenë kuptuar, që në Gjermani nuk ka azil për emigrantë ekonomikë. Për mua ishte e qartë që në fillim se shqiptarët në Gjermani nuk kërkonin azil, por një jetë më të mirë. Ndaj është me rëndësi maksimale që këtyre njerëzve t’u jepet shpresa për një jetë më të mirë këtu në Shqipëri dhe mua më gëzon fakti që ne kontribuojmë në këtë drejtim prej dekadash përmes shumë projektesh – nga rikonstruksioni i linjave të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, përmes furnizimit me energji elektrike dhe deri te arsimi profesional, për të cilin unë jam angazhuar në mënyrë të veçantë. Nisur prej angazhimit tim të brendshëm për mua ishte një kënaqësi tjetër të konstatoj që prej datës 1.1.2016 për të gjithë shqiptarët është lehtësuar aksesi ligjor në tregun gjerman të punës dhe ata që duan të dinë si funksionon, mund t’i gjejnë informacionet në faqen e internetit të Ambasadës Gjermane në Tiranë.

Dhe në fund dëshiroj të përmend përballjen me historinë e diktaturës komuniste në Shqipëri, për rëndësinë e së cilës kam pasur rastin të shprehem në shumë raste, gjë që në përshtypjen time ka ndikuar që kjo temë e rëndësishme të shkojë më përpara.

Koha e kryerjes së detyrës së ambasadorit të RFGJ-së në Tiranë, përkoi edhe me forcimin e marrdhënieve midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, që arriti kulmin vitin e kaluar kur kancelarja Merkel vizitoi Tiranën, e para vizitë e këtij niveli në Shqipëri. Çfarë do të mbetet për Ju e paharrueshme nga ajo vizitë?

Hellmuth Hoffmann: Thuhet herë pas here, me plot të drejtë, që marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera. Por me siguri është diçka krejtësisht e veçantë, nëse gjatë mandatit tënd ndodh që të kryhet vizita – historikisht – e parë dypalëshe e drejtuesit të qeverisë tënde në vendin pritës. Mua – por jam i bindur, edhe Kancelares Federale Merkel-do të më mbetet ndër kujtimet më të mira pritja tejet e përzemërt, që iu rezervua asaj në Tiranë – duke nisur që nga njerëzit e shumtë, që ishin dyndur në rrugë, tek bisedat me drejtuesit e politikës shqiptare dhe deri në Konferencën e Ekonomisë Gjermani-Shqipëri. Madje përgjithësisht mund të thuhet që frekuenca e vizitave është rritur. Shumë personalitete shqiptare kanë qenë në Gjermani dy-tre vitet e fundit. Në mënyrë të veçantë kujtoj vizitën e Kryeministrit Rama në Berlin në datën 01.04.2014, ku unë pata nderin, që rrallëherë në praktikën gjermane u bëhet ambasadorëve, të merrja pjesë personalisht. Gjatë bisedave të atëhershme Kancelarja Federale e vuri theksin në nevojën urgjente për një reformë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, që gjeti një jehonë tejet pozitive prej palës shqiptare, sikurse mund të shihet edhe sot. Për sa u përket vizitorëve gjermanë në Shqipëri, po kujtoj këtu në mënyrë ekzemplare vizitën e para pak javëve të funksionarit të dytë më të rëndësishëm të Gjermanisë, Presidentit të Bundestagut Gjerman Norbert Lammert, dhe natyrisht është një mbyllje mjaft e bukur për mua personalisht, që vetë eprori im, Ministri i Jashtëm Federal Frank-Walter Steinmeier, mbërrin në Shqipëri pikërisht ditën e fundit të punës sime këtu, më 14 qershor, për të zhvilluar biseda politike dhe unë do të kem nderin e fluturimit të kthimit drejt Berlinit në të njëjtin avion qeveritar me Ministrin.

 A ju vjen keq që përfunduat detyrën si Ambasador në Tiranë pa parë miratimin e Reformës në Drejtësi, që siç ju sapo thatë, përbën një nevojë urgjente, një nga reformat më të rëndësishme për Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, njëherazi e mbështetur fort nga Gjermania dhe BE-ja?

Hellmuth Hoffmann: Unë jam angazhuar me forcë në mbështetje të reformës në drejtësi si dhe për faktin, që forcat politike relevante të gjejnë kompromise objektivisht të arsyeshme për një numër mjaft të vogël çështjesh të mbetura hapur. Propozimi i shtruar në tryezë nga Komisioni Ad Hoc i Reformës në Drejtësi është një produkt i punës së juristëve evropianë dhe amerikanë, bashkarisht me ekspertët shqiptarë, i cili ka marrë edhe miratimin e Komisionit të shumëvlerësuar të Venecias. Në Parlament dhe në komisionin parlamentar përkatës ka pasur raste të ndryshme për diskutime të hollësishme. Më shumë se kaq, vështirë se mund të bëhet në një proces të tillë kaq kompleks reformash, ndaj shpresoj shumë që të gjithë të njohin përgjegjësitë e tyre dhe të miratojnë këtë propozim në parlament, sepse vetëm me miratimin e reformës në drejtësi Shqipëria ruan mundësitë e saj për të marrë një rekomandim nga Komisioni Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE-në. E sigurtë është që përmbylljen- shpresoj të suksesshme – të këtij projekti të rëndësishëm do të kisha dashur ta përjetoja këtu në vend, por natyrisht që edhe nga Berlini do të ndjek me të njëjtën vëmendje mënyrën se si do të vijojnë gjërat.

 Cilat janë gjërat më të mira që Ju keni përjetuar në Shqipëri, ato që do t’ju thërresin të ktheheni këtu një ditë?

Hellmuth Hoffmann: Njerëzit e dashur dhe bukuria e natyrës. Ne kemi shëtitur në fakt shumë në Shqipëri, por ka disa kënde që nuk kemi arritur t’i njohim, dhe që i kemi lënë për vizitat e ardhshme

A ka pasur edhe gjëra që Ju nuk i keni pëlqyer kaq shumë? Nëse po a mund t’i thoni?

Hellmuth Hoffmann: Dy gjëra më bien ndërmend spontanisht tani: edhe pse unë pothuaj 65-vjeçar vazhdoj të dëgjoj me kënaqësi Jimi Hendrix apo Rolling Stones, zëri i lartë i një muzike mediokre që dëgjoja gjithandej- në restorante të kuruara, apo lagje të tëra që shpërthenin nga amplifikatorët e deri edhe në qytete si Saranda, vendosur buzë gjiresh të bukur – më ka cingëritur nervat. Dhe së dyti më vjen në mendje fiksimi i shumë njerëzve me telefonat e tyre celularë, teksa lexojnë apo shkruajnë të pashqetësuar e-mail-e dhe mesazhe p.sh. në opera apo edhe ndërsa janë duke ngrënë me një person tjetër!

Nisur nga përjetimet tuaja në Shqipëri, ngjarjet ku morët pjesë, njerëzit që bashkëpunuat dhe njohët, çfarë këshille do të doni t’ju jepni politikanëve dhe njerëzve të Shqipërisë?

Hellmuth Hoffmann: Përsa u përket politikanëve: më e rëndësishmja për mua është që njerëzve t’u përcillet në mënyrë të besueshme, përmes një angazhimi dhe pune konkrete, që veprimtaria politike duhet të orientohet për nga e mira e përgjithshme, dhe jo për nga interesat personale ekonomike apo interesat partiake në kuptimin e luftës për ruajtjen apo rifitimin e pushtetit pa marrë në konsideratë dëmin, që i shkaktohet kulturës demokratike. Nëse zgjidhet kjo qasje, atëherë njerëzve mund t’u përcillet shpresa e arsyetuar për përmirësimin e gjendjes së tyre në Shqipëri, çka unë e konsideroj si jashtëzakonisht të rëndësishme. Shqipëria ka bërë brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore hapa gjigandë përpara në zhvillimin ekonomik, por shumë pak flitet për faktin që këtu vazhdon të ketë një numër shumë të madh njerëzish që jetojnë në kushte ekstremisht të varfëra.

Një panoramë të qartë të gjendjes kam mundur ta gjej në raportet e OJQ-ve gjermane dhe qendrave të misioneve katolike në vend, të cilët bëjnë një punë shembullore në ndihmë të të varfërve dhe të sëmurëve, dhe për të cilën shpreh vlerësimin tim të thellë. Përgjithësisht për vendin do të ishte mirë, nëse tek të gjithë qytetarët dhe qytetaret do të zinte vend një orientim edhe më i fortë drejt së mirës së përgjithshme, ku gjithsecili të jepte kontributin e vet, qoftë edhe vetëm në formën e vendosjes së rregullit në mjedisin rrethues të vendbanimit të tij. Por në këtë kontekst kam parasysh në mënyrë të veçantë, të gjithë ata, që kanë një nivel të lartë mirëqenieje fianciare dhe që do të mund të angazhoheshin më fort në veprimtari bamirësie në patronazh të kulturës.

Ambasador Hoffmann, kush do të jetë pasardhësi/ja juaj në Tiranë?

Hellmuth Hoffmann: Po mjaftohem të them, meqënëse firmosja përfundimtare ende nuk është bërë, që klubi joformal i zonjave ambasadore në Tiranë do të zgjerohet. I uroj pasardhëses sime të pritet në të njëjtën mënyrë të hapur dhe miqësore, sikurse kam pasur mundësinë ta përjetoj edhe unë.

Related Articles

Nje koment

  1. Z ambasador.Eshte e vertete qe shqipetaret jane simbol i vecante ne bote i miresise dhe bujarise te Nene Terezes.Nuk duhen perziere shqipetaret e vertete me kopete te hajduterise te fashizmit te sali berishes,lylezim bashes,Bujar Nishanit Jozefina topallit,Adriatik llalles,kastriot islamit fatos nanos Ilir Metes.Shqipetaret kerkojne ndihmen tuaj.NATO dhe FBI te sillen ne Tirane per te pastruar hajduterine.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button