Home / Ekonomia / Procedurat doganore, bizneset s’do të komunikojnë më me agjencitë qeveritare

Procedurat doganore, bizneset s’do të komunikojnë më me agjencitë qeveritare

Bizneset nuk do të kenë më detyrimin që të marrin leje nga 20 institucione shtetërore, kur importojnë ose eksportojnë mallra në tregjet ndërkombëtare, por do ta bëjnë këtë vetëm përmes një sporteli unik në doganë.

“Aktualisht një operator ekonomik duhet të bëjë një sërë ecejakesh nëpër institucione të ndryshme. Afërsisht 20 agjenci, për të kryer e përfunduar procedurat doganore. Ndërsa me implementimin e sportelit të vetëm doganor, institucionet e përfshira do të ndërveprojnë nëpërmjet sistemit të IT-së”, tha Pranvera Fagu, drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave.

Zonja Fagu listoi institucionet e para, ku biznesi nuk do të ketë më detyrimin për të aplikuar apo marrë vërtetime.

“Implementimi fillon me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Agjencinë Kombëtare të Ushqimit, Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Qendrën Kombëtare të Licencimit dhe do të vijojë me Agjencinë e Kontrollit të Eksporteve”, tha më tej Fagu.

Sipas agjencive shtetërore, dritarja unike do të sjellë përfitime jo vetëm për biznesin, por edhe për konsumatorët.

“Operatori ekonomik përfiton shkurtim të kohës për praktikat administrative, ulje të kostos së aplikimit, rritje e pozicionit konkurrues në treg”, përmend Pranvera Fagu.

“Është një projekt tejet i rëndësishëm sepse na jep neve mundësinë të kemi akses më të madh në informacionet që lidhen me produktet që importohen në Shqipëri, por edhe që eksportohen jashtë saj”, u shpreh Isuf Shehu, drejtor i AKU-së.

Sipas doganave, ngritja e dritares unike është lehtësimi i dytë më i madh për bizneset, pas Kodit të ri Doganor që u miratua vitin e kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.