Home / Europa / Itali, Lëvizja 5 Yjet, fitore madhore në zgjedhjet vendore

Itali, Lëvizja 5 Yjet, fitore madhore në zgjedhjet vendore

Lëvizja 5 Yjet ka arritur një fitore të gjerë në zgjedhjet lokale të Italisë, ku spikasin ato për bashkitë e Romës dhe Torinos.

Rezultatet e para tregojnë se Virginia Raggi do të jetë e para grua që do të drejtojë bashkinë e kryeqytetit italian pas kësaj fitoreje, që përbën edhe nje goditje të fortë për Partinë Demokratike të majtë të kryeministrit Matteo Renzi.

Nga ana e saj, PD ka siguruar kryeqytetin ekonomik të Italisë, Milanon dhe Bolonjën, një ndër qytetet më të mëdha të vendit.

Rezultatet e arritura mund t’i japin Lëvizjes 5 Yjet, e themeluar nga ish-blogeri Bepe Grillo, një shtysë të mirë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në 2018-n.

Zgjedhjet lokale në Itali u mbajtën në dy raunde, i pari dy javë më parë dhe i dyti të dielën që sapo kaloi. Zonja Raggi, një avokate 37-vjeçare që nuk njihej deri para pak muajsh, ishte pranë fitores së dy të tretave të votave, duke mposhtur kështu kandidatin demokrat Roberto Giachetti.

“Do të jem kryebashkiakja e të gjithëve. Do të rivendos legalitetin dhe transparencën në institucionet e qytetit pas 20 vjetësh qeverisjeje të dobët. Me ne ka nisur një epokë e re”, tha Raggi.

37-vjeçarja do të gjejë megjithatë një bashki të mbytur në borxhe, mbi 13 miliardë euro, që është dhe dyfishi i buxhetit vjetor të institucionit.

Nga ana tjetër, romanët janë të frustruar nga një sërë problemesh që kanë kapluar qytetin, si mbeturinat në zona të ndryshme dhe defiçenca në transportin publik dhe strehimin.

Leave a Reply

%d bloggers like this: