Opinion

Berisha, Feniksi i destruktivitetit

Andrea Stefani

Andrea-Stefani-Ish-kryeministri dhe kreu real i PD-së, Sali Berisha, sapo u ka bërë thirrje studentëve që në shtator të hidhen në protesta për të kundërshtuar një akt të qeverisë “Rama” për mbylljen e disa universiteteve private. Rasti është një tjetër ilustrim i përpjekjes që po bën Berisha për t’u ringritur, duke përdorur gërmadhat që ka lënë pas qeverisja e tij. Ose më saktë, që orvatet të rilindë duke iu kundërvënë qeverisë së Rilindjes që po tenton të spastrojë truallin e shtetit nga gërmadhat e ish-qeverisjes berishiste. Në këtë kuptim, Berisha është një Feniks. Vetëm se një feniks që nuk ringrihet nga hiri, por nga gërmadhat e shkatërrimeve që vetë ka mbjellë. Dhe ja sepse:

***

Dihet se ishte pikërisht nën qeverisjen e Berishës që procesi i licencimit të universiteteve degradoi, duke nëpërkëmbur të gjithë standardet. Korrupsioni dhe masivizimi pa kriter, i shndërroi shumë nga këto universitete nga gjeneratorë të dijes në lavatriçe të injorancës. Diplomat e blera me para ose të përfituara pa meritë, u shndërruan në maska të lloj-lloj sharlatanëve që nisën të bëjnë karrierë. Tashmë të gjithë e dinë të vërtetën e kristaltë të shitjes dhe tregtimit të turpshëm të diplomave, deri edhe për shtetas të huaj. Si në rastin e djalit të Umberto Bossi-t. Në sajë të këtij shfrenimi kufiri mes dijes dhe padijes është fshirë. I dituri u bë injorant dhe injoranti i ditur. Dhe e gjithë kjo orgji “universitare” e ka burimin te politika aspak liberale por rrumpallë, pa rregulla e standarde, e ndjekur nga qeveria “Berisha”. Dhe tani, që qeveria “Rama” po përpiqet të zbatojë standardet sipas ligjit, gjë që nuk mund të mos sjellë edhe skartimin e universiteteve skarco, politikani që toleroi degradimin dhe shndërrimin e universiteteve në piramida, lëshon lot krokodili për “shokun psikologjik” që po i shkakton kjo terapi shpëtimtare dhe e dhimbshme si çdo terapi, rinisë. I fton studentët të dalin në protesta pikërisht ai që u shkatërroi ëndrrën e dijes së arritur me djersë e pasion, duke u ofruar opsionin e diplomave të fituara me ryshfet ose si privilegj. Gati sa nuk thotë: “Me ne diplomohen të gjithë”! Një si përsëritje e parullës famëkeqe “Me ne fitojnë të gjithë” nën hyqmin se së cilës shqiptarët humbën të gjithë, në vitin 1997, paratë, shtëpitë dhe deri vetë shtetin e tyre në krizën e firmave piramidale. Tretja e një iluzioni sjell edhe dhimbje e zhgënjim. Por, edhe nëse nuk do ta bënte qeveria “Rama” iluzionin e një dijeje pa dije, do t’ua davariste jeta vetë. Në rastin e universiteteve, Berisha po rreket të shfrytëzojë politikisht zhgënjimin që shkakton shpërndarja e një iluzioni që vetë ka mbjellë. Dhe ka pa fund shembuj sesi Berisha kërkon të shfrytëzojë në luftën për pushtet dëshpërimin e viktimave të mashtruara nga ai vetë.

***

Ndërsa qeveria “Rama” përpiqet të eliminojë shkatërrimet që ka lënë pas keqqeverisja e Berishës, vetë Berisha përpiqet të sulmojë Kryeministrin Rama duke u qarë për kostot e këtyre shkatërrimeve. E nisi me borxhin publik. Dihet që Berisha, dhe kjo vërtetohet me dokumente edhe nga FMN e Banka Botërore, e fluturoi borxhin publik në lartësi të papara deri në atë kohë. Justifikimi ishte kryerja e investimeve të përmasave të mëdha, si ai i rrugës Durrës-Kukës. Në fakt, një minimum prej 200 milionë eurosh, u grabitën nga qeveria “atdhetare”. Por ndonëse nuk shkuan për investim në favor të publikut këto qindra milionë, si edhe të tjera të grabitura nga korrupsioni i zyrtarëve të pasuruar me shpejtësi marramendëse, e rritën borxhin e Shqipërisë si asnjëherë më parë nga 40 për qind e GDP në rreth 70 për qind e më shumë, duke i futur financat e shtetit në prag të kolapsit. Dhe ishte vetëm një marrëveshje borxhi e qeverisë “Rama” me institucionet e Breton Udsit që e shpëtoi situatën. Por ja, në këtë moment del Berisha, ish-kryeministri plëngprishës që thelloi humnerën e borxhit, dhe ngrihet e kritikon qeverinë pse mori borxh!

***

Kemi rastin tjetër, të kompanisë çeke CEZ. Të gjithë e dinë, dhe e kanë provuar mbi shpinë, se dështimi erdhi për shkak të një privatizimi krejtësisht abuziv nga qeveria “Berisha”. Ajo nuk pati as kujdesin për të vepruar në përputhje me ligjet, edhe kur u pa se CEZ nuk solli asnjë përmirësim në shpërndarjen dhe faturimin e energjisë. Kompania çeke u përzu në mënyrë arrogante, thuajse policeske. Ekstremizmi dhe mungesa e profesionalizmit e qeverisë “Berisha” e flaku të drejtën në anën e kompanisë CEZ (në fakt bashkëfajtore), duke e vënë shtetin shqiptar përballë një rreziku të ndëshkimit me rreth 200 milionë euro nga gjykatat ndërkombëtare. Dhe në momentin që qeveria e sotme gjen një zgjidhje me një kosto të përgjysmuar, duke shmangur edhe bllokimin e investimeve në sektorin energjetik, Berisha ngrihet dhe akuzon qeverinë për korrupsion!

***

Për 8 vjet rresht, “liberali” Berisha nuk bëri asgjë për të luftuar kultivimin e drogës në Shqipëri dhe veçanërisht në Lazarat që, nën qeverisjen e tij, mori famën e një “Kolumbie” shqiptare. Dhe në momentin që ministri i Rendit, Tahiri, ndërmerr një operacion kurajoz për të çrrënjosur kartelin e drogës nga Lazarati, në fakt një tabu e politikës deri në atë kohë, Berisha u ngrit “i shqetësuar” për shkeljen e të drejtave të njeriut nga policia në Lazarat! A nuk është edhe kjo të ulërasësh mbi gërmadhat që vetë ke mbjellë?

***

Raste të tjera ka pa fund, por më flagrantja, më tipikja, është alarmi, klithma, kuja që lëshon ky autokrat dhe klani i tij, për gjoja kapjen e institucioneve nga qeveria “Rama”. Në 8 vite qeverisje (nëse mund të quhet qeverisje ajo batërdi), ç’nuk bëri Berisha për të futur nën sundimin e tij çdo institucion të rëndësishëm të shtetit. Nga Presidenti i Republikës e deri te Prokuroria. Aty ku nuk ia arriti dot lëshoi deri edhe sharje prej rrugaçi si më 21 janar kundër Kryeprokurores Ina Rama, apo ish-Presidentit, Bamir Topi. Aq e fortë ishte kapja e institucioneve prej tij, sa edhe pasi u largua nga pushteti me 1 milion vota më 23 qershor, një pjesë e rëndësishme e shtetit vazhdon të mbetet nën hyqmin e tij. Dhe pikërisht kur qeveria “Rama” po përpiqet të çlirojë shtetin nga kapja e ish-qeverisë, t’ia kthejë shtetit institucionet e rrëmbyera nga ish-pushteti, autokrati në opozitë Sali Berisha, që vazhdon të mbajë të kapura me besnikë e delfinë disa institucione shumë të rëndësishme, jep alarmin “i preokupuar” për “pavarësinë e institucioneve” që në fakt, nuk kanë qenë kurrë të pavarura, sepse kanë lindur të varura! Ulërin për “pavarësinë e institucioneve” mbi gërmadhat e kësaj pavarësie, rrënuesi i pavarësisë! Dhe kërkon të ringrihet përsëri në pushtet, si Feniksi nga gërmadhat që vetë ka mbjellë, kjo gërmadhë e politikës që prej 23 vjetësh ushqehet me gërmadha, merr vixhut e jetë nga gërmadhat dhe prandaj, nuk mund të mos mbjellë përsëri gërmadha!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button