ParlamentarePolitika

Drejtësia, Xhafaj: Bojkoti i opozitës, zgjedhje e gabuar

Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi u njoh të hënën me projektligjin “Për Gjykatën Kushtetuese”, në kuadër të paketës ligjore që parashikon ndërhyrje në 7 ligje, me qëllimin për ta bërë të zbatueshëm projektin kushtetues.

Kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj, duke informuar për mbledhjen e sotme ku mungoi opozita, u ndal tek prezantimi në parim i pr/ligjit të parë, atij “Për Gjykatën Kushtetuese”.

Të mërkurën, sqaroi ai, drafti do të paraqitet nga relatori i çështjes, ndërsa një ditë më pas do të jetë shqyrtimi nen për nen dhe në tërësi i tij. Paketa prej 7 ligjesh, sipas Xhafajt, do të shqyrtohet bazuar ne një kalendar të posaçëm nga komisioni. Projektligjet, tha ai, kanë të bëjnë me detyrimin për ta bërë të zbatueshëm dhe efektiv projektin kushtetues.

Këto pr/ligje, që janë 7 shtyllat kryesore të reformës, sipas tij, do ta shoqërojnë projektin dhe ato përbëjnë gjithë procesin e reformimit nga pikëpamja kushtetuese. Sot komisionit, tha ai, iu dha mundësia që me këtë dokument të krijojë një vlerësim më të plotë rreth përmbajtjes së pr/ligjeve të shqyrtuara apo atyre që janë në procesin final të hartimit nga grupi i ekspertëve të lartë.

Kryetari Xhafaj shpjegoi se në total janë mbi 40 pr/ligjet që do ta shoqërojnë paketën kushtetuese dhe që janë pjesë e sistemit të reformës në drejtësi. Por, theksoi ai, 7 prej tyre janë ligje prioritare, të lidhura ngushtësisht me ndryshimet kushtetuese.

Miratimi i paketës së re krijon një vakum institucional, që dikton nevojën e ringritjes së institucioneve të reja, që e kanë të domosdoshme pajisjen me ligje kuadër, nënvizoi ai. Gjithashtu janë disa procese si ‘vetingu’ dhe ‘ngritja e prokurorisë së posaçme antikorrupsion’, të cilat kërkojnë detyrimisht miratimin e këtyre pr/ligjeve për të vendosur mbi fillimin e tyre.

Këto pr/ligje, saktësoi ai jane gati dhe maksimumi i parashikimit për t’u votuar në parlament eshtë mesi i korrikut.

I pyetur për mungesën e opozitës në mbledhjen e sotme, Xhafaj u shpreh i keqardhur, duke e cilësuar ‘te gabuar’ zgjedhjen e saj. “Për fat te keq, opozita sot nuk mori pjese duke e bojkotuar mbledhjen. Jam i keqardhur përsa kohë ndajmë të njëjtin preokupim për shqyrtimin e njëkohshem të projektit kushtetues me atë ligjor. Bojkoti i sotëm është nje zgjedhje e gabuar e opozitës ndaj komisionit të posaçëm parlamentar”, u shpreh Xhafaj.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button