ParlamentarePolitika

“Kamerat”, Komisioni i Sigurisë rrëzon dekretin e Nishanit

Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani që kthente për rishqyrtim ligjin e shumëdiskutuar për kamerat e sigurisë në ambientet publike.

Deputetët e majtë ashtu edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme, e cilësuan të pabazuar dekretin, ndërsa ndryshe mendojnë demokratët.

Deputeti Xhemal Qefalia kërkoi para vendimit përfundimtar rrëzimin e dekretit të Presidentit, pasi sipas tij, argumentet nuk bazohen në frymën e ligjit. Ndërsa, zv/ministri i Brendshëm, Stefan Çipa tha se dekreti është i pabazuar në Kushtetutë.

Qefalia: Kërkoj rrëzimin e dekretit të Presidentit për ligjin për masat e sigurisë. Ligji në përputhje me Kushtetutën dhe rrit sigurinë për qytetarët. Argumentet e Presidentit të pjesshme, nuk bazohen në frymën e ligjit.

Deputeti tjetër socialist, Paulin Sterkaj mendon se nuk është aq problem të shkelet privatësia, kur synimi është e mira e përgjithshme.

Deputeti demokrat, Flamur Noka i kërkoi komisionit që të publikohet dokumenti i sjellë nga Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave, duke i kërkuar zv/ministrit që të mos shkonte në gjurmët e gabuara pasi do të dilte gënjeshtar.

Noka: Publikoni dokumentin që ka sjellë komisioneri i mbrojtjes së të dhënave. Ministri sot është fshehur, se ka dalë gënjeshtar para qytetarëve. Sot ende nuk e dimë sa është kostoja e zbatimit të ligjit. Kostoja ka qenë edhe një ndër arsyet pse e kemi kundërshtuar.

Ministri u mburr se ligj është konsultuar edhe me partnerët, por ICITAP thotë se nuk u dorëzua asnjë relacion dhe s’u zhvilluan takime. ICITAP thotë se ligji është barrë financiare për bizneset dhe se i ka këshilluar Ministrisë së Brendshme që të lërë mënjanë ligjin.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, deklaroi në komision se kishte votuar kundër ligjit, pasi nuk kishte mendimin e partnerëve dhe asnjë projekt për kostot.

Luan Rama: Në komision nuk na erdhi asnjë qëndrim zyrtar, megjithëse e kërkuam. Qëndrimet që u paraqitën në komision pas miratimit të ligjit. S’mund të them sa i ka qëndruar Nishani argumentave të partnerëve.

Unë kam votuar kundër ligjit, propozoj ta hedhim në votim dekretin. Kam kërkuar mendimin e partnerëve dhe një projekt të kostos. Kërkesat e mia në mbledhjen e fundit kur kaloi ligji. Ministria e Punëve të Brendshme tha se PAMECA dhe ICITAP janë dakord me ligjin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button