Home / Intervista / Virusi Ebola, Pipero: Mund të sillet, ashtu si malarja

Virusi Ebola, Pipero: Mund të sillet, ashtu si malarja

512dfc8123b72Nga Ola Mitre

“Vendi ynë është shumë larg vatrave të virusit Ebola, megjithatë ekziston rreziku që ai të importohet, ashtu siç ndodhi me malarjen, nga punonjësit shqiptarë në Afrikë”. Deklarata vjen nga ish-drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, njëkohësisht mjek infeksionist, Pëllumb Pipero. Sipas specialistit të sëmundjeve infektive, aktualisht nuk ka vend për panik nga virusi vdekjeprurës, megjithatë qytetarët shqiptarë duhet të tregohen të kujdesshëm e të evitojnë çdo lloj udhëtimi drejt Afrikës. Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë informacionet e fundit për përmasat e epidemisë së sëmundjes së shkaktuar nga virusi Ebola në disa vende të kontinentit afrikan. Sipas saj, nga marsi 2014 e deri më tani janë raportuar 1323 raste të dyshuar dhe konfirmuar si dhe 729 vdekje. Vatrat ku janë shënuar rastet janë në Guine, Liberi, Sierra Leone dhe Nigeri, ndërkohë që niveli i fatalitetit te të prekurit nga virusi shkon deri 90%. Ndërkaq, përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Pipero shpjegon në detaje shenjat e sëmundjes dhe shmangien nga infektimi.
Z.Pipero, cila është situata aktuale rreth virusit Ebola në vendin tonë? 
Sigurisht që Shqipëria është shumë larg gjeografikisht vatrave të virusit Ebola. Megjithatë, duhet të mbajmë parasysh se ne kemi një numër të caktuar shtetasish shqiptarë, të cilët punojnë pranë këtyre vatrave, pra punojnë në Afrikë. Në këto kushte, ata mund të kthehen në importues të virusit edhe te ne. Unë do të sillja krahasimin me malarjen, ku të gjitha rastet që u evidentuan në vendin tonë ishin të importuar nga punëtorët e Afrikës.
Sa është numri i punonjësve shqiptarë në Afrikë? 
Janë rreth 170 punonjës, të cilët punojnë në Guine, Sierra Leone, Kongo. Pra, disa prej tyre punojnë pikërisht aftër vatrave të raportuara për virusin Ebola.
Si mund të infektohesh nga ky virus? 
Infektimi me këtë virus ndodh nga njeriu te njeriu. Ajo që dua të theksoj është fakti se ai ka një periudhë ikubimi shumë të shpejtë, brenda 24 orësh. Kjo do të thotë se një person mund të udhëtojë në mëngjes drejt Afrikës dhe në mbrëmje të kthehet me temperaturë ose thënë ndryshe i infektuar nga Ebola.
Cilat janë disa nga shenjat e të prekurve nga ky virus? 
Ai fillon me shenjat e një gripi të thjeshtë e më pas karakterizohet nga temperatura e lartë dhe dhimbje fyti. Gjithashtu shfaqet me hemorragji të jashtme e të brendshme, ndërsa pasojat janë fatale. Fatkeqësisht Ebola është një virus vdekjeprurës.
A ka vend për panik në vendin tonë? 
Jo, nuk ka vend për panik. Aktualisht ne nuk kemi asnjë rast të regjistruar me këtë virus. Ajo që dua të theksoj është se ekziston një ndërgjegjësim nga ana e Institutit të Shëndetit Publik dhe nga Ministria e Shëndetësisë rreth rrezikut që paraqet virusi. Po ashtu, edhe në Shërbimin Infektiv, shefi i shërbimit ka realizuar tri takime deri më tani me mjekët, në mënyrë që të jemi të përgatitur për ndonjë rast të mundshëm. Megjithatë, ajo që dua të theksoj është fakti se ministria duhet të jetë në gjendje ALERT-i për virusin vdekjeprurës.
Si mund të shmanget infektimi nga virusi? 
Unë do t’u kërkoj të gjithë qytetarëve shqiptarë që të evitojnë në maksimum udhëtimet drejt Afrikës. Qofshin këto udhëtime për punë apo udhëtime për turizëm. Edhe në rastet kur qytetarët janë të detyruar të udhëtojnë drejt vatrave, duhet të përpiqen që ta evitojnë. Rikujtoj që infektimi me virusin vdekjeprurës ndodh në mënyrë të menjëhershme dhe në një kohë shumë të shkurtër.

Leave a Reply

%d bloggers like this: