Home / Intervista / “Minoriteti që përfaqësoj, pro reformës territoriale”

“Minoriteti që përfaqësoj, pro reformës territoriale”

87216_1NGA DARINA TANUSHI

Deputeti i Partisë Socialiste, Andrea Marto sqaroi dje, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se e votoi reformën territoriale, pasi nuk mund të lejonte që shqiptarët të privoheshin nga kjo reformë kaq e rëndësishme prej votës së tij. Marto përfaqëson në Parlament edhe një pjesë të minoritetit etnik grek dhe për këtë thotë se kjo pjesë e ka mbështetur në vendimin që ai mori, pavarësisht deklaratës që bëri ditë më parë organizata OMONIA. Sa u përket marrëdhënieve me kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili ditë më parë deklaroi në media se Marto i detyrohet atij një sqarim për votën “pro” ndaj ndarjes së re territoriale, deputeti socialist tha: “Unë mendoj që zoti Dule, sqarimet nga unë, nuk ka nevojë t’i marrë nëpërmjet mediave”. Marto tha se po punon me miqtë e tij që PBDNJ të mos largohet nga koalicioni me PS-në, pasi mazhorancës i duhet PBDNJ-ja dhe PBDNJ-së i duhet mazhoranca.

Zoti Marto, ju në seancën e fundit parlamentare votuat pro reformës territoriale. Çfarë ndryshoi në vendimin tuaj, duke qenë se ju më herët keni shprehur kundërshti për këtë projekt? 
Unë kisha shprehur kundërshti për reformën, ose më shumë kisha disa vërejtje dhe sugjerime, të cilat në pjesën më të madhe u morën parasysh. Dhe, duke qenë se ato u morën parasysh, si dhe duke qenë edhe pjesë e mazhorancës, logjika të çonte në atë që unë duhej të votoja “pro” reformës, duke qenë një reformë kaq e rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe nuk mund të mbahej peng nga vota ime.
Duke pasur parasysh disa deklarata të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule në media, që thotë se “z.Marto më detyrohet një shpjegim për votën”, a keni biseduar ju me zotin Dule pas kësaj? 
Unë komunikoj me zotin Dule. Ndoshta titujt e gazetave të përditshme kanë edhe keqinterpretime. Unë mendoj që zoti Dule, sqarimet nga unë, nuk ka nevojë t’i marrë nëpërmjet mediave. Kështu që, nëse ka gjë tjetër zoti Dule, duhet të pyesësh zotin Dule.
Po me pjesën tjetër të minoritetit, a keni pasur kontakte, sepse ju, përveçse jeni deputet i Partisë Socialiste, përfaqësoni edhe minoritetin grek në Shqipëri? 
Sigurisht i përkas këtij minoriteti dhe jam krenar që i përkas këtij minoriteti të mrekullueshëm, që ka kontribuuar kaq shumë, gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar. Ka mijëra minoritarë që kanë kontribuuar për prosperitetin e Shqipërisë shumë më tepër sesa shumë eruditë të tipit “Ngjela”. Pjesa e minoritetit që unë përfaqësoj është e kënaqur nga qëndrimi im.
A jeni njohur me një deklaratë të organizatës OMONIA? 
Jo, nuk e kam lexuar dhe nuk do të thotë që ndonjëri ka ekskluzivitetin e përfaqësimit. Mua pjesa që përfaqësoj dhe që më ka votuar më mbështet.
A ju vjen keq, nëse PBDNJ dhe OMONIA vendosin në muajin shtator daljen nga koalicioni me PS-në, për shkak të kësaj reforme? 
Sigurisht që nuk më vjen mirë në qoftë se ndodh, por besoj dhe uroj, dhe me modesti po them, po punoj që të mos largohet dhe besoj do të dëgjohet opsioni që nuk duhet të largohet.
Po punoni? A mund të na thoni se me kë apo si? 
Po punoj, në kuptimin që, po jap të gjitha sugjerimet e mia, me të gjithë miqtë e mi, me bashkëpunëtorë ose ish-bashkëpunëtorë në këtë drejtim. Edhe në ftesat publike që unë u kam bërë, u kam thënë që nuk duhet të largohen, sepse nga largimi nuk përfiton as PBDNJ-ja, dhe as mazhoranca. Ky është mendimi im.
Ju si deputet i Partisë Socialiste, ç’mendim keni, për rolin që po luan qeveria e re në drejtim të respektimit të të drejtave të minoritetit në Shqipëri? 
Përpjekje bëhen që të respektohen të drejtat e minoriteteve dhe unë mendoj që është një hap në drejtimin e duhur krijimi i bashkive, ku shumica dërrmuese përbëhet nga shtetas shqiptarë me origjinë greke ose sllavomaqedonase, në rastin e Pustecit. Dhe mendoj që gjithmonë ka nevojë për përmirësime. Por, si hap është mjaft i rëndësishëm dhe shumë pozitiv.
Në seancën e fundit, kryeministri Edi Rama, në përgjigje edhe të zotit Dule, tha se Shqipëria nuk duhet të ndihet inferiore ndaj Greqisë. Ju, e mbështesni këtë deklaratë? 
Kjo është një çështje që është shumë e gjerë dhe unë nuk jam në gjendje që të interpretoj deklaratat e kryeministrit, por them që, si Greqia, që është një shtet në Bashkimin Evropian, edhe Shqipëria, janë shtete që kanë politikën e tyre. Dhe mendoj që duhet të jemi sa më konstruktivë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe shpresoj që mundësitë janë që këto marrëdhënie të shkojnë në një nivel më të lartë dhe të zgjidhen edhe çështje që ekzistojnë midis dy vendeve tona.

Leave a Reply

%d bloggers like this: