Opinion

Stoicizëm për të vërtetën

Nga Elis Buba

Me themelimin e MTV(Music Television) në vitin 1980, thelbi i të qenët muzikant u shkund jo pak. Grupi “Buggles” asokohe publikoi pikërisht në MTV një këngë me titull “Video killed the radio star”.

A nuk gjendemi në një situatë analoge aktualisht?! Fjalën e kam për marrëdhënien mes medias print dhe asaj online.

 

Tri palë në ballafaqim

Nga njëra anë, kemi gazetat e printuara. Ato kanë ende gazetarë profesionistë, të cilët kanë ndërtuar individualitet, personalitet, prestigj. Sistemi i filtrimit profesional ka dhënë frytet e tij në një sërë organesh të rëndësishme të shtypit të shkruar. Sistemi ka gjeneruar personalitete me potencial dhe kapacitet jo të stisur.

Në anën tjetër, kemi portalet informative. Tek to ka në rastin më të mirë profesionistë, por njohës të mirë të marketingut. Dashamirës të fjalës së shkruar dhe prestigjatorë të informacionit. Them prestigjatorë për të vetmen arsye se tek ta mund të gjendet kufiri i fundmë i iluzionit për një shtyp të lirë e të pavarur.

Në një moment të caktuar të evolucionit të teknologjisë dhe përparimit çoroditës e marramendës të teknikave të përqasjes ndaj informacionit ndodhin edhe shndërrime tek individi. Për befasinë e fare pak mosbesuesve, gjejmë profesionistë të vërtetë të shtypit të shkruar, të cilët i shohin mediat online si më të rëndësishme se mediat e printuara. Për fanatikët që i mbrehin ende qerret tek e kundërta, përgjigjen do ta japë e ardhmja. Kjo e fundit është ndër ato pika referimi të pashmangshme që tremb më së shumti ata që i gjen pa mendje.

Është e vërtetë kryekëput profecia e “Video killed the radio star”. Sot nuk kemi më këngë, por vetëm videoklipe. Askush nuk dëgjon më albume muzikore. E shumëçka nga krijimtaria artistiko-muzikore që nuk finalizohet me shoqërim nga imazhi video, thjesht humbet. Thjesht nuk është, sepse nuk merret në konsideratë. Dhe ligjet e shkencës janë vrastare. Një krijim, shpikje, vepër madhore, sado e vyer të jetë, nëse nuk gjen përkrahje dhe mirënjohje masive, me anë të botimit a publikimit, kurrë nuk do të quhet asgjë tjetër veç diçka e humbur.

Si mund të arrihet ky masivitet, ky publikim? Vetëm në rrjet. Aty ku miliarda njerëz nga e gjithë bota, filtrojnë të dhëna për t’u informuar, argëtuar, komunikuar, krijuar etj.

Në qerthullin e informacionit online që flet shqip e që përbën edhe një treg të ri në llojin e tij, gjejmë shumë portale. Disa janë sipërmarrje personale, disa sipërmarrje në grup. Numri i tyre nuk mund të përcaktohet me saktësi, edhe pse një sërë portalesh informative shërbehen me informacione të piratuara. Megjithatë, piratimi i të dhënave nuk është problemi më madhor që ushqehet nga mediat në rrjet. Sepse, njëfarë kodi etike midis shkruesve, duket se është vënë në zbatim. Gjithsecili, minimalisht nuk mungon të citojë burimin e lajmit, për aq sa mund të vlejë kjo. Gazetat e printuara qëndrojnë në avantazh në këtë pikë.

 

Duhen shkrues të mirë e të lirë

Problemet ose çështjet me rëndësi në mediat online janë mekanizmat përzgjedhës dhe subjektivizmi që i përfshin ato. Në rrjet, katalizatorët janë të shumtë, por jo të gjithë të përgjegjshëm. Ndërsa rregullatorët janë të paktë e më së shumti moralizues e konservatorë të ngurtë. Të gjendet në këtë situatë e mesmja e artë, si në gjithçka tjetër, kërkon mjaft sakrifica. Sidomos financiare. Themeluesit e këtyre portaleve, përgjithësisht paraqiten dobët financiarisht, ndaj edhe sakrifica e tyre shfaqet në cilësi. Gazeta-shkruesit e rrjeteve sociale ose blogjeve kanë idenë, por jo gjithnjë potencialin për ta shprehur. Kanë të dhënat, por jo gjithnjë i formësojnë në lajm. Kanë dëshirën, por jo gjithnjë mundësinë. Këto blogje bëhen mundësia e tyre, për t’u qorollepsur edhe ca pas dëshirës së tyre. Profesionistët e vërtetë të fjalës, jo gjithnjë vlejnë aq sa paguhen, por gjithnjë kushtojnë shtrenjtë. Autoriteti i tyre ndoshta përbën diferencën. Pra, për të bërë një dallim të qenësishëm, duhet prestigj. Për t’ia mbërritur atij duhet shkoqur vullneti deri më një, për të dhënë cilësi nga vetja. Vetëm cilësia e punës mbetet të jetë dalluesi themeltar. Pasi përpunimet grafike, paraqitja trajtesat e shumanshme janë teknikalitete e asete në dorë të kujtdo. Individualiteti në krahun tjetër përbën diferencën.

 

Të bërit lajm pa lajm

Po flasim për “soft news” dhe për kronikat e njohura si “rozë”. Këto mund të jenë fletërrufetë e kohëve moderne. Një korkolepsje personazhesh dhe informacioni pa kurrfarë rëndësie, por që thonë se përbën lajm. Problemi qëndron pikërisht tek ata që e bëjnë një pohim të tillë. Pasi të thuash se një banalitet i ulët përbën lajm, kërkon guxim dhe përgjegjësi profesionale, që me sa duket të gjithë i bëjnë bisht, sepse mbi gjithçka i tremben shterpësisë së tyre dhe aftësisë së kufizuar që kanë për të sendërtuar diçka disi më serioze. Megjithatë, një tjetër nxitës i tregut, është i ashtuquajturi trend. Moda. Ndjekësit e saj janë mprehës të dukjes, të fasadës, të vitrinës. Të tillët përbëjnë shumicën e lexuesve sot. Ndaj edhe shembujt nga “bota e spektaklit”, përbëjnë në njëfarë mënyre manekinin e përsosur për t’u imituar në veshje e posturë, në dyqanin mediatik. Sugjerimi im për mediat me qëllime disi më të larta, nuk do të ishte përjashtimi i këtyre lajmeve. Por vetëm diferencimi i dukshëm i tyre. Pra, mosnakatosja me tharmin serioz.

 

Marketingu si diktues

Mekanizmat fitimprurëse të portaleve informative janë paksa komplekse. Megjithatë mjafton të kihet parasysh se sa më shumë lexues (klikime) të ketë një faqe, aq më shumë përfitime ajo gjeneron. Një tjetër formë përfitimi, përpos atij virtual, është sponsorizimi i drejtpërdrejtë. Që gjithashtu varen nga numri i ndjekësve. Nëse një site përbën interes për një numër të konsiderueshëm përdoruesish të rrjetit, atëherë edhe kompani të ndryshme do kërkojnë të reklamojnë produktet e tyre në këtë faqe. Kleçka është kur sponsorizuesi kërkon të bëhet aktor dhe faktor. Kjo është një sprovë jo shumë për individin sesa për lajmin ose për faktin, që mund të pësojë mutacione. Shembuj të kësaj natyre nuk kanë munguar, nuk mungojnë e nuk do të mungojnë kurrë.

 

Stoicizëm për të vërtetën

Balzaku e ka lënë të shkruar mjeshtërisht në një vepër të tij: Ka dy histori. Historia zyrtare, gënjeshtare që ua mësojnë nëpër shkolla, historia ad usum delphini (…që u mësohet pasardhësve të udhëheqësve dhe bijve të monarkëve) dhe historia e fshehtë, ku përfshihen të gjitha shkaqet e ngjarjeve, një histori e turpshme.

Nëse ne i përmbahemi vetëm kësaj historie të turpshme, por të vërtetë, ndoshta do të kemi një përgjigje, për pyetjen që shumëkush u bën të tjerëve e shumëkush ia bën vetes. Pse një tjetër portal informativ?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button