Opinion

Shqipëria Globale

Nga Fadil Lepaja

Ekziston rreziku real që me ndërhyrje të gjyqësisë serbe, prokurorët e EULEX-it të ngrenë akuzë ndaj kolektivit të kombëtares shqiptare për rrezikim të paqes në Ballkan, të cilin e shkaktoi duke frymëzuar Shqipërinë e Madhe dhe duke homogjenizuar shqiptarët kudo që janë. Kjo gjithsesi i shqetëson fqinjët tanë, pasi ideologët serbë ende e përmendin bashkimin e tokave shqiptare në kohën e pushtimit italian të Shqipërisë, për analogji me “Kroacinë e Madhe” dhe këtë e paraqesin si të keqen më të madhe, e cila mund t’i ndodhë Ballkanit. Pastaj edhe De Biasi italian është… pra gjithsesi mbetet i dyshimtë.

Gjithsesi, atë punë kanë ideologët e Serbisë së Madhe, të cilët disa herë e dogjën Ballkanin, duke akuzuar të tjerët…! Sido që të jetë dikush do mbetet i pakënaqur… ndërkaq ana e mirë e kësaj është se kallashnikovët janë zëvendësuar me tifozët..!

Epo, “Le njani, e le tjetri e kush me e dhënë golin”, po ankohej duke ironizuar një komentues në profilin e tij në “Facebook”, pas dështimit të lojtarit me të njëjtin mbiemër të kombëtares i cili e huqi një rast të njëqindpërqindtë. Nga emocionet dhe zelli i tepruar padyshim, e shkoi topin lart mbi golin të cilin në këtë rast e kishte më vështirë të dilte huq sesa të shënonte. Por ne jemi të njohur se zgjedhim mënyrën e vështirë për t’i bërë gjërat.

Nejse, Shqipëria bëri gol, më vonë. Kujtuam se De Biasi, kishte menduar se shqiptarët, të cilët nga socializmi kishin trashëguar aq shumë bunkerë, dinë të luajnë vetëm në mbrojtje. Dhe për ta kishte përgatitur vetëm strategjinë “bunker”, pra veç mbrojtje të cilat thyhen në minutat e fundit. Por, jo edhe kësaj radhe. Kësaj radhe sikur u kishte thënë: “djema nuk kini çfarë humbisni më…”

Gjithsesi, nuk e nisa këtë kolumnë të sotme me temë futbollin, por si mund ta filloja ndryshe, kur edhe qeveritë këto ditë i fillojnë mbledhjet me futbollin, sidomos kur duhet të raportojnë (mos)sukseset. Edhe postimet e politikanëve në rrjetet sociale ndërlidhen me futboll. Edhe në emergjencë futbolli është temë emergjente. Kombëtarja shumëkujt i bëri lojën e zemrës si thonë në Gjakovë.

Madje edhe ajo pak çka mbijetoi nga shoqëria civile, pra njëri nga të pakët, Halili, po flitet se e ka ngritur në kulm flamurin e Kastriotit. Më shumë nuk ka çka me ndodhë për të qenë lajm.

Sot të gjithë ndihen shqiptarë, pra edhe miku im, Halili, përfshi edhe ata të cilët statuset i shkruajnë në anglisht, apo ndonjë gjuhë tjetër botërore dhe mbase nuk dinë as shumë fjalë shqip. Mund të thuhet, mbase se kombi nuk është aq i qartë me vetveten, as kombëtarja ndoshta nuk është ndër më të mirat, por një gjë vështirë se mund të thuhet: pra nuk thua dot që “Tifozët Kuq e Zi” nuk janë më të mirët. Ata e ngritën kombëtaren nga shtrati, ku lëndonte me nëntë plagë në trup, e ndër to më e rënda mungesa e vetëbesimit, dhe e bënë të luftojë si ekip.

Përpara De Biasit, ishte vështirë të ishte tifoz kuqezi dhe të shpalosje flamurin gjigant në ndeshjet kur vështirë se pritej fitore. Madje, humbjet ishin një rutinë me të cilën u patëm mësuar. Atdhe të dua edhe ashtu si je. Por tifozët dukej sikur nuk po e bënin këtë për ekipin që lozte në terren, por për atë të ëndrrave që do të bashkonte Shqipërinë virtuale, që i bie të jetë edhe më e madhe se ajo “Shqipëria e madhe” të cilën na e përmendin sa herë duan të na rrënojnë politikisht përpara Europës dhe Perëndimit dhe e cila sërish lidhej me një italian tjetër famshëm, i cili vishej në të zeza dhe thoshte se “Shqipërinë e kishte në zemër”.

Por ky italiani De Biasi, që i bashkoi shqiptarët, e këndoi me ta himnin kombëtar, u ktheu vetëbesimin, po që meriton akuzë për fenomenin e ri politik me emrin “Shqipëria Globale”. Postimet në rrjetet sociale nga Australia, Kanadaja, SHBA, Argjentina, Afrika, Azia, rrëfejnë për fenomenin virtual shqiptar, me karakter botëror.

Kjo sikur shpërlau krejt vetëpërbuzjen të cilën na e kishte futur në nëndije politika jonë e krimbur (ndër)kombëtare, e vërshuar nga korrupsioni dhe hajnitë, nga krimet e organizuara dhe të paorganizuara me të cilat na i zënë sytë sa herë takohemi me një të huaj.

Të mësuar me politikanë servilë, grykës dhe të pa dinjitet, ata kujtuan se politikanët tonë e kishin rrënjën nga një popull që nuk ia vlen të respektohet, aq më tepër se këta politikanë koktuan me të gjitha lojërat e ndyta rajonale dhe globale, ku u mbërrinte dora duke keqpërdorë gjithçka që u ishte besuar. Tifozët “Kuq e zi” prezantuan një kulturë tjetër shqiptare, me sjellje tolerante, me qasje sportive, me të rinjtë entuziastë dhe kreativë, me të rinjtë dhe të reja që duken bukur…më europianë se vetë europianët. Tifozët na prezantuan ashtu si në të vërtetë ndihen të rinjtë shqiptarë, jashtë paragjykimeve që i krijon media komerciale, shpesh jomiqësore, e cila e shet produktin e rrezikut shqiptar duke modeluar disa të rinj mercenarë apo disa kriminel ordiner apo të organizuar në banda, duke i fryrë ata në përmasa të frikshme krejt përtej realitetit dhe asaj çfarë ndiejnë dhe dëshirojnë shqiptarët e zakonshëm.

Por, kjo nuk ishte tema ime e sotme dhe kur e vërejta se deri ku kishte devijuar ideja desha thjesht të e bëja “delete”, por nuk e bëra, sepse papritur e kuptova se në fakt jam brenda teme dhe se intuita më kishte futur në këtë rrugë, për të dalë te caku. A bëhet Shqipëria me shqiptarë? Sa e duam vetveten?

Pra, po nisesha për pushime në një vend fqinj, i cili ndodhet në perëndim të Kosovës. E para që më kaloi ndërmend ishte të marrë me vete disa disqe me këngë shqipe sa për të kaluar më hareshëm nëpër rrugën e kombit dhe sa për të hyrë në atmosferë. Në Kosovë, sikur nuk ndihemi krejtësisht të lirë pa e përjetuar plotësinë e fisit, pa e ndier Shqipërinë e romantikëve. Gjithnjë sloganit serb se Kosova është Serbi, i përgjigjeshim më vete, se Kosova është Shqipëri. Por tashmë ambiciet kosovare për të pushtuar Shqipërinë nuk janë vetëm turistike dhe vetëm verore. Shqipëria është Kosovë e pata hedhur sloganin në profilin tim, para disa vitesh dhe pata marrë më së shumti pëlqime nga Shqipëria politike. Tifozeria Kuq e Zi,po e pushton Shqipërinë, dhe jo vetëm atë politike, por edhe atë globale.

E keni pra parasysh se në radiot shqipe nuk jepen këngë shqip? Të gjitha këngët që përsëriten pandërprerë janë… në fakt nuk janë shqip. A bëhet Shqipëria Globale me shqiptarë, or mik? A bëhet pa kulturë shqiptare? Epo edhe pa shqiptarë nuk bëhet, vetëm se duhet mbase që shqiptarët të mësojnë të respektojnë veten, sepse këtu fillon gjithçka…!

Mbase duhet të fillojmë të ndihemi më mirë në lëkurën tonë, pasi nuk kemi tjetër. Ndoshta edhe të nisim ditën, së paku këto ditë, me sloganin e tifozëve Kuq e Zi: O sa mirë me qenë shqiptar, o hej…!

Shpresoj se kjo nuk e rrezikon paqen globale, edhe pse nëse shkojmë më tutje me kualifikimet, nuk është çudi që serbët dhe aleatët e tyre historikë të dalin me idenë se kjo mund të rrezikojë luftën e tretë botërore.

Pastaj, a nuk ka qysh tash dyshime se diplomacia serbe po punon përmes mercenarëve shqiptarë që të krijojë ndonjë incident për të zbehur së paku, nëse jo edhe për të rrënuar krejt këtë që e ngritën tifozët tonë me kreativitetin dhe sjelljen e qytetëruar.

Një gogol po e pushton google…! Nuk është gogol, është Shqipëria Globale…!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button