Te ndryshme

Çfarë do të thotë të jesh europian?

Rrjetet sociale, media e shkruar dhe vizuale, për hir të konsumatorizmit të mendimit dhe argëtimit momental u ka hapur derën shumë pseudointelektualëve, të cilët e konsiderojnë epokën e sotme të brezit të makiatos apo iPhone si më të avancuarën, ndërkohë që është periudha më shterpë e të gjitha kohërave

Bledar Kurti

Sot jetojmë në epokën e jetës virtuale. Në ditët aktuale, çdokush mund të shprehë mendimin e tij në Facebook, të shtiret si filozof, historian apo gjeni. Rrjetet sociale, media e shkruar dhe vizuale, për hir të konsumatorizmit të mendimit dhe argëtimit momental i ka hapur derën shumë pseudointelektualëve, të cilët e konsiderojnë epokën e sotme të brezit të makiatos apo iPhone si më të avancuarën, ndërkohë që është periudha më shterpë e të gjitha kohërave. Gjithashtu ata e konsiderojnë të gjithë establishmentin e kaluar si të vjetër dhe arkaik dhe çdo gjë të sotme si moderne dhe avangardë.

Unë jam një studiues racional dhe aspak fundamentalist apo fanatik i religjionit, por si historian tronditem nga abuzimet që bëhen ndaj besimit dhe përdhosja që i bëhet besimit. Për shembull, në çdo debat televiziv, argumenti kundër Kishës është që ajo ndër vite ka luftuar shkencën dhe ka djegur në turrën e druve shkencëtarë. E marrë tërësisht jashtë kontekstit, sigurisht që tingëllon keq por është një argument që nuk qëndron, pasi e vërteta është që Kisha ka qenë nxitësja kryesore si e shkencës ashtu edhe e artit dhe e edukimit, pasi ishte Kisha që hapi universitetet e para, përfshiu filozofët grekë (të humbur nga Europa) në kurrikulat mësimore, sponsorizoi Rilindjen për të bërë kryeveprat që njohim sot, etj. Dhe mbi të gjitha, siç do ta shpjegojë më poshtë, ndërtoi qytetërimin perëndimor, të cilin aq shumë e admirojmë sot.

Amicus Plato, sed magis amica veritas: E dua Platonin por më shumë dua të vërtetën, tha Aristoteli. Kështu edhe unë, jam një njeri modern por dua më shumë të vërtetën, e cila, fatkeqësisht, është shkelur me këmbë me ndërgjegje të plotë prej disave të cilëve i pëlqen një e vërtetë tjetër.

Një mijë vjet më parë, civilizimi islamik ishte më i avancuar se sa Europa në pothuajse të gjitha aspektet. Sundimtarët islamë ishin më të pasur, ushtritë islame ishin më të fuqishme, dhe intelektualët islamikë kishin avancuar në art, akademi, shkencë dhe teknologji.

Por çfarë e solli ndryshimin dramatik të Perëndimit ndërkohë që pjesa tjetër e botës qëndronte në vend? Sekreti ishte tek zbulimi që Perëndimi i bëri dinjitetit të njeriut gjatë Rilindjes. Humanistët e Rilindjes e zbuluan këtë koncept nga klasikët grekë dhe latinë. Zbulimi i dinjitetit të njeriut erdhi edhe si rrjedhojë e përkthimit të Biblës në gjuhët amtare të shteteve europiane. Përkthimi i Biblës ndikoi në konsolidimin e gjuhës dhe mbi vetë konceptin e kombësisë. Si rrjedhojë e frymës së përdorimit të gjuhës amtare, ne trashëguam Mesharin e Gjon Buzukut (1555) vepër e cila nuk është gjë tjetër veçse liturgji, pra shërbesa e një të diele në kishë, por e cila institucionalizoi bazat e gjuhës shqipe dhe identitetin e krishterë shqiptar.

Europa ishte bërë e krishterë përpara viteve 1500, por Bibla nuk ishte e përkthyer në gjuhët amtare. Me përkthimin e Biblës erdhi edhe zhvillimi i qytetërimit perëndimor.

Edhe Rilindja ndikoi në zhvillimin e qytetërimit perëndimor dhe dinjitetin e njeriut, por vetë arti i Rilindjes erdhi kryesisht nga një traditë françeskane, sidomos nga mendimtarët e shekullit të katërmbëdhjetë, të cilët refuzuan Platonizmin dhe mbështetën një filozofi që quhet Nominalism. Humanistët e Rilindjes lexuan, shijuan, cituan dhe promovuan klasikët grekë dhe romakë, si dhe akademinë islamike, por pikëpamja e tyre mbi dinjitetin njerëzor erdhi edhe nga Bibla, ndonëse në kundërshtim të qëllimshëm të mendimit grek, romak, dhe islamik.

Vizioni i ri i Rilindjes për njeriun e ri u inspirua nga etërit e kishës së hershme, sidomos Shën Agustini dhe Iactanius, një këshilltar fetar i Kostandinit I. Pikëpamja e tyre mbi njeriun bazohej mbi kapitullin e parë të Biblës: “Dhe pastaj Perëndia tha, ‘Le ta bëjmë njeriun sipas imazhit tonë, sipas ngjashmërisë sonë.’”

Ndaj dhe Dante Aligeri, Shekspiri, Da Vinçi, Rafaeli, Mikelanxhelo, etj., u bënë promovues të vlerave të shkëlqyera njerëzore. Këto figura gjeniale, bashkë me shumë figura të tjera të spikatura të humanizmit, u bazuan mbi konceptin e krishterë të së bukurës, por me kalimin e kohës, ndoqën një filozofi tjetër nga krishterimi, një filozofi që e bënte njeriun Perëndi dhe Perëndinë njeri. Sot e njohim si Humanizëm. Megjithatë, veprat e tyre ishin publike dhe u bënë përpara hundës së Kishës dhe kjo e fundit i vlerësoi si pjesë të bukurisë natyrale dhe i promovoi në vendet më të vizituara nga njerëzit.

Shembulli më i mirë i simboleve të humanizmit të mbështetura nga vetë Kisha gjenden te kryeveprat e Rilindjes italiane, të cilat ishin shumë sekulare duke pasur madje më të shumtën e kohës mbështetjen financiare të vetë klerit, Papës dhe duartrokitjet dhe admirimin e krishterëve më të zellshëm.

Disa kryevepra të Rilindjes, pa u vënë re, ose më mirë të themi të pranuara si risi, promovonin humanizmin përpara syve të kishës. Shumica prej tyre madje u kryen në ambiente kishtare, në zemrën e Europës, në Vatikan, apo në sheshe publike si në Firence. Ndër veprat e shumta humaniste, por të veshura me petkun e krishterimit janë; Davidi dhe Kupola Sistina e Mikelanxhelos, Njeriu Vitruvian i Leonardo Da Vincit, Komedia Hyjnore e Dante Aligerit dhe Shkolla e Athinës së Rafaelit.

Vepra më e njohur e Mikelanxhelos është Davidi. Në dukje Davidi është një vepër me temë biblike. Historia tregon se Davidi, një djalë i vogël, një bari izraelit, mposht Goliathin, luftëtarin kolos dhe të fortë, vetëm me një gurë me hobenë e tij. Kjo vepër e Mikelanxhelos u bë e njohur që kur u shfaq për herë të parë, por ndryshe nga si e shihnin njerëzit, kjo skulpturë nuk është e Davidit të Biblës, të vajosurit të Perëndisë, por e një Davidi tjetër, birit të humanizmit.

Në historinë e Biblës, tregohet se si një i ri, i parëndësishëm, i pastërvitur dhe trup vogël, por i mbështetur nga forca e Perëndisë mposht një kolos dhe luftëtar të frikshëm si Goliathi. Në këtë histori Goliathi tallet me Davidin duke i thënë “Eja këtu, dhe unë do t’ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushës.” Por Davidi i përgjigjet “Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë, kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë së ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.”

Davidi i Biblës është një djalë i vogël që bën një mrekulli të madhe në emër të Zotit të tij, por Davidi i Mikelanxhelos ka trupin e një atleti dhe nuk duket as i vogël dhe as i pafuqishëm. Ai duket sikur nuk e ka nevojën e Zotit, pasi ka një trup perfekt, plot muskuj dhe forcë. Për më tepër, nëse Davidi i Biblës ishte i rrethprerë, për shkak të traditës hebraike, Davidi i Mikelanxhelos duket qartë se nuk i është nënshtruar praktikës së rrethprerjes.

Davidi i Mikelanxhelos u krijua për të promovuar se “njeriu është madhështor.” Madje edhe proporcioni më i madh i duarve në krahasim me trupin e bën më të fuqishëm këtë figurë njerëzore. Një studiues ka komentuar se: “Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë njeri si Davidi. Nëse një vajzë do të binte në dashuri me skulpturën dhe do priste gjersa të takonte një njeri që i ngjason atij, ajo do mbetej pa martuar.” Njeriu perfekt gjendet gjithmonë në veprat e Rilindjes dhe asnjëherë në Bibël. Kjo nuk u kundërshtua nga Kisha por u promovua, ndaj edhe Davidi u vendos në qendrën kryesore të Firences.

Gjeniu italian e shpalosi talentin dhe filozofinë e tij humaniste edhe në një kryevepër tjetër, në Kupolën Sistine, ku pikturoi të gjithë ambientin e brendshëm të saj me historinë e të gjithë kohërave biblike, nga krijimi i njeriut gjer në ardhjen e dytë të Krishtit.

Ndonëse e gjithë tema është biblike dhe vizualisht magjepsëse, në qendër të saj nuk është hyjnia, por njeriu. Në fragmentin e krijimit të njeriut, Mikelanxhelo paraqet në të majtë Adamin, njeriun e parë, dhe në të djathtë Zotin, të cilët kanë zgjatur gishtin për të prekur njëri-tjetrin. Por, nëse Bibla thotë që “Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet”, Mikelanxhelo e krijon njeriun më të bukur, më të fortë, më sportiv, më perfekt, më të ri, më tërheqës se sa Perëndia.

Adami i Mikelanxhelos është një djalë i ri, me muskuj, me trup atleti dhe forma të përsosura, ndërsa Perëndia është një burrë plak me trup paksa më të vogël se sa Adami. Midis këtyre dy figurave, është Adami ai që ka marrë rolin e Zotit.

Në këtë afresk të pashoqë, Mikelanxhelo, paraqet me dhjetëra profetë biblikë, por ndryshe nga si përshkruhen në Bibël, si të plakur, të brishtë, të dobët fizikisht por të fortë shpirtërisht, Mikelanxhelo i paraqet si figura të forta, plot muskuj dhe me fizik sportiv. Në të, aq e ekzagjeruar është forma e trupit njerëzor dhe fuqia fizike sa që edhe figurat femërore konfuzohen me ato mashkullore. Për më tepër, Mikelanxhelo paraqiti profetët e rremë dhe paganë më të fuqishëm se sa ata biblik.

Dhe, i gjithë ky himn për njeriun iu kushtua në një kupolë ku jetonte dhe punonte Papa, apo, në ditët e sotme, dhoma ku zgjidhet Papa! Dhe Kisha e lejoi sepse kjo nuk ishte thjeshtë një vepër por ishte një kryevepër. Dhe nuk vinte nga duart e një pagani apo “infideli”, por nga gjenialiteti i një europiani, i cili jetonte në kontinentin e Krishterë prej 15 shekujsh.

Një vepër tjetër që simbolizon iluminizmin dhe filozofinë humaniste që mbart në vetvete është Njeriu Vitruvian, i Leonrdo da Vinçi. Kjo vepër njihet si kanuni i proporcioneve, dhe është simbol i perfeksionit njerëzor.

Bazuar mbi teorinë humaniste të Pitagorës, se njeriu është masa e të gjithë universit, Da Vinçi besonte se trupi njerëzor ishte një analogji e funksionimit të universit. Simetria e trupit njerëzor shtrihej më gjerë në simetrinë e universit, duke e bërë njeriun njësi matëse të gjithësisë. Ky parim humanist dallonte nga filozofia e krishterë se Perëndia është epiqendra e të gjithë krijimit dhe jo njeriu.

Një vepër tjetër që simbolizon vijën e hollë të përplasjes së dy botëkuptimeve është afresku i Rafaelit, “Shkolla e Athinës”. Edhe kjo vepër, ashtu si edhe “Kupola Sistina” e Mikelanxhelos u krijua brenda Vatikanit. Por nëse Mikelanxhelo i thur lavde njeriut, Rafaeli i këndon filozofisë, dhe veçanërisht filozofisë humaniste. Në këtë vepër Rafaeli shpalos shpirtin klasik të Rilindjes duke sjellë në qendër të krishterimit filozofët grekë, si Aristoteli, Platoni, Sokrati, Pitagora, Euklidi, Herakliti, etj.

Janë me dhjetëra filozofë dhe figura të shquara antike greke, të cilat formojnë qendrën e këtij afresku. Në sfond ka disa harqe dhe shkallë të cilat ilustrojnë perspektivën, një zbulim i asaj kohe, të cilat formojnë një kryq grek, që mund të ilustrohet si harmoni midis filozofisë pagane dhe teologjisë së krishterë. Në sfond ka edhe dy skulptura, ajo e Apollos, perëndisë së dritës, harqeve dhe muzikës, duke mbajtur një lirë në dorë, ndërsa skulptura tjetër është Athina, perëndesha e diturisë.

Kjo vepër është një vepër kulti për njeriun, fuqinë e mendimit njerëzor dhe traditën e zotave paganë në historinë e njerëzimit. Bashkëjetesa midis këtij kulti dhe krishterimit ishte aq organike dhe e vështirë për t’u dalluar sa që lejonte perëndi pagane brenda ambienteve të adhurimit kishtar. Por Kisha e lejoi sepse kishin frymë europiane.

Fryma e re e së bukurës do të përdorej në të ardhmen nga iluministë, filozofë, grupe filozofike, dhe revolucionarë të cilët do ta zbusnin natyrën hyjnore të vendeve të adhurimit të krishterë dhe do promovonin më shumë nga natyra dhe atributet njerëzore. Për shembull, arkitektura e kishave të shekullit të tetëmbëdhjetë me kisha të dekoruara me engjëj dhe çerubinë sikur të ishin salla vizatimi jashtë kësaj bote, tregonin se si kisha dhe njerëzit e thjeshtë ishin bashkuar në një.

Vetë Kisha ecte me hapat e kohës dhe u largua nga realizmi i zymtë dhe i trishtë, por solli kisha të dekoruara plot ngjyra për të joshur masat dhe për të krijuar rezonancën e korit. Edhe muzika kishtare kaloi përmes një metamorfoze, pasi muzika e Bahut dhe Handelit pati ndikim në vendet protestante, ndërsa në vendet katolike Heidin, Bet’hoven dhe Mozarti bënë që kisha të përshtatej më shumë me njerëzit e thjeshtë.

Kisha nuk ka qenë kurrë e ndarë me filozofinë laike apo rrugën e zhvillimit. Që në fillimin e shekullit të 5-të, Shën Agustini, e pranon bashkimin e tyre kur shkroi se “Platoni më bëri të njoh Perëndinë e vërtetë, ndërsa Jezus Krishti më tregoi rrugën drejt Tij.”

Ndaj dhe në veprën e Rafaelit, “Shkolla e Athinës”, përveç figurave të Aristotelit, Sokratit, Platonit, etj., gjendet edhe Epikurus, promovues i kënaqësisë si e mira, vdekjes si asgjësuese e trupit dhe shpirtit, dhe se perënditë as nuk e shpërblejnë dhe as e ndëshkojnë njerëzimin. Rafaeli, nën frymën e Rilindjes, po i bënte homazh filozofisë antike duke përdorur koncepte të reja moderne si perspektiva.

Që në shekullin e 13, Thomas Aquinas (1225-1274) një dominikan dhe teolog i njohur i kohës së tij, bëri që Aristoteli u pranua të mësohej në universitete, dhe gjenitë e Rilindjes krijuan vepra ku krishterimi përziej dukshëm me humanizmin, siç u përmend më lart në veprat e Mikelanxhelos, Da Vinçi dhe Rafaelit.

Edhe Dante Aligeri ndoqi rrugën e Acquina-s në veprën e tij “Komedia Hyjnore”, ku në librin “Ferri”, udhërrëfyesi është poeti romak Virgjili, i cili ishte për Danten ashtu si Aristoteli ishte për Acquinas, dhe mëkatarët më të mëdhenj në ferr janë Juda që tradhtoi Krishtin dhe Bruti me Kasius-in që tradhtuan Çezarin.

Kisha luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen e civilizimit perëndimor përmes edukimit. Në vitet 1200 e më vonë, Kisha ngriti universitetet në Salerno, Bolonja, Paris, Padua, Oxford, Cambridge, Toulouse, Roma, Napoli, e shumë të tjera në Spanjë, si Palencia (1212), Salamanca (1230), Sevilje (1254) Pragë (1347) Vjenë, (1365) Erfurt (1379) Heideleberg (1385) Cologne (1388) dhe më vonë në shekullin e pesëmbëdhjetë në Skoci me universitetet St. Andrews, Glasgow, Aberdeen, etj. Në kontinentin e ri amerikan, të krishterët do ngrinin Harvard, Yale, etj.

Historia e Europës dhe e civilizimit perëndimor është e lidhur ngushtë me historinë greke dhe romake, me krishterimin dhe shkencën, me artin e bukur të Rilindjes dhe përkthimin e Biblës në gjuhët amtare, me veprat e mrekullueshme të Shekspirit dhe muzikën kishtare të Bahut. Ky është identiteti ynë, e shkuara jonë dhe duke shpresuar që kusarët e historisë të mos arrijnë ta dëmtojnë memorien tonë historike, kjo do të jetë edhe ardhmja jonë.

Ne jemi europianë që në zanafillë.

Asnjë shqiptar nuk duhet ta harrojë këtë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button