Sporti

Hungarezët na gëzojnë 3 herë, po kaq na hidhëron Portugalia

Ajo që në fillim dukej e pamundur, për pak sa nuk u realizua. Hungaria na dha tre herë shpresë, shpresë që u vra fillimisht nga Nani e më pas dy herë nga Ronaldo.
Hungaria dhe Portugalia barazuan 3-3 në një ndeshje më shumë dramatike për shqiptarët sesa vetë hungarezët e kualifikuar, apo portugezët që nuk mund të toleronin humbjen.
Sinjali i goleadës u dha që në minutën e 19, kur Gera shënoi një supergol për hungarezët. Portugalia gjeti golin e barazimit me anë të Nanit tre minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Fraksioni i dytë nis aty ku përfundoi i pari. Dzsudzsak riktheu avantazhin e hungarezëve dhe gëzimin e tifozëve shqiptarë, gëzim që zgjati vetëm 3 minuta, pasi Ronaldo barazoi gjithçka.
Pesë minuta më vonë mendon sërish Dzsudzsak për të ngritur në delir shqiptarët, por 7 minuta më vonë kundërpërgjigjet sërish Ronaldo.
Në minutat e mbetura, skuadrat u tërhoqën dhe me rezultatin 3-3 dhe me refuzimin e humbjes nga kjo përballje, u shuan edhe shpresat e Shqipërisë për të vijuar ëndrrën franceze edhe me të paktën një ndeshje.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit F, Islanda mposhti Austrinë 2-1 me një gol në sekondat e fundit të kohës shtesë dhe siguroi biletën e kualifikimit si e dyta në grup, ndërsa austriakët largohen nga ky europian me 1 pikë të grumbulluar në tre takime.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button