Home / Qeveritare / Kodheli në Gërdec: Po punojmë për ta fshirë nga harta e zonave të rrezikshme

Kodheli në Gërdec: Po punojmë për ta fshirë nga harta e zonave të rrezikshme

ministria-mbrojtjs1Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ishte sot në Gërdec ku mori pjesë në ceremoninë e çertifikimit të një zone të pastruar nga mbetjet e rrezikshme dhe dorëzimit të saj strukturave të pushtetit vendor. Deri tani, në zonën e cilësuar me mbetje të rrezikshme janë pastruar 36.042 m2, e cila i është dorëzuar komunitetit, ndërsa mbeten ende për t’u pastruar edhe 31.750 m2.
Ministrja Kodheli, pasi pa nga afër punën e bërë për pastrimin e kësaj zone, theksoi se ndonëse është bërë shumë për pastrimin e plotë të kësaj zone, po vijon të punohet pareshtur për ta kthyer atë në identitet dhe për ta fshirë nga harta si zonë e rrezikshme për banorët dhe komunitetin përreth.
Pasi falenderoi UNDP-në, Ambasadën Amerikane, Ambasadën Gjermane dhe të gjithë partnerët që kanë bërë të mundur vazhdimin e punës për pastrimin e Gërdecit, ministrja e Mbrojtjes tha se Shqipëria sot ka disa hot-spote, që ne jemi të vendosur t’i pastrojmë. “Kemi mundur të sigurojmë 1.2 milionë dollarë ndihmë dhe suport për pastrimin e tyre”, shtoi ajo.
Ministrja Kodheli, duke përcjellë mesazhin që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, theksoi se Gërdecin dhe zonën përreth tij, duhet ta kthejmë në një kopsht me lule, në një tokë pjellore, që punohet dhe prodhon për njerëzit e saj, për të ardhmen e tyre.
Gjashtë vjet më parë, më 15 mars 2008, si rezultat i shpërthimit ne një fabrike demontimi të municioneve në fshatin Gërdec (Tiranë), mbetën të vrarë 26 persona, u plagosën rreth 300 të tjerë, ndërsa u dëmtuan rëndë banesa, biznese, shkolla, qendra mjekësore, etj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.