Home / Parlamentare / Blushi: Presidentin ta zgjedhë populli, reforma nuk kuptohet

Blushi: Presidentin ta zgjedhë populli, reforma nuk kuptohet

Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi dhe deputetja Mimoza Hafizi propozojnë që Presidenti i Republikës të zgjidhet nga populli. Nga foltorja e Parlamentit, Blushi tha se ky amendament do të paraqitet në Kuvend, pasi sipas tij, populli shqiptar duhet të ketë të paktën një kompetencë për të zgjedhur një funksionar të lartë.

“Bashkë me kolegen Mimoza Hafizi, do sjellim një amendament që shpresoj ta pranoni në parim, që Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet nga populli shqiptar. Kush ka besim se populli shqiptar duhet të ketë një kompetencë, të zgjedhë njërin prej nesh, ta firmosë”,- tha Blushi Sipas deputetit socialist, kjo është e domosdoshme, pasi edhe me reformën në drejtësi, qytetarëve nuk u lihet asnjë kompetencë, por të gjitha i zgjedhin partitë.

Blushi tha se shqiptarëve u mungon informacioni për draftin e reformës në Drejtësi, duke u shprehur se gjithë procesi ka qenë i mbyllur dhe i pakuptueshëm për pjesën më të madhe të qytetarëve. Sipas tij për reformën po vendosin vetëm palët politike, dhe nuk janë pyetur aspak qytetarët.

“Nuk di nëse po i afrohemi apo largohemi reformës në drejtësi, por jam i bindur se drejtësisë po i largohemi më shumë se kurrë. Është pala mazhoritare, me të cilën s’po kërkojmë konsensus. Me ata që po rropaten çdo ditë, i janë marrë pronat, kanë vuajtur, absolutisht s’po i pyesim për reformën në drejtësi. Rilindja asnjë ditë nuk i ka përfaqësuar të varfrit e Shqipërisë, as ata që iu merren të drejtat çdo ditë.

Edhe nëse do ketë konsensus për reformën, populli nuk do pyetet, interesat e tij nuk do mbrohen në këtë parlament. Nëse arrijmë të bëjmë reformën në drejtësi, produkti do të jetë i panjohur. Në 18 muaj askush nuk u përpoq t’ia shpjegonte shqiptarëve se çfarë është reforma në drejtësi. në të kundërt kemi krijuar një sistem që është rrethuar nga flakë rrënimi. Përdorni ca fjalë BKH, KLP, SPAK, BKGJ që pyesni çdo shqiptar.

E s’besoj se i dinë pjesa më e madhe e shqiptarëve këto. Kjo reformë nuk do mbrojë të varfrit, por do mbrojë interesa të pak personave. Thoni që po presin ndërkombëtarët, por mirë këta mezi po presin siç thoni ju. Por shqiptarët? Çfarë presin? Po ata s’po kuptojnë asgjë. sepse kësaj klase politike i mungon themelorja, nevoja për të pyetur popullin, çfarë do, si e do dhe pse e do.

Dhe kjo reformë, jo vetëm që nuk i delegon asnjë kompetencë popullit shqiptar, por nuk i informon fare. Në Amerikë, prokurorët i zgjedh populli. Nuk po them të votohet nga populli, por kjo do të ishte një reformë. Prokurorët s’do ia jepni popullit asnjëherë, se e keni bërë një pakt për këtë, por nuk i dhatë asnjë person (që ta zgjedhë populli). Hajt t’ia japim Presidentin popullit.

T’ia kthejmë Presidentin popullit, ta zgjedhë ai. Ka të drejtë ta bëjë këtë. Çështja e kësaj reformë është si t’i japim apo jo kompetenca popullit shqiptar. Asnjë kompetencë s’po u jepet, por po u merren. I lihet popullit e drejta të zgjedhë partitë, dhe partive u lihet të zgjedhin për çdo gjë, madje të zgjedhin edhe vetë popullin. Se janë larguar mijëra shqiptarë për këtë situatë”,- tha deputeti Blushi.

Leave a Reply

%d bloggers like this: