Ekspozita

Një udhëtim natën në Shqipërinë socialiste

Fotografi italian, Antonio Fantasia, do të hapë më 28 qershor në Galerinë Zeta një ekspozitë me foto të realizuara në Shqipëri. Fantasia na sjell përmes këtij cikli fotosh një udhëtim natën përmes vendeve të braktisura të Shqipërisë socialiste, që dikur ishin simbole të një regjimi totalitar, ndërsa sot janë emblemë e sfidës së institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në përballjen me të shkuarën e mundimshme të regjimit. Shpesh, e shkuara socialiste e Shqipërisë qëndron e pa vënë re. Por mbetet gjithsesi në mendjet dhe kujtimet e njerëzve, merr trajtën e frikës dhe padrejtësive të mbetura të pandëshkuara. Një e shkuar thjesht e pathënë, e larguar nga drita e diellit, nga drita e ndërgjegjes. Veçse ndonjëherë kthehet natën për t’iu fanitur të mbijetuarve.
Godinat e fotografuara rrëfejnë këtë të shkuar që hiqet si e harruar. Ato lartësohen në vijën e horizontit të qytetit apo shndërrojnë territorin përreth. Janë godina të harruara – të pashembura e të pashfrytëzuara për qëllime të tjera. Shpesh janë pa pronarë dhe numri i saktë nuk njihet. Së bashku, përfaqësojnë të gjitha aspektet e jetës sociale dhe politike gjatë regjimit: industrinë, godinat ushtarake, sistemin hekurudhor, aeroportet, minierat, burgjet, kampet e punës, radiostacionet, statujat, monumentet dhe mauzoletë, rezidencat për nomenklaturën, vendet e pushimit. Ky udhëtim bashkon fotografitë me dëshmitë e njerëzve që i kanë përjetuar këto vende gjatë regjimit apo që janë të angazhuar sot me projekte rijetëzimi të tyre. Synimi është të rivendoset kujtesa kolektive dhe historike që lidhet me këto vende për t’i rimenduar dhe për t’u imagjinuar si peizazh kulturor dhe si burim për zhvillimin vendor. Rrënojat e një sistemi politik të shembur së fundmi, “zona të ndaluara” e shkuara e të cilave është ende e dukshme, mund të “zbulohen” nga artistë, planifikues, arkitektë, përfaqësues të komunitet dhe aktivistë si hapësira të artit publik, të përvetësimit kulturor, turizmit, prodhimit artizanal apo për qëllime të tjera përshtatjeje dhe ripërdorimi. Pjesë nga intervistat e mbledhura do të shfaqen në ekspozitë.
Fotografitë janë në shitje, në edicion të kufizuar, ndërsa përfitimet do të përdoren për botimin e një libri. Antonio Fantasia është fotograf i pavarur, që jeton aktualisht në Shqipëri. Ai bashkëpunon me institucione të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare, me sektorin privat, universitete dhe institucione publike.
Lindur dhe rritur në Romë, ai ka lëvizur pas diplomimit në Europën Juglindore, ku gjatë 10 viteve të fundit ka realizuar një sërë projektesh rreth pajtimit pas konfliktit, emigracionit dhe përfshirjes sociale. Ai është duke përfunduar foto-projektin me portrete me emigrantët e kthyer në Shqipëri, mbështetur nga Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM), në Tiranë. Në vitin 2015, ka dokumentuar krizën e refugjatëve në Maqedoni dhe në Serbinë Jugore, në bashkëpunim me Caritasin Italian dhe Caritas International. Nga viti 2011 deri në vitin 2013, ai ka punuar në foto – projektin mbi varfërinë dhe përjashtimin social, në periferi të Tiranës. Kjo punë është përzgjedhur dhe ekspozuar në Luça Photo Lux Festival në 2013.
Që nga viti 2014, ka punuar për projektin e ekspozitës së fotografisë natën, mbi objektet komuniste të braktisura, “Night of a regime”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button