Home / Opinion / Goditja e projektit të paqes!

Goditja e projektit të paqes!

Nga Artan Boriçi

Nuk është e vështirë të gjesh pakënaqësi në popull kudo dhe kurdoherë. Njerëzit e mëdhenj kanë bërë histori sepse kanë drejtuar energjitë e popujve në drejtimin e duhur. Britania ka patur mjaft të tillë, i fundit prej të cilëve është Uniston Çurçill. Përtej Britanisë, ai u bë lideri popullor i Perëndimit gjatë dhe pas luftës. Ai projektoi pikërisht atë projekt që e fundosi David Cameron duke dërguar britanikët në referendum.

Edhe sikur referendumi të kishte humbur, dita e djeshme do mbahej mend si goditja e projektit të Çurçillit për një Evropë në paqe dhe të bashkuar. Ka disa arsye për këtë. Nuk kishte çast më të gabuar për referendum se sa pas krizës së vitit 2008 dhe pas rritjes së forcave të ekstremit të djathtë në mbarë Evropën.

Britania ka marrë shumë prej Evropës që kur u bë pjesë e saj. Në dy dekada ajo u shndërrua, falë këtij Bashkimi, prej përfituese neto në paguese neto. Britanikët e ndjenë se ishin pranë me kontinentin prej të cilit ishin të ndarë në shekuj. Në referendum fitoi bota rurale kundrejt asaj urbane. Ka fituar gjithnjë dhe do të fitojë edhe në të ardhmen. Problemi janë, si gjithnjë, udhëheqësit e gabuar!

Referendumi për daljen nga BE është ngjarja më e madhe politike e Britanisë së pas luftës. Fatkeqsisht, e madhe, siç është Britania, por e gabuar, shumë e gabuar për mesazhin destabiluzues që përçon anekënd Evropës dhe Botës.

Rajone të rëndësishme të botës janë në kërcënimin e diktaturave dhe në prag katastrofash humanitare. NATO po merr masa për tu mbrojtur, Rusia e sheh veten të rrethuar, ndërsa vetë Amerika po shkon në votime më e pasigurt se asnjëherë. Ballkani nuk ka qenë asnjëherë më pranë paqes dhe demokracisë. Cila është shtysa e vendve me demokraci të brishtë për të ecuar përpara kur Britania largohet prej Bashkimit Evropian?

Shqipëria ndodhet përballë një dileme të madhe: forcimi i lirisë dhe demokracisë apo rikthimi në ditët më të zeza të saj para pushtimit fashist? Ne e dimë se çfarë ndodhi pas pushtimit. Asnjë shtet Perëndimor nuk e ndihmoi regjimin për të ardhur në pushtet. Fati deshi që Shqipëria të rreshtohej me popujt që luftuan kundër fashizmit dhe qeverive kuislinge, përndryshe do të shuhej nga harta gjeopolitike e botës.

Nuk ka asnjëherë paralele të përkryer, por bota ndodhet në një situatë ngjashmërisht të rrezikshme. Udhëheqësit e gabuar ndodhen kudo. Edhe vendet e Perëndimit nuk janë imune. Në çaste të tilla nuk të mëson fiqnji apo i huaji. Në çaste të tilla të mëson urtësia popullore dhe historia jote. Popujt që mbijetojnë dallohen në momente të tilla. Ne kemi treguar vlera në momente tepër kritike kur luftuam fashizmin dhe nazizmin, por historia kërkon prova të reja. Ajo nuk të fal po gabove. Shqipëria duhet të vazhdojë projektin e lirisë dhe demokracisë në alenacë me aleatin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.