Home / Opinion / BREXIT, Ballkani dhe Shqipëria
Andrea Stefani

BREXIT, Ballkani dhe Shqipëria

Nga Andrea Stefani

Një ide e madhe, ajo e ndërtimit të një bashkësie qytetare mbikombëtare, ka marrë një goditje të rëndë me votimin e britanikëve për daljen nga BE. Një goditje të rëndë por jo fatale. Të paktën për tani. Gjithçka do të varet nga zhvillimet e muajve që vijnë. Do të jenë vendimtare kostot dhe performanca e vetë Britanisë pas largimit. Një Britani që ndihet më mirë, një nxitje më shumë për të tjerë për të lënë BE. Një Britani më keq, më shumë vendosmëri për të vazhduar me BE. Lidhur me këtë edhe reagimi, në vetë BE, të 27 vendeve anëtare të mbetura do ketë shumë rëndësi. Do t’i qëndrojnë besnike EU apo do të kemi një reaksion zinxhir referendumesh që mund të shkaktonin një tjetër hemorragji. Britania e para dhe e fundit apo do pasohet nga të tjerë?

Ideja e integrimit demokratik të kombeve në një sovran (Demos) të vetëm europian është refuzuar, demokratikisht, nga një prej shteteve deri më sot anëtare të BE. Është, padyshim, një fitore e tendencave nacionaliste mbi ato integruese, e atyre izolacioniste mbi ato globaliste, e shteteve të mbyllura mbi shoqëritë e hapura, e kufirit dhe postobllokut mbi Shengenin.

Po cili do jetë ndikimi i këtij zhvillimi mbi rajone si Ballkani dhe vende si Shqipëria dhe ca fqinjë të saj që prej vitesh aspirojnë të integrohen në BE?

Në Ballkan, pasojat pritet të ndihen aty ky ka qenë sëmundja e vjetër e tij, nacionalizmi. Por edhe te proceset europanizuese me fillesë nga rënia e komunizmit. Ideja e integrimit të kombeve ballkanike në një shtet të përbashkët si BE, ka qenë deri më sot ombrellë e mirë për të përmbajtur a zbutur gjakimet nacionaliste dhe për ti kanalizuar ato drejt një perspektive bashkëjetese  në një shtet me përmasa kontinentale si BE ku kufijtë kombëtarë do të konvencionalizoheshin. Por a ja vlen të besosh më në një perspektivë të tillë nëse pas Britanisë edhe të tjerë shtete e braktisin BE si një anije që po mbytet? Pas kësaj do kish shumë të ngjarë që ballkanikët t’i ktheheshin ideve etnonacionaliste, projekteve të shteteve etnike duke, si të thuash, e marrë fatin e kombit në duart e veta. Dhe jashtë projektit europian të integrimit politik të kombeve, gjakime të tilla për një rajon si Ballkani, vështirë të mos provokojnë shkëndija konfliktesh dhe luftrash. Të paktën këtë na mëson historia.

Deri më sot qëndrimi i elitës politike shqiptare ka qenë për një bashkim kombëtar përmes integrimit në BE. Por që të nesërmen e natës që BREXIT mori një “Yes”, dolën zëra për një bashkim kombëtar jashtë integrimit europian. Nuk ka asnjë dyshim që tendenca të tilla populiste dhe etnonacionaliste do të nxjerrin kokën edhe në vendet e tjera të gadishullit që zien si një fole grenxazh nga mëritë dhe pasionet etnike deri më sot të mbajtura në surdinë nga perspektiva e një integrimi të përbashkët europian.

Shumë do të varet nëse 27 shtetet e mbetura (dhe shanset janë të shumta për këtë) do të mund të ruajnë kohezionin e BE dhe domethënien e projektit por nëse jo, pritet që shtete deri më sot të përfshira në procesin e integrimit të ndryshojnë kurs. Serbia për shembull, që ka manifestuar një luhatje jo të padukshme mes BE dhe Rusisë, nuk do të qe çudi që të drejtonte anijen përfundimisht për nga Lindja. Por kjo do të thoshte që edhe interesat dhe përfshirja e Rusisë në rajonin e Ballkanit, edhe për çështje të tilla si ajo e Kosovës, pavarësia e së cilës ende refuzohet nga Serbia, të fitonin një tjetër potencial konfliktual me shtrirje më të gjerë se vetë rajoni.

Për europianistët në Ballkan vijnë ditë më të vështira. BREXIT rrezikon të rrisë skepticizmin mbi projektin e BE dhe sigurisht që do të forcojë zërat antieuropianë që do e paraqesin integrimin të pakuptimtë madje të dëmshëm për ineteresin kombëtar. Bashkë me lëkundjen e besimit në perspektivën e BE mund të bjerë edhe dedikimi ndaj parimeve universale të lirisë dhe demokracisë që bashkëshoqërojnë këtë integrim. Dhe është e vështirë të besosh se në vende ballkanike si Shqipëria, Serbia, Maqedonia apo Mali i Zi, ekzistojnë elita politike që do të mbeten të dedikuara ndaj parimeve të lirisë dhe demokracisë edhe në mungesë të monitorimeve të fuqishme nga BE apo të paktën, nga SHBA, e cila duhet ta rishikojë rolin e saj të tërhequr në rajon, për të kompensuar kostot që proceset demokratizuese mund të kenë prej BREXIT në formën e një rënie të ndikimit të BE.

Një dobësim i monitorimit të reformave perëndimorëzuese (tashmë është më prudente të shprehemi kështu se sa vetëm europianizuese) do ta bënte më efektive rezistencën kundër tyre dhe më probabël dështimin. Është fjala për reforma shtetformuese si ajo në drejtësi që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri. Dështimi i reformave të tilla do të çonte në rritjen e shanseve të regresit drejt formave të vjetra të qeverisjeve autokratike dhe të korruptuara. Në të tilla rrafshe diplomacia dhe politika e BE duhet të shfaqet më e vendosur se kurrë për të dhënë sinjale mbijetese dhe vazhdimësie të vetë BE si realitet dhe ide për një botë më të mirë për të gjithë.

Në fakt, edhe votimi i britanikëve për të dalë nga BE është një votë për t’u kthyer prapa drejt një bote të vjetër që edhe ata vetë ja kanë parë sherret. Por duket ja kanë harruar. Dhe prandaj votuan që të braktisin projektin e një Bote të Re, atë të kombeve europiane të bashkuar në një Sovran, në një popull, në një demos. Dhe ka vetëm një shpresë për ta mposhtur botën e djeshme djajtë së cilës do të përdorin  BREXIT për tu ringritur. Që BE të qëndrojë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: