Home / Politika / PD, Pollo: Universitetet, me listë ndëshkimore

PD, Pollo: Universitetet, me listë ndëshkimore

genc-pollo-320x213Partia Demokratike ka vijuar të denoncojë reformën në arsimin e lartë të ndërmarrë nga qeveria e kryeministrit Rama, duke theksuar se opozita nuk është kundër ligjshmërisë, zbatimit të normave në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare për secilin universitet, publik apo privat, por, siç theksoi deputeti Genc Pollo, nevojitet një sistem kontrollues i tyre, jo me njerëz pa njohuri të mjaftueshme mbi legjislacionin, si në rastin e krye-inspektores së Ministrisë së Arsimit për institucionet e arsimit të lartë.

Gjithashtu, Pollo, në emër të Partisë Demokratike, kërkoi nga ministrja Nikolla, të bëjë transparent Vendimin e Këshillit të Ministrave mbi kriteret e vlerësimit të universiteteve dhe bërjen publike të gjetjeve dhe shkeljeve të bëra nga secili prej tyre.

“Kryeministri i kontrastit xhehnem-xhehnet, foli për universitetet publike e private, këtë radhë me pasoja të rënda. Duhet të theksojmë se PD është për ligjshmëri, zbatim të normave në fuqi dhe standardeve ndërkombëtare. Madje, kur këto shkelen, jemi për masa sipas shkeljes së bërë. Është e nevojshme ngritja e një regjimi kontrollues për zbatimin e këtyre normave.

Por, në Shqipëri, kontrollorët janë marrë pa njohuri të mjaftueshme mbi legjislacionin, për rregullat e nevojshme dhe standardet, si në rastin e krye-inspektores me doktoraturë false.

Është e qartë që raporti zyrtar përfundimtar i Ministrisë mban listën e universiteteve të ndëshkuara, por në asnjë rast shkeljet që kanë kryer ato, duke mos e bërë transparente këtë gjë dhe duke lënë vend për dyshime, se mbi cilat kritere janë bërë vlerësimet e universiteteve.

Vetëm me detajimin e këtyre shkeljeve do të kishim mundësi të gjykonim, nëse është e drejtë apo jo, mbyllja e njërit universitet, heqja e licencës për një tjetër, pezullimi për një kohë të caktuar dhe përse një tjetër nuk është ndëshkuar.

PD kërkon transparencë të plotë të gjetjeve dhe shkeljeve nga ministrja Nikolla. Dimë se VKM nuk është publikuar as në adresën e Këshillit të Ministrave, pavarësisht se të gjitha vendimet e tjera janë bërë publike.

Veç mbylljes së jashtëligjshme, që nuk dihen mbi ç’kritere janë bërë, nuk dihet edhe se ku janë bazuar për të përcaktuar kuotat e pranimeve të reja nëpër universitete, të cilat janë ulur ndjeshëm kudo, duke ditur se nuk janë bërë as konsultime me palët e interesuara.

Mendojmë, se ashtu siç ndodhi me operacionin “Fund marrëzisë”, ku pas mbylljes së disa prej lotove, lulëzuan edhe shumë të tjera, presim të shohim se si do të rilindë arsimi i lartë në Shqipëri”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.