Ekonomia

Konçesioni i Bulqizës, qeveria zgjat deri në 2041 kontratën me privatin

Qeveria ka miratuar një projektligj, i cili zgjat edhe me 10 vjet të tjera afatin e konçesionit të minierës së kromit në Bulqizë.

Drafti, i cili zotërohet nga Top Channel amendon marrëveshjen ekzistuese të konçesionit duke i dhënë të drejtën kompanisë private që ta shfrytëzojë minierën deri në vitin 2041.

Burime nga qeveria thonë se zgjatja e afatit është e lidhur me investimet shtesë që do të kryejë konçesionari në minierë.

Sipas tyre, në marrëveshjen e re parashikohet që kompania private të investojë edhe 24 milionë euro të tjera shtesë në zëra të paracaktuara nga Ministria e Energjitikës, të cilat do të ndikojnë në rritjen e jetëgjatësisë së minierës.

Në dokumentat që shoqërojnë marrëveshjen e re, qeveria thotë se këto para do të investohen në hapjen e pusit numër 9, si dhe tranverbankun e Klosit. Gjithashtu, sipas dokmentave, këto investime do të bëjnë të mundur që të nxirren edhe rreth 700 mijë tonë rezerva të tjera kromi.

Sipas qeverisë, në bazë të përllogaritjeve të bëra nga plani i biznesit, konçesionari privat ka kërkuar një shtyrje me afat më të gjatë kohor sesa 10 vjet. Por pavarësisht këtij propozimi, qeveria thotë se është gjykuar dhe negociuar që afati të shtyhet me 10 vjet.

Ndërkohë, veç konçesionit të Bulqizës, qeveria ka shtyrë me 10 vjet edhe afatin e konçesionit për Uzinën e Ferrokromit në Elbasan dhe për minierat e kromit të Prrenjasit e Pojskës, të cilat zotërohen po nga i njëjti konçesionar.

Marrëveshja e konçesionit të Bulqizës është nënshkruar në vitin 2001 me afat fillestar 30 vjet. Por me ndryshimet e reja ky afat zgjatet në 40 vjet dhe përfundon në vitin 2041.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button