Home / Arte / Kur baleti, rrëfen gjuhën e kohës

Kur baleti, rrëfen gjuhën e kohës

Pesë koreografë të rinj do të ngjisin veprat e tyre në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit

Trupa e Baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit është kthyer nga Italia ku ishte pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar “Festival internazionale della danza e delle danze” që u zhvillua në Nepi të Italisë. Balerinët janë kthyer me trofe nga ky event i rëndësishëm duke marrë çmimin “Lo Schiacianoci D’oro” pikërisht në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Trupa shqiptare u prezantua në festival me dy performanca, një pjesë baleti modern, “No Commeco” të Daniel Cardoso dhe një pjesë baleti klasik të shkëputur nga La Sylphide. Ndërkohë, në Teatrin e Operës dhe Baletit ka nisur puna për edicionin e katërt të projektit Koreolabos, i cili tashmë është kthyer në një traditë që mbyll sezonin artistik në TKOBAP. Këtë vit në skenë do të ngjiten pesë koreografë të rinj dhe pesë pjesë koreografike, kryesisht moderne, të cilat do të sjellin në skenë, përjetimet, perceptimet, emocionet e krijuesve të rinj, ndërthurur me traditën dhe folklorin. Artisti Blenard Azizaj dhe Maya Gomez do të ngjisin në skenë veprën “Toka e askujt” me muzikë të Ran Bagno. Duke qenë në skenë dhe balerinë dy artistët do të sjellin një vepër e cila tregon për barrierat, për rrugën drejt të panjohurës, për përshtatjen, migrimin dhe ndryshimin. Tregon se çfarë i shqetëson individët kur janë në një territor të njohur, dhe kur largohen prej aty, sa e vështirë është të vendosësh kufij dhe të luftosh për lirinë…tregon për gjëra që i marrim si të mirëqena, por që i vlerësojmë vetëm kur nuk janë më… Një pjesë e mbushur me energji, e thellë dhe e ashpër, por në të njëjtën kohë shumë emocionale, frymëzuese me një bukuri të veçantë, ku trupat njerëzor ndërveprojnë me hapësirën dhe me njëri-tjetrin derisa shuhen…duke tejçuar te spektatori të vërteta të humbura dhe duke i tërhequr ata në një vorbull lëvizjesh harmonike. Koreografi Elton Cefa do të sjellë pjesën “Vazhdon…” me muzikë popullore shqiptare (pogonishte) nën interpretimin e Nertil Xhanit dhe Mateo Nushit. Thelbi i kësaj pjese është ruajtja e materies sonë shpirtërore.

“Edhe sot popujt vazhdojnë të migrojnë, nga vendet ku ka luftë dhe konflikt drejt një bote të paqtë…një zgjedhje e vështirë, më një rrugë po aq të vështirë me jetë të humbura e dhimbje, e përpos këtyre vështirësive, del në pah mbështetja e solidariteti për t’i bërë ballë realitetit. E gjitha kjo mbart në vetvete emocione dhe mesazhe të cilat do të transmetohen me gjuhën e trupit të kuruar në stilin bashkëkohor”, shprehen dy artistët. Koreografja Jera  Çurçija do të sjell veprën “Rituali i pasqyrës” nën interpretimin e Olta Ahmetajt. Vepra do të sjellë ritualin para dasmës së një vajze në krahinën e veriut të Shqipërisë. Emocionet, dilemat që ka pak para çastit të madh, pak para se të vijnë ta marrin. Një monolog i ndjerë, sensual, lidhja e brendshme me ndjenjën e saj dhe me ritin… Një nga momentet më të rëndësishme në jetën e një vajze vjen e trajtuar në mënyrë pak më moderne, por pa iu larguar ritualit të krehrit dhe pasqyrës, një ritual i cili zhvillohet në zonat e thella të Shqipërisë, por që ekziston brenda çdo femre… Julind Dervishi do të ngjisë në skenë “Fanaticum” duke sjellë në skenë balerinë që do të sjellin imazhin e një familjeje të kohës sotme. Vepra do të hulumtojë në një fenomen të vjetër, por akoma prezent në familjet tona. Familja patriarkale, babai i gjithëpushtetshëm, fanatizmi…Fëmijë të lindur në një botë tjetër, me ide dhe dëshira dhe një frymë të re, ku femra nuk është e nënshtruar, por e fortë dhe di dhe do që të vendosë vetë për fatin e saj. Një familje në një botë që ndryshon, por që babai kërkon me ngulm të mbrojë zakonet e vjetra, ku nëna ofron vetëm një model, femrën e përulur që rrit dhe kujdeset për fëmijët…por ndryshimi është i pashmangshëm, vajza e madhe me një shpirt të guximshëm dhe rebel, ngrihet kundër një martese të rregulluar nga babai për të jetuar dashurinë e saj, edhe demat nuk tregohen aq të guximshëm ndaj dikujt që tregon qëndresë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.