Opinion

Funksionimi cilësor i BSH – prova, performanca e sistemit – sprova

Banka-e-Shqiperise1-320x180Ernest Gjuraj

Kemi pasur gjithmonë besimin se Banka e Shqipërisë si rregullatore e sistemit financiar shqiptar, do të luante cilësisht dhe profesionalisht rolin e saj, në funksion të stabilitetit financiar në Shqipëri. Kjo piramidë rregullatore duket se është në rrezik kolapsi, pa dashur të themi se realisht ka rënë. Parë nga syri i një auditori që kërkon, pret, shpreson dhe bindet se pozicioni i Bankës së Shqipërisë është solid dhe garanton siguri, ngjarja e fundit nuk ka se si të mos e nxisë imagjinatën më tej, te hallkat e tjera të sistemit financiar që Banka e Shqipërisë mbikëqyr dhe kontrollon.

Nuk do t’i jepja të tilla përmasa humbjes që u shkaktua nga zhdukja e disa qindra miliona lekëve të thesarit të shtetit shqiptar nëse, përmasat reale të këtij dëmi nuk do të ishin më të mëdha dhe më tronditëse, nëse do të kishim të bënim thjesht me një vjedhje qoftë kjo edhe e mirorganizuar. Por, në këtë rast, kemi të bëjmë me lëkundjen e besimit të institucionit që mbikëqyr, kontrollon, ruan stabilitetin financiar, krediton biznesin, u shërben qytetarëve shqiptarë, si motori i zhvillimit ekonomik të vendit.

Baza e zhvillimit të një shteti pa dyshim është konsolidimi i ekonomisë së tij, stabiliteti financiar dhe formalizimi i ekonomisë. Bankat e nivelit të dytë të konsideruara si sipërmarrje me peshë specifike të lartë në sipërmarrjen shqiptare, duhet ta kryejnë funksionin për të cilin janë themeluar konform ligjit, monitoruar dhe vëzhguar nga Banka e Shqipërisë dhe institucionet publike të përcaktuara me ligj përmes platformës operacionale cilësisht të formalizuar mbikëqyrëse dhe monitoruese. Çdo individ, biznes i vogël e deri te korporatat në përgjithësi dhe ato financiare në veçanti në ekonominë shqiptare të tregut, kanë tendencën të rrisin fitimet edhe përmes shmangies sado pak nga ligji. Konsekuenca e zbatimit të ligjit për korporatat financiare duhet të jetë e patolerueshme, sepse në të kundërt do të impaktojë të gjithë sistemin e biznesit e më tej ekonominë shqiptare në tërësi.

Ashtu siç të shkund fakti se, një seri vjedhjesh apo krimesh ordinere ia lënë vendin krimit të organizuar, duke hequr paralele, të frikëson fakti se piramida e sistemit financiar po lëkundet, se kupola e këtij sistemi po bie. Dhe kur kupola bie, hallkat e zinxhirit që ajo tendos dhe drejton lëvizin në mënyrë kaotike duke impaktuar ekonominë e vendit.

Në këtë moment, i gjithë spektri politik duhet ta thotë fjalën e vet, dhe ndoshta është momenti të jetë më e bashkuar se për asnjë çështje tjetër. Në të kundërt është ajo vetë, që do të shembet si një piramidë prej rëre. Pra, është në interesin e politikanëve shqiptarë, që të performojnë qoftë dhe vetëm për të ruajtur karrierën e tyre, të diagnostikojnë këtë fenomen, duke kthyer besimin në sistemin financiar shqiptar dhe në ekonominë shqiptare. Në të kundërt do të jetë ky fenomen ekzistues, që do të marrë me vete këtë klasë politike në tatëpjetën në të cilën gjendet. Referenca të ngjashme ka.

A nuk ndodhi kështu në Greqi? Kriza greke ishte krizë financiare që tundi shtetin dhe ekonominë nga themelet. Ishte rasti klasik i abuzimit të klasës politike me financat publike dhe sistemin financiar. A mos duhet edhe ne të presim derisa shteti të vihet në pikëpyetje, që ekonomia të lëndohet dhe dobësohet, në një kohë që nuanca të vogla të rritjes ekonomike na bëjnë optimist?

Nëse hedhim vështrimin në më shumë së një dekadë përpara në SHBA, ishte falimentimi i dy kompanive të mëdha Enron dhe Worldcom që pati impakt negativ në të gjithë botën. Paketa me planin e masave të qeverisë amerikane ishte vendimtare, që nga rishikimi i legjislacionit dhe deri te mirëfunksionimi dhe zbatimi i tij, lidhur me qeverisjen e korporatave amerikane, tashmë me legjislacion të ri pati ndikim dhe bëri ndryshimin e madh. Qeveria dhe politika shqiptare i ka modelet për të implementuar dhe për të përshtatur.

Sistemit financiar shqiptar duhet t’i kthehet besueshmëria dhe nuk duhet të përfundojë vetëm me ndjekjen penale të disa operatorëve përgjegjës për veprimet apo mosveprimet e tyre, apo edhe me përvetësuesit e kësaj pasurie, për të cilët patjetër drejtësia do ta thotë fjalën e saj.

Masat duhet të jenë shumëplanëshe në të gjithë sistemin financiar, që nga politikëbërja e deri tek aplikimet operacionale ku ligji duhet të prevalojë dhe të udhëheqë gjithë këtë veprimtari.

Ky fenomen, që ka të bëjë me cenimin e sigurisë kombëtare dhe besimin te sistemi financiar, aktualisht është një temë e hapur, që ka vënë në provë klasën politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare.

A do ta kalojë politika dhe shoqëria shqiptare këtë provë… kur dhe cili është modeli për ta kaluar atë?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button