Amerika

Siguria kombëtare, CIA: Më shumë sfida pas “Brexit”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me sfidën më të vështirë të sigurisë në një brez pasi Bashkimi Europian u zhyt në krizë nga largimi i Britanisë së Madhe.

Kështu deklaroi drejtori i CIA-s John Brennan, i cili theksoi se “Brexit” nuk do të dëmtojë bashkëpunimin me Shërbimin Inteligjent Britanik, Mi6, në luftën kundër terrorizmit. Por ai sugjeroi se BE-ja, një pishtar paqeje dhe stabiliteti që prej rënies së Murit të Berlinit, tashmë do të jetë e shqetësuar me largimin e Britanisë.

“Në 36 vjet karrierë, nuk kam parë kurrë kaq shumë sfida ndaj sigurisë së kombit. Nga të gjitha krizat me të cilat është përballur BE, “Brexit” mund të jetë më e madhja. Largimi britanik po e fut BE-në në një periudhë të paqartësie që do të prekë gjithçka që unioni bën në javët, muajt dhe vitet e ardhshëm-deklaroi Brennan.

Si një tjetër efekt negativ, drejtori i CIA-s përmendi euroskeptikët në shumë vende europiane që po kërkojnë referendume si ai britanik dhe kjo do ta bëjë vendimmarrjen dhe konsensusin e jashtëm edhe më të vështirë në BE.

Asnjë vend anëtar nuk e ka lënë më parë Unionin dhe sipas Brennan, ndërsa BE dhe Britania po zënë pozicionet negociuese, periudha e pasigurisë është e pashmangshme dhe diskutimet për “Brexit” do të dominojnë Europën, duke lënë pas dore çështje të tjera si ato të sigurisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button