Libri

Dino Buzzati / Burri me xhaketë bezeje

2-Almerina-e-Dino-Milano-_640-320x240Ajo nuk harronte asnjëherë shallin në shëtitjet e mbrëmjes. Teksa era luhatej rrugëve të Milanos, ajo fuste lehtë krahun te Dino dhe vijonte të dëgjonte rrëfimin e tij. Historitë që shoqëronin këto shëtitje ishin të ndryshme nga mbrëmja në mbrëmje. “Ishte sikur të ecje duke lexuar një libër dhe të shihje diellin që rrokullisej me shpejtësi e humbte ndërtesave të qytetit”, do të shprehej më vonë Almerina Buzzati, gruaja e shkrimtarit të njohur italian Dino Buzzati. Ajo e deshi që kur lexoi tregimin e tij të parë. Ashtu mes rreshtash përfytyroi burrin që mund t’i kishte shkruar. Më pas, kur u takuan në kafenenë pranë “Corriere della Sera” ku Buzzati punonte si gazetar, ajo nuk dyshoi më në ato çfarë kishte menduar më parë për këtë burrë. Ende pa i mbushur të 30-at, vetëm 28 vjeç, Almerina Buzzati vendosi të bashkëjetonte me një prej penave më të mira të letërsisë italiane të shekullit XX, Dino Buzzati, në atë kohë 63 vjeç.

Almerina Antoniazzido ta ndiqte pas kudo, e veshur ashtu siç na shfaqet në foto, geta me rrjetë dhe funde mbi gju dhe një peliçe të zezë. Në vitin 1967, në një foto ajo shfaqet teksa e sheh me adhurim, atë mes një grupi artistësh. Dino jetonte ashtu siç shkruante. Jeta e tij rrokullisej në ditë të ngjashme me personazhet që ai la pas. Por i tillë ishte Dino Buzzati, ai mund të vraponte vetëm pas momenteve që e tërhiqnin nga larg. I lindur në një familje ku librat zinin të gjitha faqet e murit, ai do të tërhiqej që i vogël nga shfletimi i tyre. Për 12 vite ai studio piano dhe violinë, por më pas vendosi t’i braktisë studimet. Pas vdekjes së të atit, në moshën 14-vjeçare, Buzzati regjistrohet në Liceun e Milanos, ku njihet me Arturo Brambilla, i cili në vazhdim do të jetë edhe miku i tij më i mirë. Të dy, jo rrallëherë, u përballën edhe në duele shkrimesh, prej të cilave do të dalë edhe prodhimi i parë letrar i këtij autori. Me Brambilla–n do të nisë edhe një korrespondencë e vazhdueshme deri në vdekjen e parakohshme të mikut të tij të ngushtë, ngjarje që la gjurmë të thellë në jetën e Buzzati-t. Qysh në rini ai nis të mbajë një ditar ku vazhdimisht shkruante mendimet dhe ngjarjet e ndodhura.

Ndihet mjaft i tërhequr prej gazetarisë dhe ja ku në vitin 1928, pa i përfunduar ende studimet, hyn si praktikant në gazetën “Corriere della Sera”. “Sot hyra në ‘Corriere’, kur do të dal prej saj? – shpejt, ta them unë, i zbuar si një qen”, shkruante ai në ditar. Puna në media do ta frymëzonte për të shkruar një nga veprat e tij më të mira “Shkretëtira e Tartareve” përkthyer në shqip nga Dritan Çela. “Për shumë kohë, unë punoja çdo natë në redaksi. Ishte një punë e rëndë dhe monotone. Muajt e vitet kalonin dhe unë pyesja veten nëse gjithçka do të vazhdonte kështu, nëse shpresat, ëndrrat e pashmangshme me moshën e re, do të veniteshin pak e nga pak, nëse rasti i moshës sime e të tjerë shumë më të vjetër, që i merrte e njëjta rrymë e lehtë lumi dhe pyesja veten nëse edhe unë një ditë do të gjendesha në të njëjtat kushte si edhe kolegët me flokë të bardhë, në prag të pensionit, kolegë me pamje të zymtë që nuk do të linin pas veçse një kujtim të zbehtë që do të fshihej shpejt. Është e qartë se e njëjta situatë paraqitet në çdo lloj pune, në çdo profesion e karrierë. Ishte pra një temë pak a shumë universale, një makineri, ingranazhet e së cilës më kishin mbërthyer edhe mua…”, – tregonte Buzzati. Për gati një vit ai e përfundoi historinë që flinte çdo ditë brenda tij. “Punoja gjithmonë në kushte ideale, pra natën kur kthehesha nga gazeta, rreth orës 02.30 të mëngjesit, atëherë kur nuk kisha gjumë, kur mendja ishte krejtësisht e kthjellët dhe kur ndërgjegjja e dinte se nuk ekzistonte asnjë mundësi shpërqendrimi. Shkoja në shtrat e ashtu ulur shkruaja në një fletore që sot nuk e di ku ka përfunduar”, do të shprehej Buzzati në një intervistë. Në mars të vitit 1939 teksa bëhej gati të shkonte për punë në Addis Abeba si i dërguar special i “Corriere”-s ai e çon librin në shtëpinë botuese. Korrigjimet e fundit sipas këshillave të botuesit, i bëri kur ndodhej në Afrikë. Në kapakun e botimit të parë të “Shkretëtira e Tartareve” në fotografinë me një sfond të verdhë, Dino Buzzati shfaqet i veshur me një xhaketë bezeje, me një këmishë me jakë të hapur, ndoshta me duar mbi ije. Shikimi është melankolik, si i fiksuar mbi një shkretëtirë, ndërsa flokët e valëzuar janë të shndritshëm. Dhe pranë lexojmë: “Dino Buzzati, lindur në Belunio më 1906. Ka jetuar gjithmonë në Milano dhe punon prej shumë vitesh në ‘Corriere della Sera’. Buzzati është një shkrimtar i lidhur me kohën që jetoi. Lufta do të linte gjurmë te letërsia e tij, po aq sa brenda tij. Më 10 qershor, në Romë, dëgjon fjalimin e Mussolini-t dhe shpalljen e luftës. I thirrur nën armë, niset nga Napoli mbi kryqëzorin Fiume si korrespondent lufte dhe arrin zonën e operacioneve detare të Mesdheut. Në bordin e luftanijes Trieste merr pjesë në betejën e Kepit të Tauladës. Në vitet ‘50 ai njihet me balerinën Silvana F, të “La Scala”, së cilës i kushton romanin “Një dashuri”. Kjo do të ishte një dashuri torturuese për Dinon, i cili shkruan në ditar: “E vetmja gjë, për të shpëtuar, është ta shkruaj. Të tregoj gjithçka, të bëj të kuptohet ëndrra e fundit e burrit që është te porta e pleqërisë. Dhe, në të njëjtën kohë ajo, mishërim i botës së ndaluar, të rremë, romanceske e përrallore, në kufijtë e së cilës kishte kaluar gjithmonë me përbuzje dhe dëshirë të errët”. Njohja më vonë me Almerinën do t’i jepte një tjetër dimension jetës së tij. Në mars të vitit 1965, Dino shkoi në Pragë, ku vizitoi shtëpinë e Kafkës, shkrimtari i tij i preferuar. “Dhe pastaj thonë se jam unë ai që imitoj Kafkën. Jo, është vetë jeta!”, do të shprehej ai. Autor bocetesh e pikturash të ndryshme, Buzzati merr pjesë në ekspozita të ndryshme, duke deklaruar se e konsideron pikturën jo si një hobi, por si profesionin e tij. Në një diskutim autoironik, publikuar në katalogun e një galerie arti, ai pranon se e pikturuara dhe e shkruara për të, në fund të fundit janë e njëjta gjë. “Nuk ka rëndësi në pikturoj apo shkruaj, pikësynimi im është të arrij atë që dua, të rrëfej histori”. Në vitin 1961 në një intervistë me Paolo Monelin ai shprehej: “Ka individë… që piqen vonë, shumë të shtyrë në vite. Unë duhet të jem njëri prej tyre. Shumë gjëra nuk i kuptoj ende, të tjerat i kam kuptuar kur nuk më shërbente më t’i kuptoja. Dashuria për gruan, them dashuria, jo të shkuarit në shtrat, xhelozitë, lotët e pasionit, dëshira për të vdekur, ose madje për të vrarë veten, kënaqësia e dëshpëruar që të vuash për një mosmirënjohëse, për një të pabesë, të gjithë këtë e kam zbuluar vetëm në këto kohë. Nuk di të them nëse jam bërë më në fund i pjekur, apo sapo i kam arritur tani njëzet vjetët e vërtetë”. Me “Poemë me vizatime”, ai do të nderohet me çmimin “Paese Sera”, në vitin 1970. Më pas ai sëmuret rëndë dhe mbyll sytë përgjithmonë në Milano më 28 janar 1972, në moshën 65-vjeçare, një pasdite me borë dhe erë, mes kllapisë e dhimbjes, i mbërthyer nga një sëmundje e pashërueshme. “Më kujtohet shëtitja jonë e fundit në Cortina. Ishte mjaft i sëmurë, por nuk donte ta thoshte. Preferonte të bënte sikur u besonte atyre që i thoshin mjekët të cilët flisnin si disa personazhe të tregimeve të tij, duke u munduar të jepnin besim në atë që thoshin, të fusnin të dridhurat deri në kockë pikërisht për atë që nuk thoshin…”, do të shprehej më vonë miku i tij, Indro Montanelli. Dino Buzzati është një shkrimtar i thellë, që me stilin e tij arrin të depërtojë lehtë dhe të lërë gjurmë gjatë në mendjen e një lexuesi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button