Ekonomia

Gjallërohet kredia për ekonominë në maj, bankat i kthehen valutës

Huadhënia për ekonominë ka shfaqur shenja gjallërimi në maj, pas muajsh të tërë kur ishte futur në ngërç. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë në fund të muajit maj arriti në 551 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 0.7% me bazë mujore. Ky është zgjerimi më i madh mujor që nga nëntori 2014.

Efektin kryesor në këtë përmirësim të kreditimit e dha huaja për korporatat e tjera jo financiare (bizneset), kryesisht në valutë, që u rrit me 1% me bazë mujore.

Është gjallëruar edhe huaja për individët, kryesisht në lekë, që ka parë një rritje prej 1.2%.

Megjithatë, me bazë vjetore, rritja e huasë vijon të jetë negative, prej -1.6%. Ritmet e rënies janë zvogëluar gjithsesi, në raport me prillin, kur ishte 2%.

Me bazë vjetore, rënien më të lartë e shënoi kredia për korporatat në valutë, me -5.3%, pasi bankat kufizuan kredinë në valutë për klientët si rrjedhojë e rrezikut më të lartë. Megjithatë, maji shënoi një kthesë të politikës së bankave në drejtim të huave në valutë për korporatat jo fnanciare.

Dy vitet e fundit huaja për ekonominë ka qenë shumë e dobët, duke reflektuar kërkesën e dobët të biznesit, që ka frenuar investimet, por edhe kujdesin më të lartë të bankave në kredidhënie, pas nivelit të lartë të huave të pakthyera në afat, që vijon të mbetet në rreth 20%të totalit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button