Home / Presidenciale / Nishani rikthen në Kuvend ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”

Nishani rikthen në Kuvend ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”

0401-PRESIDENCA-1-660x301Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ktheu sot për rishqyrtim në Kuvend disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Shkollën e Magjistraturës”, të miratuara në parlament më 24 korrik. Në dekretin që shoqëron arsyet mbi të cilat i kërkohet Kuvendit rishqyrtimi i këtij ligji, Kreu i Shtetit argumenton se ndryshimet ligjore për funksionimin e Shkollës së Magjistraturës janë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk janë të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik.
Sipas Presidentit, deputetët propozues nuk kanë justifikuar dhe arsyetuar në mënyrë bindëse nevojën e ndërhyrjes në ligj dhe sidomos në strukturat e kësaj Shkolle dhe në stafin akademik, kur pranohet se ka treguar “një nivel profesional të admirueshëm, që duhet të shihet dhe evidentohet si një ndër çelësat e suksesit të kësaj shkolle”.
Po ashtu, nënvizon z. Nishani ndryshimet e bëra në nenin 6 pika 1 shkronjat “ç”, “e” dhe “f” , në nenin 7 dhe shtimi i nenit 7/1 të ligjit nr. 9136, datë 31.7.1996, “Për Shkollën e Magjistraturës”, prishin ekuilibrat e vendosur në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, i cili ka funksionuar në përputhje me parimin Kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
“Me përbërjen e re të Këshillit Drejtues shihet qartë se shtohet pjesëmarrja e pushtetit ekzekutiv në këtë Këshill dhe përjashtohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë i cili sipas ligjit dhe Kushtetutës është “është autoriteti shtetëror përgjegjës për mbrojtjen, emërimin, transferimin, shkarkimin, edukimin, vlerësimin moral e profesional, karrierën, dhe për kontrollin e veprimtarisë së gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit”, arsyeton Presidenti i Republikës.
Ai thekson se përveç heqjes së kompetencës për emërimin e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës nga KLD, ulet numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve (nga 2 në 1 për secilën kategori) që janë pjesë e Këshillit Drejtues dhe kushtëzohet përzgjedhja e gjyqtarit anëtar të Këshillit Drejtues nga Konferenca Kombëtare Gjyqësore dhe jo nga KLD.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të KLD-së në Këshillin Drejtues të Shkollës së Magjistraturës është e vetmja mundësi e këtij institucioni për të qenë pjesë e vendimmarrjes në procesin e propozimit dhe emërimit të gjyqtarëve dhe përjashtimi nga kjo pjesëmarrje bie ndesh me nenin 136 pika 4 të Kushtetutës.
Sipas Kreut të shtetit ndryshimet që sjell ky ligj, përjashtimi i KLD-së nga pjesëmarrja në Këshillin Drejtues, de facto i heq kompetencat kushtetuese këtij institucioni dhe Presidentit të Republikës për emërimin e gjyqtarëve të rinj, duke i lënë thjesht kompetencën për të bërë shpërndarjen e magjistratëve në vendet vakante.
Lidhur me ndryshimi e procedurës së rekrutimit të magjistratëve të parashikuar në nenin 17, ngritja e një komisioni me mjek psikiatër dhe psikolog për të dhënë një “leje aftësie për ushtrimin e profesionit të gjyqtarit apo prokurorit” është antikushtetuese.
Gjithashtu, Presidenti arësyeton se kriteret e vendosura për zgjedhjen e Drejtorit të Shkollë së Magjistraturës janë të ekzagjeruara duke përbërë në thelb kritere tepër përjashtuese dhe absolutisht diskriminuese.
Lidhur me fuqinë prapavepruese të ligjeve duhet t’i referohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 9, datë 26.02.2007 në të cilin shprehet se: “Si rregull, ligjet i shtrijnë efektet e tyre për kohën e ardhshme dhe fuqia prapavepruese e tyre zbatohet në raste përjashtimore, sepse në të kundërt mund të krijohen situata me pasoja të paparashikuara. Teoria e së drejtës pranon se fuqia prapavepruese zbatohet si përjashtim si për shembull në ligjet penale favorizuese, në ligjet që ndërhyjnë për të rregulluar me ligj situata të paligjshme të krijuara më parë, në ligjet që interpretojnë anët e errëta ose të paqarta të një ligji të mëparshëm e në ndonjë rast tjetër ku paraqitet domosdoshmëria për të shmangur pasoja të rënda, negative ose të pandreqshme”.
Për sa më sipër, ndryshimet ligjore që sjell ky ligj, janë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk janë të justifikuara dhe shkelin parimin e sigurisë juridike në një shtet demokratik.

Leave a Reply

%d bloggers like this: