Libri

I fundmi i Perucëve ose Ungjilli sipas Bletëve

Në ligjëratën e tij gjatë marrjes së çmimit “Nobel” më 1998, shkrimtari José Saramago, qysh në rreshtat e parë rrëfen marrëdhënien e gjyshërve të tij (rrëfenjat dhe personazhet e të cilëve dita-ditës i shumëfishoheshin dhe rriteshin në imagjinatë) me derrat, dhe si kjo marrëdhënie ishte kaq e fortë, në mos kërthizore, saqë kur dosa lindte gicat gjatë dimrit

Nga Rigel Rizaj

“Kujtesa ime është një bashkëshorte besnike dhe imagjinata ime është një vajzë e vogël që, ndryshe nga unë, i rri punës në krye tërë ditën”, shprehet Søren Kierkegaard (Frikë dhe drithërimë, Pika pa sipërfaqe, f.38), por ajo për të cilën do ju lipset të lexoni nga radhuesi i këtyre germave, nuk shpreh kujtesën e një njeriu të vetëm, por të disa njerëzve me lidhje gjaku mes tyre, të trashëguara te një kërcu i vetëm, i cili doemos s’ka si të mos jetë kredhur në një ngatërresë mes kujtesës dhe imagjinatës. Filli mes të dyjave është po aq dinak sa ai i Penelopës, pasi kujtesa, po aq sa sajesa, janë herë-herë plotësuese të njëra-tjetrës e herë-herë një plojë e nënvetëdijshme te cilido, se cila mund të joshë më tepër. Pré e saj s’ka si mos të jetë as rrëfyesi i kësaj historie, një ngatërrestar në pemën gjenealogjike të njërës prej familjeve më të këndshme që mund të kemi hasur: I Peruzzi. “Ishte një eksod”, këtu nis të tirret filli familjes e cila vendos të mbajë mbi supe, gjatë deportimit nga veriu në Agro Pontino, jo vetëm historinë e saj, por edhe përgjasimin me gjithë historitë e gati dhjetë mijë familjeve të tjera, “Të sjellë mes aventurës, në mes të njerëzve të huaj që flisnin një gjuhë tjetër”. Ngjet me rrëfenjën biblike të Kullës së Babelit, njerëz të mbledhur në qendër të Italisë nga krahina të ndryshme, me dialekte të ruajtura ndoshta me mburrje, të vënë përballë sho-shoqit pa u marrë vesh mes tyre. Doemos që vepra s’kishte për qëllim një pështjellim gjuhësor, dhe Musolinit s’do i kishte rënë ndër mend të vishte petkun e Zotit, ama ja teksa autori Pennacchi, nëpërmjet të fundmit të Perucëve, e përdor këtë rreng gjuhësor duke u kthyer në rrëfimtarin që dëshiron t’i ruajë këto vlera gjuhësore duke i dhënë standardit një ngjyrim krejt tjetër: emocional, herë dramatik në gjëra kaq të vogla, shpesh intim, aq sa herë pas here nuk harron të na tërheqë vëmendjen për ato që lexuesi i tij hamendëson, dhe kjo është ftesa e një loje të bukur gjatë mbrëmjes së prozës. Dhe një meritë e vyer për ta kuptuar dhe mirëpritur këtë ftesë është edhe ajo e përkthyesen Diana Kastrati, e cila i ka dhënë këtij romani pak finesë nga e veta, duke mos lejuar humbjen e ritmit që mbart romani dhe as ngjyresat ligjërimore. Ftesa kundrejt një lexuesi të vëmendshëm së cilit që prej fillimit i është bërë me dije se kjo është një ngjarje me fakte historike, se poshtë shtrojës së datave dhe emrave historikë, më e rëndësishmja është kronika e një familjeje dhe se ky është kufiri pas së cilit ky lexues është i përligjur për të mbjellë fidanë dyshimesh në kokë, të cilët i fundmi i Perucëve, fët e fët, i shkon në draprin e një refreni gati të njëjtë – “Si thatë, më falni? (Nuk më besoni?) E kuptova, ama kështu nuk mund të ecim përpara. Më lini të vazhdoj, ju lutem”, ose “Çfarë po bëni? Po qeshni? Nuk e besoni? Do të kisha dashur të ishit aty e ta shihnit me sytë tuaj”. Janë bash këto arabeska pikëpyetjesh që e pushojnë për pak rrëfimin e ngjeshur dhe të etur të vazhdojë pa u ndalur, dhe e lënë lexuesin të çlodhet paksa, të kuptoj së pari se ai është pjesë e këtij rrëfimi, dhe pastaj ta kujtoj dhe rikujtoj gjer në faqen e fundit. E bëjnë të vërë buzën në gaz ndaj një naiviteti të tillë pyetjesh dhe e kthejnë atë sërish në rrëfim. “Ishte një eksod po ju them”, më së shumti një eksod fjalësh që zunë vend në një radhor për të na lënë pas një rrëfim, komik dhe fshataresk, duke u nisur prej njësisë më të vogël komike që të mëson me ndjesinë e humorit, Më falni, si thatë? Nuk e dini cila është?,  ndoshta ia mbys kot së koti, por më kanë thënë se është onomatopeja. Pennacchi ka ditur të gjejë një mjet tepër të këndshëm për të veshur petkat e një fëmije rrëfimtar: zhurma e përrethësisë. Sendet, bimët, atmosfera kanë një gjuhë të tyren, një gjuhë primitive e shprehur shkurt: nisjet e trenave – “Trenat ishin nisur në darkë, çuf-çuf, me gavetat e elbit ende të ngrohtë në dorë”, apo “Dëng-dëng bënin hekurat me njëra-tjetrën, rrotat e vagonëve në çdo bashkim binarësh”, ose ndalja e trenit e shprehur me një “striiii, çuf, çuf, çuf, striiii”, ose goditjet e dhëna gjatë ndërrimit të shinave me një “tonf-tonf”, dackat me një “ptaff”. Më vjen ndër mend Umberto Eco i cili tek Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë i është qepur pas Lexuesit Model duke na sjell shembuj sa groteskë aq edhe komikë, e teksa mendoj për onomatopetë, shumica e së cilave lidhen me trenat si mjeti ndihmës i këtij eksodi, imagjinoj Pennacchi-n i cili para se ta niste këtë roman, do ketë qëndruar me muaj e muaj nëpër terminalet e Italisë dhe ka hipur në kaq shumë trena, vetëm për të fiksuar gjuhën e tyre dhe për ta hidhur atë në një bllok të vogël shënimesh.

Më falni, si thatë? Nga mbiu ky “I fundmi i Perucëve”? Ndoshta kjo qe arsyeja për të cilën e nisa gjithë këtë shkrim, por u hallakata rrugës. Kjo është një pyetje me vend, por më lini t’i shoshitim gjërat sipas një farë radhe. Besoj keni rënë në dashuri. Më falni, nuk keni moshë për këto gjëra? Se është turp? Etj, etj? Haha, paskeni edhe ju humor; e shoh e shoh, dëshironi të më merrni në lojë. Gjithsesi, po ju thoja, L’Amour! Perikliu është personazhi i vetëm që arriti të rrokë një dimension të atillë dashurie, një dimension i vrullur në pasion marramendës gjer aq sa të luante mendsh prej forcës së saj. Një burrë i fuqishëm, por lehtësisht i mposhtur ndaj dashurisë: “Ai do ta kishte përmbytur gjithë Kodigoron me duart e veta, do t’ia kishte vënë flakën, nuk kishte frikë nga askush e prej asgjëje në këtë botë. Ama, para saj nuk kishte guxim as të merrte frymë. Në qoftë se ajo do t’i kishte thënë “Vdis”, ai do të kishte vdekur aty në vend”, (Kanali Musolini, Shtëpia Botuese “Dituria”, f.174). Ky Peruc lindi prej kësaj dashurie, në kontaktin e saj të parë mishor, për t’u ruajtur në një hejbe të barkut të Armidës, dhe më lejoni t’ju them se kemi të bëjmë me një nga gjetjet më të bukura të një autori si Antonio Pennacchi, i cili i jep një dimension të ri prozës italiane. Nuk më besoni? Ah, e kuptoj, ndoshta lipset ta quajmë Armidën një mashtruese, femër e përdalë, manipulatorja e të gjithë rrëfimit brilant që ka arritur të na sjellë Pennacchi, se ajo – si personazh – i ka dalë duarsh Krijuesit të saj duke e shpënë në vise të tjera, për t’ia përrallisur kryet me argumente bletësh. Le t’i marrim gjërat me radhë: Familja e Perucëve ua ka bërë të ditur qysh në krye të herës rëndësinë e kafshëve në jetët e tyre. Nuk ishin thjesht shtazë me katër këmbë të cilat i shfrytëzonin, por ishin pjesë e qenësishme e familjes, ndoshta pjesëtarët më ngushëllues në periudhat e mërzisë apo mërive, të cilat s’mund të shfryheshin te njerëzit (që duhet ta pranojnë se janë ‘gdhe’ për t’i kuptuar). Gjyshi dhe komunikimi i tij verbal me kalin, xhaxhallarët dhe lidhja e tyre me lopët së cilave u kishin vënë edhe emra. E gjitha kjo të kujton fshatrat e gjithë botës: e njëjta marrëdhënie mes njeriu dhe kafshës. Një respekt i ndërsjellë mes tyre madje edhe një domosdoshmëri e shprehur në “më-ndihmo-të-të-ndihmoj”. Kafshë që mbajnë gjallë të zotët, dhe zotë që bëjnë ç’mos që kafsha të mos vdesë. Në ligjëratën e tij gjatë marrjes së çmimit “Nobel” më 1998, shkrimtari José Saramago, qysh në rreshtat e parë rrëfen marrëdhënien e gjyshërve të tij (rrëfenjat dhe personazhet e së cilëve dita-ditës i shumëfishoheshin dhe rriteshin në imagjinatë) me derrat, dhe si kjo marrëdhënie ishte kaq e fortë, në mos kërthizore, saqë kur dosa lindte gicat gjatë dimrit, “kur i ftohti ngrinte edhe ujërat që ndodheshin në enët e shtëpisë, këta (gjyshërit) rendnin drejt tharkut dhe merrnin gicat më ngordhalaqë për t’i futur në shtratin e tyre. Nën batanijet e ashpra, ngrohtësia e trupave njerëzorë, i mbronte kafshët e vockla nga acari, duke i shpëtuar nga duart e vdekjes së sigurt”, (Si shndërrohen personazhet në mjeshtër dhe autori në çirak të tyre, José Saramago). Një marrëdhënie e tillë e Perucëve e humb ekuilibrin kur pjesë e familjes bëhet Armida. Një familje e shquar për mbarëvajtjen e kafshëve të mëdha – “Ne ishim njerëz të kafshëve të mëdha, që nga gomarët deri te kuajt e veçanërisht lopët. Me insektet kurrë”, (Kanali Musolini, f.169) –, vihet përpara një fakti të ri, bërjes pjesë të kafshëve të vogla në familje, dhe kjo e shprehur me një ndjenjë fajësie ndaj padijes – “Kishte qenë ajo që i kishte sjellë në shtëpinë tonë. Ne as që i njihnim, ose më mirë e dinim se cilat ishin, por kështu nga afër nuk i kishim njohur asnjëherë”, (Kanali Musolini, f.169-70). Dhe ja teksa familja u detyrua t‘i mbante këto kafshë, Perucët, të cilët “kur ne gjenim një insekt, e shtypnim, e, në qoftë se guxonte të hynte qoftë edhe një bletë a grerëz e vetme brenda dhomës, apo edhe në stallë, plaste lufta”, (Kanali Musolini, f.169).

Edhe ky fëmijë pra, i fundmi i Perucëve, kishte ardhur bashkë me këtë prishje të rendit, me vogëlsirat, duke zënë fill shpjegimi i ngjizjes së tij me finesën më të admirueshme:Santa Maria. Ora pro nobis. Dy dashnorët hidhen në krahët e njëri-tjetrit, pas perdes së depos: Bleta Mbretëreshë ngjitet lart në ajrinë me gjithë luzmën e meshkujve që e ndjekin pas. Santa Dei Genetrix. Ora pro nobis. Dhe filluan të bënin dashuri të tërbuar, katër vite pasi Perikliu i ëndërronte përnatë pulpat e saj të bardha: edhe Mbretëreshën e kap një ndjenjë hutimi prej aktit seksual që e pret me meshkujt që do munden ta arrijnë deri atje lart, drejt eliksirit seksual. Santa Virgo Virginium. Ora pro nobis. Meshkujt gjatë aktit seksual janë gjithnjë poetë melankolikë, formulues shprehjesh romantike, ashtu sikundër Perikliu, “Më prit, Armida, nuk mund të jetoj më pa ty!”, dhe femrat kërkojnë më shumë duke iu përgjigjur çdo goditjeje, duke e lëshuar trupin e vet për t’u goditur më fort: bletët meshkuj fillojnë të futen brenda mbretëreshës së tyre duke dihatur burrërisht. Mater Divinae Gratine. Mater purissima. Mater Castissima. Ora pro nobis. Armida duke e siguruar se do të ishte aty, gjithnjë e tija duke  e pritur, “Kam për të të pritur gjithmonë, që më rëntë një pikë mua!”: Mbretëresha e kryen aktin seksual vetëm një herë në gjithë jetën, ndaj ngazëllimi i tanishëm mbetet kujtimi i gjithë jetës së mbetur të saj, ndjesia e atij kujtimi. Turris Eburnae. Ianua Coeli. Pro nobis. Dhe kur kori përfundon me një “Amen”, Perikliu ndjeu të zbrazte shpirtin brenda saj, dhe Armida ndjeu se si me lëngun e bardhë të shpirtit të zbrazur në bark, filloi të konceptonte – ende jo të ngjizë – gjithë brezat e saj: gjithë bletët meshkujt zbrazin materialin e tyre gjenetik në barkun e mbretëreshës dhe organi seksual u shkëputet nga trupi, lipset që ata të vdesin dhe mbretëresha të kthehet në koshere me barkun e mbushur plot.

Ashtu sikundër bleta ruan gjithë lëngjet në një hejbe për t’u shumuar kur t’ia kërkojë nevoja për bletë të reja, ashtu edhe Armida e kredhur mes mëkatit dhe dinakërisë për të dalë e panjollosur, mëton të fsheh marramendjen seksuale me Paridin, nipin e burrit të saj, duke i mveshur vetes cilësitë e bletës mbretëreshë. Armida përmbledh në vete egoizmin femëror, i shprehur po aq te bleta mbretëreshë së cilës nuk i bëhet vonë nëse meshkujt mbeten pa një organ seksual më pas, nëse ata vdesin gjatë aktit ose më pas prej urisë. Kënaqësia është e vetmja gjë që ka vlerë, dhe mashkulli është vetëm i saj. Le të mos i provojë më kënaqësitë nëse dhe ajo nuk mundet. Armida është një bletë e tillë, Armida është një grua ashtu si gjitha bletët dhe bletët si të gjitha gratë. Ju mendoni se edhe unë qenkam bërë pjesë e kësaj shajnie? Që kjo femër e përdalë qenka fort e zonja? Nuk paskeni kuptuar gjë prej gjëje. Si t’ua them, lexues, ky është një Ungjill, një ungjill i konceptuar në zgjojet e bletës. A e dini ju se fjala “ungjill” vjen prej greqishtes, dhe do të thotë “lajm i mirë”? Ah, e pra, e kam një lajm të mirë. Nëse e lexoni me kujdes këtë kronikë, do të shihni se tensioni i gjithë rrëfimit nuk ndodhet në mesin e tij, që autori të mundet pak nga pak ta zbusë, ta shthurë e ta fashitë gjer në mbyllje të tij. Ah jo të dashur, kemi të bëjnë me një autor finok këtu, letrarisht finok. Tensioni ia beh bash tri faqe para se të përfundojë e gjithë kjo kronikë familjare, në faqen 451, dhe shthuret tek ajo 454. E gjithë familja gjendet mes një fushe të minuar. Po pra, të minuar, por mos u alarmoni! Bletët. Ju e dini se kafshët, sa më të vogla të jenë në përmasa, aq më të zhvilluar e kanë sensin e ndjeshmërisë. Armida i lëshon ato në fushën e minuar dhe ato fillojnë të zukasin, të ecin përpara duke gjurmuar minat, duke i shmangur dhe duke dëftuar rrugën. Hë pra, gjetje letrare apo jo? Një grua shtatzënë, me barkun e fryrë gjer te goja prej një psalmi të kënduar vite e vite të shkuara nga një burrë dhe një luzmë bletësh, ecën përpara duke shmangur vdekjen e saj, vdekjen e foshnjës dhe të gjithë kësaj familjeje komike e të çuditshme. Ujërat zanafillorë të lindjes paraprijnë lajmin e mirë: i fundmi i Perucëve lindi mes së qeshurës dhe shpëtimit të një familjeje që s’mund të pranonte bletët në ungjijtë e tyre.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button