Politika

E majta pro komisionit hetimor për guvernatorin, Paloka del kundër nismës së shtatorit

Banka-e-Shqiperise2-320x197Andrea Marto

Deputeti tjetër i PS-së, Andrea Marto, pak ditë më parë ka konfirmuar qëndrimin e tij në lidhje me mundësinë që në sesionin e ri parlamentar të ngrihet një komision hetimor

Edi Paloka

“Nuk mbështesim asnjë nismë ligjore të shumicës. Merren me shampanjën e djalit të Fullanit dhe jo me kostumet e Kryeministrit 5 mijë euro, që gjithë jetën ka marrë rrogë 1 milion lekë”

Piro Lutaj

Unë do të mbështes çdo nismë të mazhorancës që ka të bëjë me zbardhjen e vjedhjes, madje do të jem i pari që do të firmos nëse kërkohet për shkarkimin e Fullanit. E vërteta duhet të zbardhet

Gjovalin Kadeli

“Deri më tani nuk kemi asnjë gjë konkrete për një nismë të tillë, por ajo që mund të them, është se nëse do të kërkohet firmosja për ngritjen e një komisioni hetimor, do ta mbështesja me patjetër”

Erjon Braçe

“Dua të ndaj me ju, detyrën për rishikimin e ligjit për Bankën, me qëllim çlirimin e saj nga interesat partiake, politike, interesat e nepotizmit për ta pavarësuar realisht”

Lutaj: Jam gati të firmos. Paloka: Nuk e mbështesim. Braçe: Më parë ligji dhe heqja e Këshillit

NGA ARTEMISA HOXHA

Skandali i Bankës së Shqipërisë mund të shkaktojë edhe ngritjen e një komisioni hetimor nga ana e mazhorancës parlamentare. Përveç zërave të PS-së dhe LSI-së për dorëheqjen e guvernatorit Ardian Fullani, tashmë deputetë brenda së majtës flasin për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të hetojë gjithë skandalin që ka përfshirë institucionin më të rëndësishëm financiar në vend. Sesioni i ri kuvendor, i shtatorit, mund të dhurojë nismën e re të mazhorancës, atë të ngritjes së një komisioni hetimor. Edhe pse nuk ka asgjë të konkretizuar, kanë dalë zërat kundër, ku kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka, shprehet se demokratët nuk do të mbështesin asnjë nismë.

Mazhoranca

Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherësh anëtar i Komisionit të Ligjeve, Piro Lutaj, thekson për gazetën “Shqip”, se është i gatshëm që të firmosë çdo nismë që ka të bëjë me zbardhjen e ngjarjes së vërtetë të vjedhjes së Thesarit të Shtetit. “Do të mbështes çdo nismë të mazhorancës që ka të bëjë me zbardhjen e vjedhjes, madje do të jem i pari që do të firmos nëse kërkohet për shkarkimin e Fullanit. E vërteta duhet të zbardhet”, thotë deputeti i PS-së. Një nismë të tillë e ka mbështetur edhe deputeti tjetër i PS-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë, Andrea Marto, i cili vetëm pak ditë më parë ka konfirmuar qëndrimin e tij në lidhje me mundësinë që në sesionin e ri parlamentar, që i nis punimet në muajin shtator, të ngrihet një komision hetimor për vjedhjen e madhe që i është bërë Bankës së Shqipërisë. Edhe deputeti i PS-së, Arben Çuko, në një qëndrim të tij, u bashkohet zërave të disa deputetëve të majtë, që guvernatori i bankës të japë dorëheqjen, kjo, sipas tij, do të ishte më e moralshme. Si një nga të paktë deputetë që ka shprehur qëndrimin hapur për largimin e guvernatorit, ka qenë edhe deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, i cili e ka krahasuar këtë situatë të njëjtë me atë të vjedhjes së Thesarit të Shtetit në Kërrabë më 1998-n, si edhe me atë të firmave piramidale.

Qëndrimi i LSI-së

Zërat për largimin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nuk kanë munguar edhe nga partia aleate në qeveri, LSI-ja. Në një qëndrim zyrtar, kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, e ka cilësuar cenim të sigurisë financiare në vend vjedhjen e thesarit, por tha se Fullani nuk duhet të japë dorëheqje, ndërsa ndryshe flasin anëtarët e kësaj partie. Përveç kreut të LSI-së për Tiranën, Shezai Rrokaj, këtij qëndrimi duket se i bashkohet edhe deputeti i LSI-së, Gjovalin Kadeli. Deputeti i Qarkut të Lezhës dhe njëherësh anëtar i Komisionit të Ekonomisë, Gjovalin Kadeli, thekson se një nismë e tillë për ngritjen e një komisioni hetimor për të gjithë skandalin e ndodhur gjatë këtyre tri viteve është e domosdoshme dhe nëse do të propozohet nga mazhoranca, ai do ta mbështesë ngritjen e këtij komisioni. “Deri më tani nuk kemi asnjë gjë konkrete për një nismë të tillë, por ajo që mund të them, është se nëse do të kërkohet firmosja për ngritjen e një komisioni hetimor, do ta mbështesja me patjetër”, thotë Kadeli për gazetën “Shqip”.

Varianti i Braçes

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, deputeti i PS-së, Erjon Braçe, thekson se ajo që duhet të bëjë shumica në Parlament është pikërisht rishikimi i ligjit të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, ligj i cili deri më tani është kthyer në mburojë për guvernatorin e bankës. Si i vetmi deputet në radhët e së majtës në Kuvend që kërkon përditë largimin e Fullanit nga posti i guvernatorit të bankës, Braçe vijon ende me qëndrimin e tij, që guvernatori duhet të mbajë përgjegjësitë që i cakton ligji, përgjegjësi të cilat duhet të zbatohen edhe nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës. “Unë nuk shpresoj që ata (Këshilli Mbikëqyrës) të bëjnë detyrën. Banka është kapur nga e keqja dhe largimi i guvernatorit, këshillit, inspektorit vetëm e çlirojnë bankën. Këta nuk e çlirojnë dot! Duhet ta bëjmë ne. Me ligj! Dua të ndaj me ju, detyrën për rishikimin e ligjit për Bankën e Shqipërisë, me qëllim çlirimin e Bankës së Shqipërisë nga interesat partiake, politike, interesat e korrupsionit e nepotizmit, klientelizmit, për ta pavarësuar realisht, rikthyer fuqinë e eficiensën në krye të sistemit financiar shqiptar, transparencën, garantuar kontrollin e brendshëm e të jashtëm, përgjegjshmërinë për t’u ndarë e ndëshkuar ashpër çdo rast të ngjashëm korrupsioni apo thjesht abuzimi me detyrën. Ligji për Bankën e Shqipërisë ka zhveshur këshillin nga çdo kufizim në shkarkimin e anëtarëve të këshillit dhe guvernatorit”, thekson deputeti i majtë. Duke u shprehur skeptik, se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës nuk mund të propozojë shkarkimin e guvernatorit, deputeti i PS-së thekson se është e nevojshme që për këtë institucion të kërkohet asistencë për auditë të huaj dhe jo shqiptarë. “Unë nuk shpresoj fare se ata do ta shkarkojnë guvernatorin apo të dorëhiqen. Detyra për të bindur autoritetet më të larta të Kuvendit e qeverisë për nevojën ulëritëse të një auditi ndërkombëtar në Bankën e Shqipërisë, prej vitesh e abuzuar dhe e keqpërdorur, e natyrisht kryerjen sa më parë të këtij kontrolli”, thotë Braçe.

PD, kundër

Nga ana e saj, opozita, nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Edi Paloka, ka thënë se nuk do të mbështesë asnjë nismë ligjore të mazhorancës, qoftë kjo edhe ngritja e një komisioni hetimor. “Nuk mbështesim asnjë nismë ligjore të shumicës, nuk e di se si ka njerëz që revoltohen për 7 milionë, ndërkohë që me një firmë Edi Rama u vodhi shqiptarëve 3 miliardë dollarë me CEZ-in. Merren me shampanjën e djalit të Fullanit dhe jo me kostumet e Kryeministrit 5 mijë euro, që gjithë jetën ka marrë rrogë 1 milion lekë”, tha Paloka për “Neës 24”.

Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës

Ardian Fullani, kryetar

Elisabeta Gjoni, zëvendëskryetare

Petraq Milo, anëtar

Dhori Kule, anëtar

Ela Golemi, anëtare

Ermelinda Meksi, anëtare

Adrian Civici, anëtar

Nisma

Çollaku: Heshtja e politikës ka nxitur njerëzit të firmosin

Peticion i qytetarëve, mblidhen pesë mijë firma për mbledhjen e Kuvendit

Nisma e firmosjes së peticionit nga qytetarët shqiptarë që t’i kërkojnë Kuvendit mbledhjen e një seance të jashtëzakonshme për të kërkuar shkarkimin e guvernatorit Fullani ka vijuar dhe dje në shumë qytete të vendit. Gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesi i shoqërisë civile, Basir Çollaku, tha se deri më tani janë mbledhur pesë mijë firma, si dhe pritet që ky proces të zgjasë edhe gjatë javës që vjen. “Nënshkrimi i peticionit, në ditën e katërt, vazhdon me të njëjtin ritëm. Intensiteti është i lartë, jo vetëm në Tiranë, por edhe nëpër rrethe. Dita e djeshme është mbyllur me 5000 firma, ndërkohë ne po punojmë me kolegët tanë nëpër rrethe për mbledhjen e të dhënave, të përpunohen dhe të dalim në një rezultat më të qartë. Heshtja e politikës i ka bërë qytetarët që të jenë më të shumtë në numër, e në shumicën e rasteve ata kanë ardhur përpara nesh në pikat e firmosjes”, tha Basir Çollaku. Ai tha se nuk kanë munguar edhe provokimet në Tiranë, nga dy persona që kanë kërkuar ndërprerjen e firmosjes së peticionit. “Fatkeqësisht ka pasur incidente dhe porosia e tyre e dhunshme, në mënyrë të përsëritur, ka qenë që ne të lëmë këtë punë, sepse ka kush të merret me këtë, janë vetë politikanët që mund ta zgjidhin këtë punë. Por, uroj të jetë një rastësi dhe jo një porosi”, u shpreh më tej Çollaku. Kësaj nisme iu bashkuan edhe qytetarët shkodranë, që pas firmosjes së peticionit i bënë thirrje politikës të reagojë përballë këtij skandali. Ata madje shkuan më tej kur deklaruan se përveç shkarkimit, drejtësia duhet të veprojë ndaj Fullanit, duke hetuar të gjithë pasurinë e tij. Firmosja e peticionit për shkarkimin e Fullanit do të vijojë për disa ditë në qytetin e Shkodrës, duke ftuar qytetarët t’i bashkohen kësaj nisme të ndërmarrë në qytetet kryesore të vendit. Firmat që do të mblidhen gjate këtyre ditëve do t’i bashkëngjiten peticionit të Tiranës më 18 gusht, për t’iu dorëzuar më pas Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button