Maqedonia

Vazhdojnë bisedimet për tejkalimin e krizës politike

Përfaqësuesit e katër partive më të mëdha në Maqedoni, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos, zhvilluan një takim në rezidencën e Bashkimit Evropian për të vazhduar bisedimet në zbatimin e marrëveshjes dhe tejkalimin e mospajtimeve që pengojnë zgjidhjen e krizës politike.

Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues të partive politike dhe ambasadori amerikan dhe ai i BE-së, respektivisht Jess Baily dhe Aivo Orav.

Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) bëri të ditur se në takim janë diskutuar pozitat e palëve në lidhje me pastrimin e listës zgjedhore si dhe zgjidhjes e çështjes së mediave dhe raportimit të tyre në periudhën parazgjedhore deri në ditën e zgjedhjeve.

“Nuk ka ndonjë marrëveshje, por bisedimet do të vazhdojnë dhe shpresoj që të gjitha palët do të kenë një konstruktive në arritjen e një zgjidhje përfundimtare për këtë krizë politike. Jam optimist sepse shoh se qëndrimet dhe propozimet janë thuajse në dispozicion për të gjithë. Shpresoj se me qasje konstruktive dhe lëshime të vogla nga palët, më në fund do të arrijmë marrëveshje”, deklaroi Grubi.

Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE-ja theksoi se partia e tij është gjithmonë e gatshme për kompromis, ndërsa për datën e zgjedhjeve tha se nuk do të lejojnë që të shtyhen edhe për herë të tretë.

“Duhet të sigurohemi se të gjitha kushtet për zgjedhje janë plotësuar dhe e gjithë ajo të dëshmohet para publikut, pastaj do të caktojmë një datë për zgjedhje”, u shpreh Todorov.

Në lidhje me reformat në media, Todorov konsideron se asnjë gazetar apo media nuk duhet të dënohet për një tekst të shkruar apo shtojcë si dhe kërkoi ulje të ndjeshme të dënimeve.

Përfaqësuesit e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Renata Deskoska dhe Imer Aliu, si dhe dy ambasadorët Orav dhe Baily nuk dhanë deklarata për mediat.

Palët njoftuan se së shpejti do të mbahet edhe një takim mbi bisedimet për tejkalimin e krizës.

Bisedimet mes partive politike u ndërprenë në mesin e muajit qershor, për shkak të qëndrimeve të kundërta mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së për reformat në media dhe mënyrën e pastrimit të listës zgjedhore. Dy partitë në fjalë fajin e ndërprerjes së bisedimeve fajin ia hodhën njëra-tjetrës./

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button