Home / Te ndryshme / Në mendjen e një hajduti!

Në mendjen e një hajduti!

 Si futen persona të panjohur në shtëpi të ndryshme pa u vënë re? David Robson, gazetari i BBC, tregon mënyrat e hajdutëve profesionistë dhe si t’i shmangim ata

Nga David Robson

Në fillim duket e lehtë. Kaloj me kujdes sipër gjetheve që kërcasin, hap portën e pasme, kaloj oborrin, hap derën dhe të gjitha këto pa u vënë re. Po bëj një krim në mes të ditës – dhe askush nuk mund të më ndalë mua. Gëzimi im kthehet shpejt në një lloj mjegulle mendore. Në fillim kap televizorin me ekran të sheshtë, por më bie në dysheme. Teksa akrepat e orës ecin, ngjis shkallët, i zbres, i ngjis përsëri. Marr një laptop, një celular – por jam me nxitim. Kujtohem që kam harruar të marr gjëra më me rëndësi. Bashkëpunëtorja ime, Claire Nee, rrotullon sytë e saj. Ajo hedh vështrimin në një xhaketë të varur në karrige – brenda ishte një kuletë me karta krediti dhe çelësa, të cilat mund t’i merrja lehtë. Më pas ajo shikon një iPad që ishte po në karrige. Jam i tensionuar. Mendoja se do të isha një hajdut i mirë. Por nuk kam pse shqetësohem. Shtëpia që po vidhnim nuk ishte e vërtetë, është në një ekran kompjuteri, pjesë e një programi virtual që unë e kontrolloj me maus. Është mjeti i fundit që Nee, një psikologe mjekoligjore në Universitetin e Portsmputh po përdor për të hyrë në mendjet e hajdutëve. “Në të shkuarën, njerëzit i mendonin hajdutët si njerëz impulsivë, oportunistë. Ata nuk shiheshin si njerëz të zgjuar sepse zakonisht nuk janë të arsimuar”, thotë ajo. Por ky është një gabim. Nee ka zbuluar se hajdutët kanë një aftësi njohëse tepër të avancuara, janë të zgjuar pak a shumë si një lojtar shahu apo yll tenisi. Nëse duam të parandalojnë krimet e së ardhmes, ne duhet ta vlerësojmë këtë ekspertizë. Nee i filloi kërkimet e saj në burgje, ku me shumë kujdes ajo “intervistonte” fajtorët për prapësitë e tyre. Ajo hetonte me shumë butësi kujtimet e tyre me intervista e pyetësorë, si dhe duke u treguar atyre foto dhe plane shtëpish e rrugësh për të rënë në gjurmë të strategjive që do të ndiqnin për të vjedhur një shtëpi. Ju mund të mendoni se të burgosurit do të tregonin shenja dyshimi dhe do tregoheshin armiqësorë kundrejt dikujt që përpiqej të zbulonte sekretet e tyre. Por në fakt, ata janë më shumë se të lumtur për t’u hapur. “Shpeshherë ata mërziten. Prandaj e shohin si diçka interesante që dikush pyet rreth asaj që bëjnë”, thotë ajo. Ekipi i Nee ka disa surpriza. Si pjesë e eksperimenteve të saj të fundit, ajo ftoi një grup studentësh dhe hajdutësh të dënuar në një shtëpi të ruajtur nga policët për të parë se si ata do të përpiqeshin të hynin në ambientet e brendshme. Dera e prapme u la e hapur, por inxhinierët që filmonin incidentet mbetën të shokuar kur panë një çift hajdutësh të ngjiteshin në dritaren sipër kokave të tyre. Dhe më pas, Nee kishte harruar që kishte lënë valixhen në katin e parë. “Tani kam në dorë videon që tregon se hajduti i mori të gjitha paratë në valixhen time”,- tha Nee. Nëpërmjet eksperimenteve të saj, Nee zbuloi se shumica e hajdutëve operojnë në bazë të një “piloti automatik” të aftë që u lejon atyre të shfrytëzojnë shpejt mundësitë. Kjo fillon më përpara ditës së krimit. Kur ai apo ajo fillojnë të kenë nevojë për para, hajduti fillon të vërë në dukje objektivat e mundshme gjatë aktiviteteve të tyre të përditshme, “të nxjerrin shëtitje qenin” siç thonë ata. Janë shumë fleksibël, megjithatë mund të ndryshojnë mendjen brenda ditës, nëse shohin një shtëpi tjetër ndaj së cilës mund të kenë akses më lehtë, falë një dritareje apo dere të hapur, ose nëse të zotët e shtëpisë janë larguar. Ndërsa ndodhen brenda, “piloti automatik” dëshmon të jetë thelbësor për t’i bërë hajdutët të mos e humbasin mendjen. Tani, shtëpia e sigurt përdoret për qëllimin e saj të vërtetë, kështu që unë po marr pjesë në një program virtual vjedhjesh shtëpish, që Nee e përdori edhe për hajdutët që ata të demonstronin rrjedhën e krimit. Pavarësisht lojës artificiale, Nee zbuloi se ata e merrnin atë seriozisht, dhe silleshin njësoj sikur të ishin duke grabitur një shtëpi në të vërtetë. Megjithatë, ndihesha skeptik për pretendimet e Nee-s që kjo “punë” kërkonte shumë aftësi. “Sa e vështirë mund të jetë?” pyesja unë veten ndërsa futesha në shtëpinë virtuale. Por edhe pse përqendrohesha për të marrë gjëra e vogla me vlerë të madhe, sytë e mi ndonjëherë kalonin para tyre pa i vënë re. Meqë bëhesha konfuz, sytë e mi i shihnin por prapë nuk gjeja asgjë, kështu që përfundoja duke parë për sendet e mëdha. Në vend që të isha një kriminel i qetë, unë jam si një fëmijë hiperaktiv në gjueti të vezës së Pashkëve. Konfuzioni im është në kontrast të thellë me sjelljen e hajdutëve në programin e simuluar të Nee-së. Hajdutët me përvojë pothuajse të gjithë ndiqnin të njëjtën rrugë për në një shtëpi, shkonin së pari në dhomën e gjumit të katit të dytë, dhe më pas në dhomën e ndenjes në kat të parë. Gjatë rrugës, ata kontrollonin lehtësisht xhepat e xhaketave për portofola apo karta krediti, si dhe rroba të shtrenjta e stoli. Vura re që neglizhonin mjetet elektronike. Me një mesatare prej vetëm 4 minutash në një shtëpi, profesionistët mblidhnin rreth 1560 dollarë. Shumica e proceseve mendore të përfshira në këtë kërkim duket se ndodhin nën vetëdije, duke i dhënë hajdutit një qetësi mendore që të përballet me frikën e rrezikut se mos e kapin. “Do ta bëja me sy mbyllur”, i tha një prej hajdutëve Nee-së në burg. “Kërkimi kthehet në instinkt, si një operacion ushtarak”, e përshkruan një tjetër. “Kthehet në rutinë, përqendrohesh në atë çfarë po ndodh rreth teje dhe ku t’i gjesh gjërat. Frika më e madhe është nëse një person kthehet në shtëpi”. Duke marrë parasysh këtë sjellje sistematike, të shpejtë dhe të pandërgjegjshme, Nee krahason vjedhjen me ekspertiza të formave të tjera që nga muzika, te shahu, e te tenisi, ku performuesit më të mirë thonë se hyjnë në të njëjtën gjendje mendore, ku pjesa më e madhe e vendimeve më të rëndësishme ndodh në mënyrë të pandërgjegjshme. Dhe duke u bazuar në këto ekspertiza, ajo mendon se vjedhjet mbështeten në skema psikologjike të ndërlikuara. Për një lojtar shahu, janë strategjitë e hollësishme që duhet t’i vijnë në mendje në çast lojtarit. Ndërsa për një hajdut, duhet një kuptim enciklopedik i hyrje-daljeve të shtëpisë, si dhe vendet ku ndodhen objektet më me vlerë, si dhe rruga më e mirë për daljen më të shpejtë. Pasi i kanë eksperimentuar të gjithë skenarët e ndryshme, ata kanë një plan që i përshtatet më mirë krimit të tyre, që do të thotë se nuk është nevoja që të punojnë për të gjitha mundësitë. Një fillestar, do të bënte të kundërtën, do t’i mendonte të gjitha mundësitë, dhe duke bërë kështu mbetet i paralizuar në vend nga pavendosmëria. Teoria e Nee-së mund të duket abstrakte, por ajo është shpresëplotë se do të gjejë mënyrat praktike për të luftuar krimin. Ajo e di, se eksperimentet e saj nuk do t’i ndalojnë hajdutët së bëri “punën” e tyre. Një nga truket që mund të përdoret të paktën për të larguar hajdutin është përdorja e një regjistrimi sikur dikush po ecën, pra të dëgjohen hapa, ose qoftë dhe një zhurmë tjetër, që do ta shqetësojë hajdutin, dhe do ta bëjë atë të largohet. Duhet gjetur patjetër diçka që bën konfuz hartat e mendjeve të tyre. “Çështja është se gjithmonë duhet të gjejmë diçka të re kundër tyre, sepse ata do të mësohen me çfarëdo gjëje të bëni”, thotë Nee. Duke shpërqendruar “pilotin automatik” të hajdutit, mund të ndodhë që t’i largoni ata nga jeta e krimit. Një shembull i mirë, është lënia hapur e një dritareje të një shtëpie bosh. Ndërsa shohin dritaren hapur, instinkti i tyre i vjedhjes do t’i ngacmojë dhe në fillim nuk do të jenë të vetëdijshëm për vendimet që marrin, por tek afrohen në skenën e krimit, pra nëse futen nga dritarja e hapur dhe shohin shtëpinë bosh, ata zhgënjehen dhe i largohen idesë së grabitjes. Ky është një studim i Institutit për Studimin e Krimit dhe Zbatimit të Ligjit në Holandë. Përveç asaj që të gjithë bëjmë kur largohemi nga shtëpia, që mbyllim të gjitha dyert e dritaret, një strategji e mirë është të bëjmë sikur në shtëpi ndodhet gjithnjë dikush. Pothuajse të gjithë hajdutët që Nee ka intervistuar thonë se do të bënin çdo gjë për të shmangur një përballje fytyrë më fytyrë me të zotët e shtëpisë. Pra nëse po largoheni për në dyqan, apo po dilni, bëni sikur po i thoni mirupafshim dikujt që është brenda në shtëpi. Nee thotë se tani i dallon menjëherë hajdutët e mundshëm edhe kur del shëtitje. “Është një personalitet i dytë i imi tashmë”, thotë ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.