Ekspozita

Udhëtim në Tiranë

Nga Iris Sojli

Tiranë. Rrugë nën hijen e pemëve. Godina shumëngjyrëshe. Ngjyra për të fshehur mizerjen, për një jetë të re, një epokë të re. Kryebashkiaku i saj artist vendosi kështu, në fillim të viteve 2000. Prej atëherë, shiu, pluhuri i ndërtimeve dhe kalimi i viteve i kanë zbehur fasada e pikturuara. Megjithatë, ngjyrat mbizotërojnë gjithnjë në këtë qytet-dëshmitar lufte dhe diktature, dëshmitar i një tranzicioni që duket se kërkon të vazhdojë deri në përjetësi. Ngjyra, të cilat nuk përzihen me njëra-tjetrën, ashtu si artistët e këtij qyteti. Nga njëra anë, në Tiranë ka iniciativa të mrekullueshme artistike. Nga ana tjetër, sinergjia që do t’i përmblidhte këto iniciativa individuale në një skenë të mirëfilltë artistike, duket të mos jetë shfaqur ende.

Arsyet janë të shumta. Si fillim, artistët kanë përballë tyre një treg me potencial të ulët. Iniciativa private mungon tërësisht. Interesi i galerive dhe i koleksionuesve mbetet i përmbajtur dhe mbi të gjitha i drejtuar më tepër nga dëshira për të pasur, sesa për të vlerësuar. Rrethi i ngushtë i atyre që kërkojnë të investojnë në art, i ka sytë të kthyer nga skenat ndërkombëtare, si mënyra e vetme për t’i dhënë vlerë koleksionit të tyre. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë u përket, gjithashtu, edhe institucioneve publike, të cilat nuk u kanë dhënë arteve pamore hapësirën që meritojnë. Mjaft artistë ia kanë dalë të depërtojnë në skenën perëndimore dhe veprat e tyre kanë paraqitur më shumë interes jashtë vendit sesa brenda tij. Ky konstatim i ka bërë vetë artistët të jenë mjaft kritikë, një pozicionim që duket qartazi në shprehjen e tyre artistike dhe mbi të gjitha në mungesën e tyre të qëllimshme nga debati publik dhe evenimentet artistike të organizuara nga Ministria e Kulturës, e cila po tenton të kapë kohën e humbur.

Për t’iu rikthyer prodhimit të mirëfilltë artistik, vërejmë se kërkimi i një identiteti të vërtetë vazhdon, por mungesa e stabilitetit historik dhe politik, duket ta vështirësojnë këtë proces. Konfuzionin e krijuar e gjejmë pikërisht edhe në Galerinë Kombëtare të Arteve: drejtori i saj, Artan Shabani, tenton të krijojë një linjë të re muzeore, për një koleksion të përbërë kryesisht nga vepra të realizmit socialist. Galeria nuk ka buxhet për blerjen e veprave bashkëkohore. Drejtori i saj pozon krenar përpara kamerave dhe mikrofonave, për fotografi që postohen në faqen e Galerisë në Facebook. Ai është njohës i mirë i Francës, i verës, i Rivierës franceze, por kur e pyesim për emrat e artistëve bashkëkohorë që kanë ekspozuar në Galeri, ai ndjen nevojën të konsultojë kompjuterin e tij dhe në vend të përgjigjes na nis një leksion historie të artit shqiptar, duke u nisur që nga epoka otomane. Duket të shprehë plotësisht edhe ai vetë këtë rrugëtim të vështirë drejt gjetjes së një identiteti. Piktori, ish-kryebashkiaku dhe aktualisht Kryeministri Edi Rama është i kudondodhur në organizimin e aktiviteteve artistike. Ndërkohë, këto aktivitete duket se përjashtojnë prodhimet e artistëve vendas. Në “Qendrën për hapje dhe dialog”(COD), e cila u përurua vitin e shkuar në ambientet e Kryeministrisë, Kryeministri ka ftuar artistë shumë të rëndësishëm si Philippe Parreno, Carsten Höller, Liam Gillick dhe Thomas Demande. Përveç ndërkombëtarit Anri Sala, asnjë artist tjetër shqiptar nuk ishte i ftuar në këtë aktivitet të kësaj qendre të re, e cila prezantohet sipas vetë Edi Ramës, si “një hapësirë ku kultura, politika dhe artet mund të bashkëjetojnë”. Vetë Rama ka pasur disa ekspozita personale në 2015-n. Njëra prej tyre ishte dhe ekspozita e tij në galerinë “Michael Schultz”, në Berlin, ku u ekspozuan jo më pak se 115 vepra të artistit të kthyer në politikan. Iu drejtuam kështu artistëve vendas, për të kuptuar më mirë gjendjen e tyre. “Pasi realizmi socialist nuk ishte më i imponuar si stil, skenën artistike e kapi një nxitim për t’i treguar Perëndimit se edhe ne dinim të bënim si ata”, pranon artisti Alban Hajdinaj. “Dhe është pikërisht ky nxitim, ky padurim, që e bëri prodhimin tonë artistik sipërfaqësor dhe jopersonal. Këtë gjë e kam kuptuar me kohën”, vazhdon ai. Që atëherë, qëllimi i tij artistik iu kthye brendësisë. Në rrugëtimin e tij introspektiv, ky artist, i cili ka përfaqësuar Shqipërinë në Bienalen e Venecias dhe ka ekspozuar në Qendrën Pombidou, në Paris, nuk resht së ngrituri pyetje mbi ekzistencën e mirëfilltë të elementëve që përbëjnë kulturën shqiptare dhe arsyet e kësaj ekzistence. “Kam përshtypjen se, edhe pas dyzet vitesh rrënimi në artin që ne prodhonim, ne nuk e kuptuam atë çka në të vërtetë është realizmi socialist”. Kësaj çështjeje ai tenton t’i përgjigjet përmes veprës së tij të fundit “Realizëm Socialist Antikomunist” (2015). Për t’iu përballur një nevoje jo shumë të argumentuar, gjatë dekadës së fundit, sheshet dhe rrugët e Shqipërisë u mbushën me monumente, në homazh të ngjarjeve historike ose personazheve që kanë luajtur rol të rëndësishëm në rezistencën antikomuniste. Megjithatë, artisti vëren se stili i këtyre veprave mbetet ai i realizmit socialist, i përdorur në atë kohë në lavdi të heronjve komunistë. A jemi çliruar, pra, nga ky zhanër, nga idetë dhe mesazhet e tij? Artisti nuk e ngre këtë pyetje. Përmes fotografive që thjesht dëshmojnë ekzistencën dhe stilin e këtyre veprave, ai konstaton një përgjigje, e cila do të jetë e vlefshme vetëm nëse pyetja bëhet publike. “Është çështje identiteti”, pranon ai.

Këtë identitet të paqëndrueshëm, ai e dokumenton në videon e tij “Alisa dhe Sara” (2006), e cila na prezanton me dy vajza të vogla në kopshtin e shtëpisë së tyre. Vajzat luajnë duke recituar me përpikëri vargjet e Kuranit, megjithëse nuk kuptojnë asnjë fjalë të tyre, dhe menjëherë më pas luajnë catch, disiplinën spektakolare amerikane, të cilës ia njohin të gjithë lojtarët dhe stilet. Vepra e Hajdinajt është e mbushur me kontraste të tilla, të cilat formësohen vetëm nëse ndeshen me reflektimin e spektatorit. Ky qëllim paraqitet qartazi në veprën e tij “Back Side Collection” (2009), ku ai ekspozon një pjesë të koleksionit të përhershëm të Galerisë kombëtare, mbrapsht, me shpinë nga publiku, duke u pozicionuar kështu në mënyrë mjaft skeptike, mbi vlerën dhe identitetin e këtij koleksioni, por dhe të prodhimit artistik të vendit të tij, të cilin nuk e konsideron si të sinqertë me të shkuarën dhe të ardhmen e tij. Në këtë vepër qartazi politike, artisti zgjedh “anën tjetër”. Ai zgjedh të mohojë këtë kulturë, por dhe etiketimet zyrtare, duke propozuar “të mbrapshtën” e tyre. Vetë ai, duket t’i ketë kthyer kurrizin angazhimit kolektiv, fajtor, sipas tij, për një qëndrim që shtiret sikur interesohet për artin. Ai mbetet shumë kritik mbi punën e kryer nga institucionet dhe shumë skeptik për sipërmarrjet e reja. “Unë përqendrohem në punën time personale”, thotë Hajdinaj. “Kuptova shumë shpejt që në art nuk mund të flitet për karrierë, sidomos në Shqipëri, ku strukturat nuk ekzistojnë. Është politika dhe mediat ato që ndërtojnë karriera, dy elemente që unë si individ, i kam mohuar prej kohësh”. E megjithatë, në atë çka ai nuk do ta quajë “karrierë”, ai ka hasur personazhe të rëndësishme të artit botëror, si kuratori Harald Szeemann, tek merrte pjesë në ekspozitat e tij. “Pas bashkëpunimit tonë të parë, ai më ftoi dhe në ekspozita të tjera, por u largua shumë shpejt nga jeta”, pranon me keqardhje artisti.

Një artist tjetër konceptual shumë interesant, Gentian Shkurti është përzgjedhur gjithashtu në mjaft takime artistike, pas paraqitjes së tij në një prej ekspozitave të fundit të Szeeman-it, “Blood and Honey”. Në kundërshtim me introspektivën e Hajdinajt, ngacmimet e Shkurtit orientohen drejt impaktit të artit mbi të tjerët. Video e tij “Colorblind” (2004) u projektua në Qendrën Pombidou, në 2011-n, krah filmit “Give me the colours” të Anri Salës, gjatë ekspozitës “Premtimet e së shkuarës”. Ndërkohë që Sala flet për transformimin e Tiranës në një qytet plot ngjyra, nga piktori-kryebashkiak i saj i famshëm, Shkurti mundohet t’ia tregojë ndryshimin e madh një daltoniani, përmes të bardhës dhe të zezës. Me këtë vepër kontestuese, artisti nuk i kundërvihet vetëm punës së kryebashkiakut Edi Rama. Ai kundërshton, mbi të gjitha, profesorin tij gjatë viteve të studimeve në Akademinë e Arteve. “Ka qenë profesori më i mirë që kam pasur,” pranon Gentiani. “Na propozonte gjëra të tjera, larg konformizmit didaktik të kohës. Tashmë ai është kryeministri Rama. Jam i bindur se profesori im Edi, do të ishte kundërshtari i tij më i fuqishëm”.

Ngjyrat si simbole, por gjithashtu si mënyrë e të shprehurit, duket të jenë në qendër të punës së artistit. Gentiani ka përfaqësuar gjithashtu Shqipërinë në Bienalen e Venecias, me veprën e tij “Pikturë Demokratike” (2011). Një titull befasues për një vepër arti. Ngjyrat e përdorura në të reflektojnë me përpikëri rezultatin e një sondazhi të kryer nga artisti mbi ngjyrën e preferuar të pjesëmarrësve në këtë sondazh.

Gentiani na rrëfen histori të shumta, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë naivitetin e kontakteve të para mes artit shqiptar dhe hapësirës perëndimore. “Në vitin 2003, puna ime u përzgjodh në Festivalin e Locarno-s. Në vend të isha i pari që do vraponte për në këtë festival, unë thjesht dërgova veprat dhe vetë qëndrova në Tiranë, për të vazhduar montazhin në kanalin televiziv ku punoja. Vetëm pas përfundimit të festivalit, kuptova se çfarë kisha humbur”. Thotë plot auto-ironi ky artist, veprat e të cilit janë tejet prekëse.

Artisti nuk ngre pyetje primare. Përkundrazi, ai heton vërtetësinë e çdo përgjigjeje që paraqitet si e padiskutueshme. Kështu, ai prezanton veprën “Vargje Patriotike” (2004), në të cilën një aktor duket të ketë ereksion gjatë kohës që reciton disa poema patriotike. “E përse jo?” pyet artisti. Vepra e tij e fundit, ende në vazhdim e kthen Shkurtin drejt fëmijërisë së tij, e cila i vjen në ndihmë për të arritur një stampim natyral të autoportretit të tij, mbi një gjethe mullage, përmes reaksioneve të ndryshme të klorofilit. Me siguri ka qenë ky ngacmim i fëmijërisë që solli dhe veprën “Conform” (2015), të cilën artisti ia ka dorëzuar para pak kohësh koleksionit “Imago Mundi” të themeluesit të markës omonime, Luciano Benetton.

Ledia Kostandini është një artiste tjetër që na tërheq vëmendjen. Kostandini ka braktisur studiot dhe përshkon fshatrat e Shqipërisë, në kërkim të hapësirave për instilacionet e saj. “E kam ndier shumë herët nevojën për t’iu larguar tendencave artistike, që të mund të propozoj vepra, për mendimin tim, më të sinqerta dhe më pranë njerëzve”, thotë artistja. Ndaj dhe e hasim tek endet maleve ose arave të braktisura, ku ajo ndërhyn në peizazh me instilacionet e saj, shpeshherë me ngjyra fluo, që simbolizojnë falsen dhe industrialen. Në këtë iniciativë, sfida e saj kryesore është shpjegimi i qëllimit të saj artistik banorëve ose pronarëve të terreneve që ajo përzgjedh. “Mbetet shumë e vështirë të flasësh për art bashkëkohor me njerëz që janë rritur larg jetës moderne, duke pasur si element të vetëm artistik muzikën që thurin vetë. Një herë më është dashur t’u shpjegoj disa pronarëve në tri minuta çfarë është arti dhe përse kisha përzgjedhur terrenin e tyre, ndërkohë që ata përlesheshin me asistentin tim, pasi mendonin se kishim ardhur për t’iu rrëmbyer terrenin. Si përfundim, u bëmë miq dhe ata ishin krenarë për transformimin e ndërtesës së tyre të braktisur në një instalim që tashmë vizitohet nga publiku dhe është shfaqur në botime ndërkombëtare”. Këta njerëz, artistja i quan “bashkëpunëtorë”, të cilët kontribuojnë njësoj sa ajo në veprën përfundimtare. “Jam shumë e tërhequr”, shpjegon ajo “nga arti spontan, i krijuar në mënyrë të pandërgjegjshme ose rastësore. Puna ime është të evidentoj atë çka ekziston, por dhe ta vendos atë në kontekste të reja”. Pas një rezidence artistike në Nju Jork, ajo kthehet në Shqipëri duke pasur në valixhe një pasqyrë të gjetur përtokë e që i tregon qiellin përpara këmbëve të saj. Këtë pasqyrë, artistja e përdor për serinë e saj When I look into the mirror (2014), ku ajo propozon mbivendosjen e imazheve që përballen. Prodhimi final mbetet fotografia, jo si formë e të shprehurit artistik, por si një dëshmi e veprës.

Mungesa e strukturave kushtuar artit është më se e qartë në Shqipëri dhe përbën një burim demotivimi për artistë të shumtë. Nëse një pjesë e tyre e kalojnë kohën duke shprehur, verbalisht dhe jo në vepra, keqardhjet për këtë situatë, talente të vërteta ushqehen nga kjo atmosferë për të krijuar një art që të shkakton reflektime thelbësore. Megjithatë, nevoja për mbështetje institucionale mbetet flagrante. Mjaftoi që Ministria e Kulturës të investonte në një pavijon më mirë të vendosur në Bienalen e Venecias 2015, dhe Shqipëria, e përfaqësuar nga Armando Lulaj, me veprën e tij “Albanian Trilogy”, u rendit mes pesë pavijoneve më të mira: një premtim i bukur për një vend, i cili ka shumë për t’i ofruar skenës kombëtare dhe ndërkombëtare.

* marrë nga revista franceze për artin bashkëkohor “Prussian Blue”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button