Politika

Nuland: Reforma në drejtësi, prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Victoria Nuland, ka filluar sot në mesditë, një vizitë në Tiranë, ku takimi i parë ishte me Ministrin e Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.

Kjo vizitë është dëshmi e një axhende intensive të bashkëpunimit e kontakteve dypalëshe pas vizitës së Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë dhe takimit në Shtëpinë e Bardhë të Kryeministrit Rama me Presidentin Obama.

Bashkëpunimi në kuadër të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rëndësia e miratimit të reformës në drejtësi, bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale dhe perspektiva e rajonit të Ballkanit Perëndimor ishin ndër çështjet e trajtuara në takim.

Ministri Bushati e njohu znj. Nuland me zhvillimet më të fundit në vend, vendosmërinë e qeverisë shqiptare për miratimin e reformës në drejtësi, si një reformë e një rëndësie parësore në forcimin e shtetit ligjor në vend, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Ai falënderoi Ndihmës Sekretaren Nuland për mbështetjen e çmuar të Shteteve të Bashkuara për proceset demokratizuese, konsolidimin e shtetit ligjor dhe kryerjen e reformave duke theksuar se mbështetja dhe asistenca e ekspertëve amerikanë është e një rëndësie themelore për suksesin e reformës në drejtësi. Ne këtë kontekst Ministri Bushati u shpreh se: “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët. Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90% e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim”.

Duke u ndalur në bashkëpunimin në kuadër të partneritetit strategjik, Ministri Bushati siguroi mbi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar si partner i vendosur përkrah SHBA-së për stabilitetin, paqen e prosperitetin në rajonin tonë e më gjerë, si dhe në drejtim të përballimit të sfidave të sigurisë globale.

Ndihmës Sekretarja Nuland shprehu mbështetjen e SHBA-së në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.

Ajo theksoi se reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e Shqipërisë drejt BE-së. Në vazhdën e vendimeve të marra gjatë Samitit të NATO-s në Varshavë, Nuland vlerësoi rritjen e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misioneve të aleancës dhe luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Related Articles

Nje koment

  1. Bushati.Asnje gje nuk do behet ne shqiperi po qe se SHBA,BE,NATO nuk do te eleminoje shtetin e paligjshem fashist te sali berishes dhe te fashizmit(vjedhje+vrasje )te drejtesise ne shqiperi.Cdo zgjidhje tjeter eshte nje loje per te varrosur popullin shqipetar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button