Ekonomia

Raporti i UNODC: fitimet nga drogat në Shqipëri sa 2.6% e PBB-së (340 mln USD)

Fitimet vjetore nga tregtia e paligjshme e drogave në Shqipëri janë sa 2.6% e prodhimit të brendshëm bruto (ajo që prodhon ekonomia në një vit). Shifra bëhet e ditur në raportin  botëror të drogave 2016, të publikuar së fundmi nga UNODC (Zyra e Kombeve të bashkuara për Drogën dhe Krimin). Raporti thekson se fitimi në raport me PBB-në në Shqipëri dhe vende të tjera në zhvillim është më i lartë se ato të zhvilluara, për shkak të madhësisë së vogël të GDP-së së këtyre vendeve. Në shtetet e zhvilluara ajo luhatet në 0.07-0.19% të PBB-së, ndërsa në Bullgari psh është 1.22%. Shqipëria dhe Bullgaria, së bashku me Republikën e Iranit (1.66% e PBB) janë vendet që kanë fitimet më të larta nga tregtia e paligjshme e drogave në raport me PBB-në.

Duke pasur parasysh që PBB e Shqipërisë është rreth 13 miliardë USD në vit (sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave), atëhere fitimi nga tregtia e paligjshme e drogave llogaritet rreth 340 milionë USD në vit. Kjo rezulton të jetë shuma vjetore e valutës që hyn në Shqipëri në vit dhe destinacioni apo mënyra e përdorimit të tij (si pastrohen këto para)  është e panjohur. Për krahasim, kjo shumë është sa gjysma e parave që emigrantët dërguan në Shqipëri në 2015-n, apo sa 15% e eksporteve vjetore zyrtare të mallrave. Ky burim i paligjshëm hyrjesh valutore shpjegon edhe arsyen pse monedha vendase është e fortë në tregun e këmbimeve valutore, pavarësisht se vendi ka një deficit ndër më të lartit në rajon të llogarisë korente -diferencës së valutës që hyn dhe asaj që del- prej mbi 11% të PBB-së (shënim i Monitor).

Raporti i UNODC  i referohet të dhënave të vitit 2014. Shqipëria përmendet edhe si një nga pesë burimet kryesore të furnizimit të tregjeve ndërkombëtare me kanabis. “Raportet nga shtetet anëtare për periudhën 2009-2014 tregojnë se Shqipëria, Kolumbia, Xhamajka, Holanda dhe Paraguaji janë shtete të rëndësishme që janë burim i barit të kanabisit të shitur në tregjet ndërkombëtare”, thekson raporti.

Sipas UNODC, fitimet nga tregtia e ligjshme e drogave përbëjnë nxitës të konsiderueshëm financiarë për grupet e rganizuara kriminale. Për shembull, një studim i fundi i UNODC gjeti se të ardhurat e drogave të kontrabanduara përmes rrugës së Ballkanit drejt Europës janë mesatarisht 28 miliardë dollarë në vit. Pothuajse gjysma e këtyre fitimeve u gjeneruan në katër shtete europiane, që janë tregu më i madh ilegal për drogat: Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

Si pastrohen paratë e drogës

Pastrimi i parave, thekson raporti, ndodh përmes shumë mënyrash të ndryshme, duke variuar nga përdorimi i teknikave të vogla të decentralizuara, përfshirja e dërgesave të parave ose remitancat deri te përdorimi i sofistikuar i bizneseve mbështetëse; të të gjitha rastet, gjithsesi, të ardhurat nga tregtia e ligjshme e drogave riqarkullohen përmes mjeteve të ligjshme. Në shumë raste, të ardhura të tilla të paligjshme mund të injektojnë sasi të mëdha cash-i  në ekonominë e një vendi dhe mund të kenë efekte të rëndësishme makroekonomike, si ndryshime në vlerat e monedhave dhe rritje të rezervave valutore, siç ka ndodhur në një numër vendesh të Afrikës Perëndimore, disa prej të cilave janë ndikuar në mënyrë domethënëse nga trafiku i kokainës. Në Guinea-Bissau, për shembull, rezervat valutore të huaja u rritën nga 33 milionë dollarë në vitin 2003 në  174 milionë dollarë në 2008; dhe në Gambia, vlera e dalasi u rrit me shpejtësi, pa ndryshime të dukshme në flukset e kapitalit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button