Kosova

Juratovic: Gjermania do t’ju mbështes për vizat – demarkacioni nuk është kriter i padrejtë

Europa po punon për ‘europianizmin’ e Ballkanit dhe jo që të ‘ballkanizohet’ Europa. Negociatat nuk janë të padrejta kur kriteret janë përcaktuar prej fillimit. Gjermania është për heqjen e vizave për kosovarët, por vetëm pas përmbushjes së kritereve- përfshirë edhe miratimin në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi. Kosova në marrëveshje ndërkombëtare, si demarkacioni, duhet të sillet si shtet, pa marrë parasysh ngjyrimet e koalicionit qeverisës. Josip Juratovic, deputet, një ligjvënës gjerman në Bundestag, përfaqëson partinë e dytë të koalicionit të qeverisë qendrore gjermane e sheh si gjë shumë të rëndësishme përcaktimin e vijave kufitare të Kosovës me fqinjët e saj, me theks të veçantë marrëveshja me Malin e Zi.

Juratovic i Partisë Social-Demokrate të Gjermanisë në një intervistë për Gazetën Express thotë se kujton se atje ka njerëz që jetojnë dhe në qoftë se kufijtë nuk janë të përcaktuara në mënyrë të qartë, “ne nuk e dimë për cilin vend këta njerëz i përkasin”.

“Çështja e ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi fqinjë sigurisht që është një pengesë e madhe”, thotë Juratovic.

Tanja Fajon, raportuese e BE’së për regjimin e vizave konstatoi ditë më parë që shqyrtimi i rastit të Kosovës që të lëviz pa viza në Zonën Shengen do të shtyhet deri në shtator- arsyeja mos-miratimi nga Kuvendi i Kosovës i demarkacionit me Malin e Zi. Opozita kosovare, por edhe elementë  brenda partive në pushtet e kanë komentuar këtë si kriter të padrejtë për Kosovën.

Josip Juratovic, një ish-refugjat kroat tash me nënshtetësi gjermane që e njeh mirë mentalitetin Ballkanas, dhe në këtë rast deputet i pushtetit në Gjermani ka krejt mendim të kundërt.

“Negociatat nuk janë të padrejta. Do të ishte e padrejtë po të shtohej ndonjë kriter i në proces. Megjithatë demarkacioni i kufirit ka qenë një kriter që nga fillimi. Kriteret janë të njëjta për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Juratovi.

Çështja e demarkacionit në mes të Kosovës e Malit të Zi nuk i ka ndarë vetëm këto dy shtet, por më shumë e ka ndarë pozitën dhe opozitën në vend që shkojnë deri në akuza për tradhti kombëtare. Por, në krejt këtë përplasje në mes të partive në pushtet dhe atyre jashtë pushtetit në qeverinë qendrore pësuan qytetarët e vendit- liberalizimi i vizave për kosovarët po shtyhet pikërisht për këtë çështje.

Deputeti i Bundestagut, Josip Juratovic thotë se në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është demarkacioni me Malin e Zi, Kosova duhet të sillet si shtet, pa marrë parasysh kush është në pushtet. “Politika ndërkombëtare ka nevojë për vazhdimësi- kjo është e rëndësishme për qeverinë dhe opozitën. Çdo vendi i duhet një konsensus për marrëveshjet ndërkombëtare që ato të respektohen – pavarësisht nga ngjyrat partiake të qeverisë”, tërheq vërejtjen Juratovic, dhe shpreh mendimin se “Është problematike se çështjet e demarkacionit të kufirit tashmë janë kthyer në mosmarrëveshje partizane”.

“Pasi kriteret janë të vendosura, ato duhet të përmbushen”- thotë Josip Juratovic për Gazetën Express.

Pavarësisht kritikave për pjesëtarët e skenës politike kosovare për mos-marrëveshjet që kanë krijuar për një marrëveshje ndërkombëtare të Kosovës që sipas tij duhej zbatuar si përgjegjësi shtetërorë karshi politikës ndërkombëtare, Juratovic konfirmon për Express se “Megjithatë Qeveria Gjermane dhe parlamenti janë në favor të lëvizjes pa viza (për kosovarët) në qoftë se kriteret janë përmbushur me të vërtetë”.

Por, Josip Juratovic kujton se as për qeverinë e tyre nuk është e lehtë të vazhdojnë mbajtjen e këtyre qëndrimeve. “Udhëtimi pa viza është një temë e nxehtë në publikun gjerman. Pas numrit të lartë të refugjatëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, një grup i publikut presin edhe më shumë refugjatë që vijnë nëse fillon udhëtimi pa viza”, thotë Juratovic.

Ballkani Perëndimor ka qenë jo rrallë problematik për Europën, por së fundi telash Unionit ekonomik të Europës i doli edhe Britania e Madhe që vendosi me një referendum vendosi që të dalë jashtë BE’së. Por sa do ta ndikoj ky zhvillim integrimin e shteteve në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën, në BE?

“Shpejtësia e procesit të pranimit nuk varet pyetje si “Brexit’it”, por vetëm në reformat që po zbatohen nga qeveritë e Ballkanit Perëndimor”, thotë Josip Juratovic duke shtuar se “Ne punojmë për një ‘europianizimin’ të Ballkanit Perëndimor në vend të një ‘ballkanizimi’ të Evropës. Kriteret e pranimit janë të përcaktuara qartë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button