Home / Te ndryshme / 10 kuriozitete për faraonen e Egjiptit Kleopatra

10 kuriozitete për faraonen e Egjiptit Kleopatra

Origjina e familjes së saj, Dinastisë Ptolemaik-e ishte greko maqedonase. Ptolomejtë përgjatë dinastisë së tyre folën greqisht dhe refuzuan që të flisnin gjuhën egjiptiane. Kurse, Kleopatra mësoi gjuhën egjiptiane dhe e përfaqësoi veten e vet si rimishërimi i një perëndeshe egjitpiane, Isis-it

Kleopatra VII Philopator që në histori njihet thjesht si Kleopatra, ishte faraonia e fundit e Egjiptit Ptolemaik. Pas mbretërimit të saj, Egjipti u kthye në një provincë të Perandorisë Romake, që sapo ishte stabilizuar në atë kohë.

Origjina e familjes së saj, Dinastisë Ptolemaik-e ishte greko-maqedonase. Ata morën drejtimin e Egjiptit menjëherë pas vdekjes së Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Ptolomejtë përgjatë dinastisë së tyre folën greqisht dhe refuzuan që të flisnin gjuhën egjiptiane. Kjo është arsyeja se përse gjuha greke, ashtu si ajo egjiptiane përdoreshin në dokumentet zyrtare të gjyqeve. Në ndryshim nga familjarët e saj, Kleopatra mësoi gjuhën egjiptiane dhe e përfaqësoi veten e vet si rimishërimi i një perëndeshe egjiptiane, Isis-it.

Në ditët e sotme, faraonia e fundit ngelet një burim tërheqjeje i vazhdueshëm në kulturën perëndimore. Trashëgimia e saj gjendet në vepra të ndryshme arti dhe shumë dramatizime të ngjarjeve nga jeta e saj në letërsi.

Realisht, historia nuk ka qenë bujare me të. Ajo ishte politikane e zhdërvjelltë, grua shumë e ditur, jo një “femër fatale”, dhe ndryshe nga sa është paraqitur, nuk vdiq nga pickimi i një gjarpri.

Teksa për të janë bërë thashetheme prej 2000 vjetësh, Kleopatra ishte shumë e ndryshme nga ajo që na ka përcjellë historia. Më poshtë janë 10 fakte për këtë personazh interesant të historisë botërore.

Nuk ishte egjiptiane

Origjina e Kleopatrës ishte maqedonase, si e gjithë familja e saj. Prejardhja e tyre rridhte nga një prej gjeneralëve të Aleksandrit të Madh, i cili mori drejtimin e Egjiptit pas vdekjes së një prej prijësve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ajo u lind në vitin 69 p.e.s, nga një konkubinë e faraonit Ptolemeut XII, dhe për këtë arsye i përkiste dinastisë së Ptolemeut. Ajo ishte e fundit sovrane e epokës helenistike dhe ndoshta e vetmja nga familja që kishte dhunti politike, aq sa hipi në pushtet kur ishte 18 vjeç dhe qëndroi aty për rreth dy dekada.

Nuk dallohej për bukurinë, por inteligjencën

Imazhi i femrës fatale iu “ngjit” gjatës Rilindjes (në atë kohë madje ishte imagjinuar me karakteristikat e një femre suedeze bionde). Por Plutarku, historiani grek i cili gjurmon portretin më besnik të saj, nuk i përshkruan aq shumë bukurinë, se sa inteligjencën dhe simpatinë. Nga i ati i saj kishte marrë një hundë si shqiponjë, dhe madje edhe stili i flokëve, me të cilin ajo është paraqitur në monedha nuk ishte i bukur. Gjithashtu ajo zakonisht vishej si burrë (në traditën e grave Faraone).

Kalonte shumë kohë mbi libra

Kleopatra ishte një person shumë kureshtar dhe e kulturuar. Ishte rritur me tragjikomeditë greke dhe dinte bazat e astronomisë, gjeometrisë, aritmetikës dhe mjekësisë. Ajo ishte shumë e zgjuar në retorikë dhe veçanërisht në gjuhë. Dinte të paktën 8 gjuhë dhe i pëlqente të studionte në perfeksion për të ndjekur traditën e familjes së saj.

Edhe ajo ndoqi traditën, vrau si familja e saj

Në luftën për pushtet, Kleopatra kishte vrarë, nëpërmjet trupave të të dashurit të saj, Cezarit, vëllain-bashkëshort, Ptolemeu-n XIII. E kjo nuk ishte e vetmja vëllavrasje në shtëpi. Babai i saj, Ptolemeu XII-të, ekzekutoi të bijën Berenice IV, e cila tentoi që t’i merrte pushtetin. Xhaxhai i faraones eliminoi bashkëshorten, pas vetëm 19 ditësh martesë, dhe stërgjyshi Ptolemeu VIII ishte vrarë nga nipi, për t’i marrë fronin.

Nuk ishte ngrënëse burrash

Historia nuk njeh marrëdhënie të tjera dashurore, përveç atyre me dy liderët romakë Jul Cezarin dhe Mark Antonin. Sa u përket këtyre, nuk dihet nëse ka pasur dashuri të sinqertë. Kleopatra dinte se si të përfitonte nga bukuria e saj për të konsoliduar pushtetin politik. Cezari kishte më shumë se dy herë moshën e saj (52, kundër 21 të mbretëreshës), dhe me të, llogaria politike ishte më e dukshme. Mbretëresha e përdori atë për të rimarrë Aleksandrinë dhe pushtetin e uzurpuar nga vëllai i saj Ptolemeu XIII. Me Mark Antonin, me të cilin pati tre fëmijë, ishte ndoshta dashuri e vërtetë, edhe pse mbretëresha u akuzua nga kundërshtarët politikë në Romë, se e kish joshur atë me magji.

Viktimë e thashethemeve dhe e fushatave shpifëse

Kleopatra shpesh ra pre e shpifjeve, si ajo e bërë nga trashëgimtari i Cezarit, Oktaviani, për të dobësuar rivalin Mark Antonin, i dashuri i Kleopatrës. Në një korrespondencë kërcënuese që i parapriu përplasjes direkte, Oktaviani akuzoi mbretëreshën se e kalonte kohën duke u dehur dhe duke bërë orgji, apo se e kishte joshur Mark Antonin me magji. Kleopatra nuk u prek dhe shfrytëzoi llafet e Oktavianit, për të bërë bashkë një flotë të fuqishme, që t’u bënte ballë romakëve.

Ishte xheloze

Kleopatra ishte shumë posesive dhe xheloze ndaj Antonit dhe fakti që ky i fundit ishte një feminist, nuk ndihmonte aspak. Kronikat raportojnë se Antoni kishte kërkuar një portret të të bijës së mbretit Herod, e njohur për bukurinë e saj. Kjo bëri që Kleopatra të tërbohej.  Me t’u kthyer në Romë, Antoni u martua me motrën e rivalit të tij Oktavianit, për të sanksionuar zyrtarisht ndarjen e territoreve romake pas vdekjes së Cezarit. Dhe ndërsa gruaja e tij ishte shtatzënë u kthye tek Kleopatra, e cila nuk e la më t’i shpëtonte, dhe u martua me të sipas riteve egjiptiane.

Nuk e vrau veten nga dashuria

Kleopatra preferoi të vdesë si një mbretëreshë, në vend se të përfundonte në zinxhirë duke parakaluar para popullit romak, pas triumfit të armikut Oktavian. Vetëvrasja e saj ishte një akt krenarie, thirrja e fundit e lirisë, pasi ishte përpjekur, sipas disa burimeve, që të joshte edhe Oktavianin, kur ai erdhi për të në Aleksandri. Ky version duket më i besueshëm se sa vetëvrasja për dashuri e Antonit, i cili duke besuar që mbretëresha kishte vdekur, u hodh mbi shpatën e tij.

Nuk vdiq nga pickimi i gjarprit

Edhe rrethanat e vetëvrasjes së Kleopatrës janë romantizuar. Vështirë se mbretëresha është vrarë duke lënë t’i kafshojë gjirin një gjarpër, i sjellë në një shportë fiqsh. Gjarpri i vërtetë (Vipera Aspis) në fakt nuk ekziston në Afrikën e Veriut. Gjarpri tjetër më bindës, Kobra i Egjiptit që ishte i shenjtë për faraonët (Naja Haje) ishte shumë i madh për t’u futur në një shportë. Ndoshta Kleopatra vdiq e kafshuar nga një echide careened (Echis carinatus), një gjarpër origjinal në Lindjen e Mesme, më pak se një metër i gjatë dhe vdekjeprurës.

 

Nuk dihet vendndodhja e eshtrave të saj

Para se të vriste veten, Kleopatra shprehu dëshirën e saj për t’u varrosur ngjitur me Mark Antonin. Kronikat thonë se Oktaviani ia plotësoi, por varri i çiftit nuk është gjetur. Në vitin 2009, egjiptologu Zahi Havass njoftoi se ai kishte zbuluar vendin ku të dy ishin varrosur, një dhomë e fshehur nën tempullin e Taposiris Magna, 50 km në perëndim të Aleksandrisë, ku u gjetën 10 mumiet që i përkasin trupave të balsamosur të fisnikërisë së kohës. Gërmimet vazhdojnë, por zbulimi ende nuk është konfirmuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.