Home / Te ndryshme / Pesë arsyet përse duhet ta vizitoni Indinë para të ’30-ve

Pesë arsyet përse duhet ta vizitoni Indinë para të ’30-ve

Nga njerëzit tek ushqimi dhe traditat, India përbën një destinacion mjaft tërheqës për të rinjtë që duan të njohin më shumë nga bota dhe vetja përmes të tjerëve

Jeta është e bukur. Keni një vend të mirë pune, një apartament të vogël për të jetuar dhe familjen përreth vetes në kohën e lirë. Ju madje udhëtoni nëpër botë dy herë në vit për të parë vende të bukura dhe interesante.

Por diçka nuk është në vendin e vet. Në mendjen tuaj ndieni se ju mungon diçka. Ndjesia se gjërat bëhen ndonjëherë shumë automatike mund t’ju mundojë, por ajo që duhet të kuptoni është se ndjesia e boshllëkut mund të vijë edhe për shkak të mungesës së përplasjes me kultura të reja.

Nëse ndërmerrni një udhëtim të largët, gjithnjë do të ktheheni prej tij njerëz të ndryshuar. Jo vetëm eksplorimi i vendeve të tjera, por edhe largimi për disa kohë nga zona e rehatisë në vendin tuaj, do t’ju sfidojë dhe do t’ju bëjë të kërkoni më shumë nga vetja.

Ja se cilat janë gjërat që do të mësoni nga një udhëtim në Indi, i cili ka për t’ju ndryshuar plotësisht jetën.

Shoku kulturor

Prisni derisa të mbërrini në Indi. Nuk do t’ju kishte shkuar kurrë në mendje se çfarë tronditjeje fillestare do të përjetonit nga viza e këtij vendi. Edhe në qytetet më moderne, ka një ndryshim shumë të madh të botës. Qyteti juaj i lindjes apo vendi ku jetoni do t’ju duket më i largët se kurrë dhe papritur do të kuptoni se kaosi ku do t’ju zhysë India është në fakt një thirrje për të përqafuar një realitet krejt të ndryshëm. Shqisat tuaja të mësuara në monotoni do të zgjohen që të gjitha.

Njerëzit

Në Indi, do të takoheni me njerëzit më mikpritës dhe më të dashur që keni hasur ndonjëherë. Atyre u pëlqen shumë të flasin me ju rreth vendin prej nga vini dhe shpesh e kanë për kënaqësi t’ju japin informacion rreth një qyteti të veçantë dhe gjërave që mund të bëni në të.

Vendasit janë zakonisht shumë krenarë për festivalet e tyre fetare në zonë dhe këto festivale përbëjnë një burim të shkëlqyer që të kuptoni se si e jetojnë ata jetën dhe cilat janë traditat e tyre.

Por nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit vendas. Kur vizitoni Indinë, do të haseni me shumë vizitorë të tjerë, që ashtu sikurse ju kanë ardhur për të përjetuar tronditjen e një të reje të panjohur. Të huajt qëndrojnë bashkë dhe do të gjeni gjithnjë dikë që t’ju ndihmojë apo t’ju japë ndonjë këshillë.

Ushqimi

Kuzhina indiane është shumë më tepër sesa vetëm erëza. Eksploroni frutat dhe perimet e panjohura që nuk do t’ju kishte shkuar kurrë në mendje se ekzistonin apo format e të cilave mund të mos i keni parë deri më sot.

Një kulturë krejt tjetër kulinare, ajo e Indisë është po aq unike sa e çdo shteti që do të vizitoni. Çdo rajon dhe fshat ka nga një veçanti të ushqimit, të cilat mund t’i shijoni lirë dhe me shumë dashamirësi. Jo, nuk janë të gjitha me erëza pikante. Sigurisht që ju mund të guxoni dhe të provoni diçka ndryshe, por kini parasysh se ka edhe ushqime të zakonshme që u shërbehen të huajve të cilët duan të ruajnë një nivel normal të ngrënies së ushqimit.

Feja dhe spiritualiteti

Feja luan një rol në shoqërinë indiane që mbizotëron në çdo aspekt të jetës, por jo në një mënyrë që t’ju detyrojë juve apo t’ju bëjë të ndiheni si nën presion. Ju duhet të respektoni faktin se jeni një mysafir dhe të silleni siç duhet, por edhe kështu në largësi do të arrini të mësoni gjëra që do t’ju magjepsin.

Historitë e Shivas, Kalit, Hanumanit dhe Krishnas janë shumë entuziazmuese dhe si narrative të bukura që përcaktojnë thelbin e jetës në Indi ju do të arrini të kuptoni më shumë për vendasit përmes idhujve të tyre.

Joga dhe meditimi shkojnë dorë për dore me shumicën e rutinës së njerëzve në Indi. Kjo e bën atë vendin ideal për çdo turist për t’i shpëtuar kaosit dhe për t’u rilidhur me qenien e tij thellë në vetvete.

I gjithë territori

India ka plazhe të bukura, me gjasa vargjet malore më spektakolare në botë, shkretëtira të gjera, arkitekturë të pabesueshme, lashtësi, tempuj të shenjtë të ruajtur mirë, elefantë, tigra, Taxh Mahalin, lumin Gang, Bollivudin dhe qytete të tjera si askund në botë.

Me bekimin kaq të madh të Indisë ju do të përjetoni një shumëllojshmëri të jetës si në asnjë vend tjetër. Mjafton të hipni në një avion apo të kapni trenin për në destinacionin e radhës. India është pikërisht ajo që ju po kërkoni. Vizitojeni dhe do ta kuptoni edhe vetë

Leave a Reply

%d bloggers like this: