Kosova

Hoxhaj: Nuk do të lëmë gur pa lëvizur që ta rrisim sovranitetin e Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell.

Ministri Hoxhaj dhe ambasadori O’Connell kanë diskutuar për bashkëpunimin e mëtejmë të të dyja shteteve si dhe për koordinimin e veprimeve për sa i përket shtimit të njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Sipas një komunikate të MPJ-së, ministri Hoxhaj ka theksuar se “Britania e Madhe, ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e madhe e Kosovës së pavarur dhe fuqizimit të sovranitetit tonë dhe si një partner i fuqishëm evropian por edhe global, ajo do të ndihmoj në rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës si dhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”.

Në koordinim me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim është angazhuar vet ministri Hoxhaj, thuhet më tej në njoftim.

“Unë do të bëjë përpjekje maksimale që të rris numrin e njohjeve për shtetin e Kosovës por kjo përpjekje e imja ka një logjikë mbrapa. Unë mendoj që Kosova në të ardhmen duhet të njihet nga 120-130, nuk dua të them që do t’i marrim këtë vit. Kjo me një arsye shumë të thjeshtë, për tu anëtarësuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare duhen 2/3 e votave dhe na duhet një mbështetje e madhe e shteteve që e kanë njohur Kosovën”, është shprehur ministri Hoxhaj.

Ndërsa ka shtuar se rritja e numrit të njohjeve ka të bëj me dimensionin e dytë sesi “ne e shohim zgjerimin e sovranitetit përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

Dhe për këtë ka theksuar se “nuk do të lë gur pa lëvizur që ta rrisim sovranitetin e Kosovës por edhe ta ushtrojmë atë. Kështu që anëtarësimi në organizata pastaj na mundëson ushtrimin e sovranitetit duke kërkuar herë pas herë votë edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Nga ana tjetër ambasadori O’Connell, ka thënë se pavarësisht zhvillimeve të fundit në shtetin e tij, interesi i Britanisë së Madhe, ka qenë që të mbështesim shtetet tjera në Evropë sepse ato janë në një hapësirë evropiane.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button