ParlamentarePolitika

Shehi: Të ndryshojë kodi zgjedhor

Deputeti Dashamir Shehi, në seancën e sotme plenare ka bërë thirrje për ndryshimin e kodit zgjedhor, pasi ai aktual, sipas tij, u ka hequr qytetarëve të drejtën e zgjedhjeve.

Në fjalën e tij, Shehi ka theksuar se me sistemin aktual, me lista të mbyllura, qytetarëve u imponohen njerëzit e caktuar nga kryetarët e partive. Ndërkohë që ai me lista të hapura u kthen atyre të drejtën e zgjedhjes.

“Lista e hapur do të krijojë një elitë politike në Shqipëri dhe gjithashtu një elitë partiake. Do të shohim sa na votojnë qytetarët neve që jemi këtu, do të kufizojë pushtetin e kryetarëve të partive”, ka thënë Shehi.

Ai ka nënvizuar gjithashtu faktin se edhe kryetarët e bashkive i caktojnë partitë, “ndaj dhe një sistem i ri zgjedhor do të përmirësonte shumë nga këto defekte”.

“Duhet përmirësuar edhe sistemi i numërimit. Ose do të shkojmë të votojmë në mënyrë elektronike, ose të numërohet në mënyrë elektronike, sepse kështu do të bjerë pushteti i komisionerëve. Ky është propozimi ynë”, ka vijuar Shehi.

Ai ka bërë thirrje që kjo çështje të merret seriozisht, sepse nëse i kushtohet vëmendje në fund të vitit do të jetë vonë. “Do të bëhet nën presionin elektoral, do të jenë bërë listat e deputetëve, etj”, ka thënë Shehi.

Sa i takon reformës në drejtësi, ai ka theksuar se, “pa një drejtësi ekzekutive e të pushtetshme në vendimmarrje nuk do të ketë drejtësi”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button