Home / Kryeartikull / Vdekja e opozitës

Vdekja e opozitës

NGA ILIR YZEIRI

Refuzimi që PD-ja i bëri propozimit “Nuland” ishte i mundshëm, por jo i pritshëm. PD-ja zgjodhi “jo”-në duke e servirur me frazeologji dinake ballkanike, me arsyetim kinse patriotik dhe e degdisi opozitën shqiptare në humbëtirat e verdha të harrimit politik. Personalisht, nuk ndiej asnjë lloj triumfalizmi nga kjo rrëshqitje e opozitës drejt vetëshkatërrimit dhe drejt shpartallimit. Vendit i duhet një opozitë e fortë dhe euroatlantike. Mirëpo kjo gjë nuk ka gjasë të ndodhë.

Është shenjë e mbarë që disa deputetë të opozitës, siç thonë informacionet e rrjedhura në media, e kanë qortuar vendimin e fundit të lidershipit të PD-së, përkatësisht të Berishës dhe Bashës. Kjo frymë dhe këta deputetë duhen përkrahur, por edhe ata vetë duhet të jenë më të spikatur në ligjërimin politik dhe, nëse duan ta shpëtojnë PD-në dhe të shëndoshin opozitën, ata duhet të kthehen në një zë me më shumë autoritet në publik duke u distancuar prerë nga fryma antieuratlantike që po shfaqin Berisha dhe Basha. Mirëpo kjo është punë për ta, sepse dinjiteti i politikanit në radhë të parë, është një çështje individuale e më pas kthehet në çështje publike.

Reforma dhe publiku

Besoj se të gjithë ata që merren me gazetari, e kanë ndier se në çdo ambient ku ata ndodhen shqetësimi i të gjithëve është Reforma në Drejtësi. Të pyesin nga të katër anët. Mua më ka qëlluar që për reformën në drejtësi më ka pyetur shoferi i taksisë, shitësit e mi të të gjitha llojeve të asortimenteve, njerëz në rrugë, kolegë, të gjithë. Për fat të keq ne nuk kemi një sistem mediatik që të jetë në shërbim të publikut dhe nuk kemi arritur që të ndërtojmë bashkëbisedimin normal mes instancave politike, shtetërore apo gjyqësore dhe publikut.

Po sjell një shembull. Në çdo vend normal, punimet e Kuvendit janë ngjarjet vendimtare, seancat parlamentare janë vendi ku vihet në diskutim fati ynë ekzistencial, sepse aty miratohen ligje që ose e rëndojnë jetën tonë ose e vështirësojnë atë. Mirëpo, media nuk i transmeton publikut përmbajtjen apo llojin e ligjit që miratohet aty dhe që nesër mund të na kufizojë ose mund të në zgjerojë hapësirën tonë të lirisë ekonomike apo të çfarëdolloj lirie tjetër. Kuvendi te ne shihet si një spektakël dhe si një dramë. Mediat japin me orë të tëra llumin e trashë e të zi që lëshon Berisha nga foltorja e Parlamentit pastaj narracionin e lodhshëm të Edi Ramës dhe monologët prej karagjozësh apo prej halabakësh disa herë që recitojnë deputetë të të gjitha krahëve. Parlamentin e shfrytëzojnë të gjithë për të treguar se sa të fortë janë dhe se si mund ta shkatërrojnë kundërshtarin duke thënë për të gjithë të zezat e kësaj bote. Ky spektakël i pështirë e kthen publikun në një masë të mpirë e pa jetë dhe mban gjallë vetëm epshet e militantëve të ndërkryer, të cilët në darkë u turren rrjeteve sociale dhe derdhin gjithë inatet e tërbimet kafshërore përmes komenteve të ndyra dhe prej trimash prapa ferrave.

Ndërkaq, askush nuk merr vesh se çfarë ligjesh miratohen në këtë vend. Këtu, mund të miratohet çdo gjë dhe askush nuk reagon. Mund të ngrihet e të ulet pensioni, të rriten taksat e të ulen kontributet për arsim e shëndetësi dhe askush nuk merakoset. Kujtoni se çfarë ndodhi në Francë me reformën në Ligjin e Punës. I mbani mend protestat e dhunshme para fillimit të Kampionatit Europian? Por le të vijmë te Reforma. Edhe në këtë rast, kam përshtypjen se Reforma po kuptohet më shumë si një ndeshje mes PD-së dhe PS-së, si një përplasje mes opozitës vrasëse dhe qeverisë së kriminalizuar. Publikut jo vetëm që nuk i është treguar se çfarë përmban kjo reformë, por duket se një mendje djallëzore nxjerr nga teksti i reformës një term anglo-sakson dhe e largon edhe më shumë shenjueshmërinë e tekstit nga referenti.

Vetingu dhe hija e shtetit

Fjala që ka rrjedhur nga teksti i Reformës dhe që duket se i jep asaj një tis misterioz është “Veting”-u që tash në fund shpjegohet edhe në shqip me sqarimet e nevojshme. Në thelb të reformës është shkatërrim i këtij sistemi drejtësie dhe ndërtimi i një tjetri. Punëtorët e drejtësisë, prokurorë e gjyqtarë do të kalojnë në sitë të imët dhe do të verifikohet pasuria e tyre dhe emri i tyre profesional. Ky diagnostikim do të kryhet prej një komisioni politik shqiptar, të cilët do t’ua paraqesin pastaj përfaqësuesve amerikanë dhe europianë, të cilët kanë të drejtën për të zgjedhur se cili e meriton të vazhdojë karrierën dhe cili jo.

Veç kësaj janë edhe disa institucione të tjera që e bëjnë sistemin e drejtësisë më të pavarur nga politika. PD ose Berisha dhe Basha nuk duan përfaqësinë amerikane dhe europiane, sepse kështu thonë ata cenohet sovraniteti. Kjo thënie është shqiptimi më antishqiptar që mund të bëhet. Sovraniteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në mënyrë të përsëritur dhe historike është ruajtur nga SHBA dhe Europa. Po ashtu, familja europiane ku ne duam të hyjmë nënkupton edhe revizionimin e kuptimit të sovranitetit. Që të bëhemi pjesë e asaj familjeje ne duhet të reformojmë thellësisht institucionet tona dhe të heqim dorë nga pronësia politike mbi pushtetet që harmonizohen në një demokraci të shëndoshë.

Sovraniteti ynë është një nocion abstrakt dhe folklorik. Globalizmi si frymë e re e kohës që po vjen dhe europianizmi si tendencë që ne shqiptarët e kemi jetike për ekzistencën tonë, nënkupton që sovranitetin tonë folklorik pra qeverisjen e mbyllur ideologjike dhe me forcat tona, ta flakim tej dhe të ndërtojmë partneritetin e shëndoshë dhe të sigurt me aleatët e vetëm që janë SHBA dhe Europa. Gjithçka tjetër është retorikë e vjetër dhe një shenjë që i justifikon të gjithë ata që mendojnë se Berisha dhe opozita janë anti-euroatlantikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.