Libri

Kokona, dhe takimi ynë i parë me Hemingway-n

Shkrimtari i njohur kujtohet përmes një ekspozite në Bibliotekën Kombëtare

Ishte viti 1961 kur Ernest Hemingway erdhi për herë të parë në gjuhën shqipe nën përkthimin e Vedat Kokonës. Pikërisht në vitin kur u nda nga jeta. Ish-studenti i Drejtësisë në Paris, do të kthehej në Tiranë me ndjesinë e një zbulimi të jashtëzakonshëm që ia kishte dhënë leximi në frëngjisht i Hemingway-t. Në Parisin ku Hemingway kaloi disa vite të jetës së tij, Vedat Kokona do të kalonte orë të tëra mbi romanet që do të hapnin një tjetër botë brenda tij. Ndoshta atëherë nisi të përkthente në mendje, me dashurinë e tij për gjuhën faqet e para të “Lamtumirë armë”, të cilin do ta botonte “Naim Frashëri” ku Kokona do të punonte si redaktor e përkthyes pas vitit 1949. Në Shqipërinë komuniste romani “Lamtumirë armë” do të sillte joshjen ndaj një kulture e bote, që do rrinte fshehur në mendjen e çdo lexuesi. Ernest Hemingway do të kthehej në një nga shkrimtarët më të dashur, për lexuesin shqiptar, dhe pse numri i veprave të tij në gjuhën shqipe për shumë vite ishte i limituar. Biblioteka Kombëtare në 55-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, ka nxjerrë nga arkivi gjithë historinë e librave që e lidhin këtë shkrimtar me gjuhën shqipe, për t’i vendosur në një ekspozitë. “Ernest Hemingway: 1899-1961”, quhet ekspozita e cila na sjell një panoramë të raportit që ky autor ka pasur me shqipëruesit e tij në gjuhën tonë. Shkrimtari amerikan, Ernest Hemingway, ka ardhur në gjuhën shqipe përmes përkthimeve të Vedat Kokonës, Ismail Kadaresë apo Alqi Kristos. I botuar për herë në parë në shqip në vitin 1961 romani “Lamtumirë armë” do të çelte rrugën e përkthimeve dhe botimeve të tjera, aq shumë të lexuara nga publiku shqiptar. Për publikun kjo ekspozitë prezanton nga botimet më të hershme në shqip, të cilat ruhen në fondin e arkivit, deri te ribotimet më të fundit, si “Plaku dhe deti” (1963), “Të kesh a të mos kesh” (1963), “Për kë bien kambanat (1973), “E sotmja është e premte: tregime” (1996), “Dhe dielli lind” dhe “Fiesta” (1998), “Tregimet e Nick Adamsit” (1999), “Kopshti i Edenit” (2000), “Lumi i madh me dy zemra” (2007) si dhe novelat “Lumturia e shkurtër e Frensis me komberit” dhe “Dëborat e Kilimanxharos” (2009). Në fondin e Bibliotekës Kombëtare krahas botimeve në gjuhën shqipe ruhen me shumë kujdes edhe botime në gjuhët të huaja si në anglisht, frëngjisht apo rusisht. Ernest Hemingway (21 korrik 1899 – 2 korrik 1961), i konsideruar si një nga përfaqësuesit e brezit të humbur, vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Ai është lauruar me çmime prestigjioze letrare, si çmimi “Nobel” në vitin 1953 me “Plaku dhe deti”, ndërsa në vitin 1954 i akordohet çmimin “Pulitzer”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët, në hollin e Bibliotekës Kombëtare, çdo ditë nga ora 8:00 – 20.00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00 – 14.00.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button