Rajoni

Greqi, “puçistët” turq njihen me akuzat. Dëbimi mund të vonojë

Tetë ushtarakët turq, që janë larguar nga Turqia me një helikopter dhe janë ulur në Aeroportin “Dimokritos” të Aleksandrupolit të Greqisë, disa orë pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në fqinjin përtej Egjeut, janë çuar mesditën e së dielës para prokurorit.
Pas deponimit, të arrestuarve iu është bërë e ditur edhe akuza zyrtare e hyrjes ilegale në Greqi, si dhe tentativa për fluturim të paligjshëm, ndërsa ka filluar menjëherë procesi administrativ i dëbimit, i cili vlerësohet se nuk do të ekzekutohet menjëherë, pasi ata tashmë kanë aplikuar për azil politik dhe përgjigjja vonohet dy ose 3 javë.
Më herët, avokatja e tyre ka deklaruar se klientët e saj, dy majorë, një kapiten dhe 5 ushtarë, nuk ishin në dijeni se po zhvillohej një grusht shteti, ndërsa transportonin të plagosurit në spital, kur helikopteri i tyre u qëllua dhe për këtë arsye kaluan kufirin ajror turk dhe u ulën në Aeroportin e Aleksandrupolit, ndërsa tani kanë frikë të kthehen pasi iu rrezikohet jeta.
Nëse vërtetohet që 8 ushtarakët janë të përfshirë në grushtin e shtetit, është shumë e vështirë që pala greke të mos i dorëzojë ata në Turqi, – ka theksuar ministri Vitsa, duke theksuar se – fakti që kanë kryer një shkelje të ligjshmërisë kushtetuese dhe se ka pasur një përpjekje për rrëzimin e demokracisë është një argument i fuqishëm për t’i dorëzuar.
Si kusht në këtë rast, Athina, duke u bazuar në konventat europiane, ka kërkuar që të garantohet jeta e tyre, pas zërave të shumtë në Turqi se për disa prej puçistëve mund të rikthehet dënimi me vdekje. Por, ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu ka siguruar homologun e tij grek, Nikos Kotzias, pas kërkesës për dorëzimin e tyre, se në Turqi nuk ekziston dënimi me vdekje.
Greqia ka theksuar nga ana e saj se, kërkesa e ushtarakëve për azil politik do të konsiderohet në bazë të asaj që parashikon legjislacioni përkatës grek dhe ai ndërkombëtar, dhe do të respektohen procedurat e parashikuara nga e drejta ndërkombëtare. Tetë ushtarakët turq priten të dalin para gjyqit ditën e hënë ose të mërkurën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button